Bombardues rusë në Kubë e Venezuelë
Një oficer i lartë i forcave ajrore ruse tha të shtunën se Presidenti venezuelas, Hugo Çavez, kishte ofruar një ishull si bazë të përkohshme strategjike për bombarduesit rusë. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve "Interfax", shefi i Shtabit të Forcave Ajrore të distancave të largëta, Anatoli Zhikharev, shtoi se edhe Kuba mund të shfrytëzohej për një qëllim të tillë. Gjithsesi, Kremlini nënvizoi se situata në fjalë është hipotetike. "Ushtria po flet për mundësi teknologjike, kjo është e tëra", tha për "The Associated Press" Aleksei Pavlov, një zyrtar i Kremlinit. "Mund të komentonim vetëm në rast se situata do të shënonte zhvillime". Gjenerali Anatoli Zhikharev tha se Çavez kishte vënë në dispozicion "një ishull të tërë bashkë me një aerodrom dhe se në rast të një vendimi të mundshëm politik, mund të bëhej i mundshëm përdorimi i ishullit nga forcat ajrore ruse".