E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoze Saramago: Jam një elefant i zgjuar

Hoze Saramago ka lindur në Portugali, në vitin 1922, në një familje aq pak të mësuar me të shkruarin, sa t‘i ngatërronte edhe emrin në regjistrin e lindjes (Saramago do të thotë "barishte të këqija"). Ka fituar çmimin "Nobel" për letërsinë në vitin 1998 dhe është autor i 16 botimeve mjaft të suksesshme. Së fundmi ka hedhur në treg një libër alegorik, ku rrëfehet përvoja e një elefanti që udhëton nëpër Evropë. Në një intervistë me revistën italiane, "L‘Espresso", tregon si ka nisur të shkruajë, jetën pas çmimit "Nobel" dhe bindjet politike.

Zoti Saramago, si nisët të shkruanit?

E kujtoj shumë mirë. Po lexoja një faqe të "Rilke", kur papritmas më lindi një ide, e cila më frymëzoi për të shkruar librin tim të parë, "Toka e Mëkatit". Nuk kishte asnjë lidhje mes asaj që po lexoja dhe idesë. Nuk ekziston ndonjë shpjegim i saktë për këto gjëra: thjesht ndodhin.

Që atëherë, prej 62 vitesh nuk keni ndalur më së shkruari. Ǒdo të kishte ndodhur sikur të mos kishte ardhur ai frymëzim?

Do isha bërë përkthyes, besoj. Aktivitet që gjithsesi është i lidhur me analizën e me letërsinë.

Çfarë është letërsia për ju?

Është një mënyrë për të shpjeguar atë që ndjej dhe atë që nuk ndjej. Është një mënyrë të jetuari, një mënyrë për të qenë, për të analizuar realitetin përreth.

Çfarë mësohet duke shkruar?

Po ju ndryshoj pyetjen. Si mësohet nga e ecura? Duke ecur! Kështu që përgjigjja është: duke shkruar. Duke shkruar shumë. Dhe duke lexuar, natyrisht.

Të flasim për romanin "Historia e Elefantit". Përse keni zgjedhur këtë histori të vërtetë? Shumë personazhe përplasen me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të ngjarjeve, hyjnë e dalin, shpesh me tone komike... Çfarë efekti donit të krijonit?

Mendova se do ishte një histori origjinale: një elefant që sillet nëpër Evropë, duke vërejtur sjellje pak a shumë të çuditshme. Kafshët janë shpesh më të ndjeshëm e perceptues se njerëzit. Përveç kësaj, ai libër nisi si tregim e mbaroi roman. E shkrova menjëherë pas një sëmundjeje të rëndë dhe më lodhi shumë.

Të shkruarit ju ndihmoi për të lënë pas dobësinë psiko-fizike pas sëmundjes?

Do të thosha se është pikërisht kështu: forca magjike e letërsisë! Te mua, të paktën, bën këtë efekt. Nuk e kam të vështirë të përqendrohem mbi një fletë letre. Përkundrazi, e lë botën jashtë në çastin kur ulem të shkruaj. Një herë shkrova një roman të tërë me punëtorët që vazhdonin punën në shtëpi, duke bërë shumë zhurmë. Ndërkaq, as që i dëgjoja!

T‘i kthehemi elefantit. Si mund të shprehet perceptimi apo ndjeshmëria e kafshëve?

Qeniet njerëzore janë vërtet shumë të veçanta. Nuk mund të them se nuk janë të ndjeshme, e megjithatë janë të vetmet që nuk mësojnë nga përvojat dhe historia e tyre. Thuhet se qenia njerëzore është e vetmja qenie e gjallë në gjendje të pengohet dy herë në të njëjtin gur. Kjo është një thënie e urtë portugeze në fakt. Unë them, sikur të ndodhte vetëm dy herë, do të qemë me fat. Bëhet fjalë për një pafundësi pengimesh, e gjithnjë te i njëjti gur. Duket se nuk duam të mësojmë nga gabimet tona. Ndërkohë që, në rast se për shembull një mace bie në një kurth e mbetet e plagosur, ajo nuk kalon më andej. Ose në rast se del e çjerrë nga beteja me një mace tjetër, i rri larg në të ardhmen. Ndërsa qenia njerëzore shkon të luftojë në Irak jo një herë, por dy. A nuk është për të vrarë mendjen?

Doni të thoni se qeniet njerëzore janë të paafta të nxjerrin mësime nga përvojat që u vë përpara jeta apo historia?

Sigurisht që janë të afta, por nuk duan. Për shembull, italianët nuk kanë mësuar asgjë prej përvojës historike, dhe më duket se as që kanë qejf ta bëjnë: i referohem qeverisë aktuale.

T‘i kthehemi Solomonit, çfarë vëren elefanti simpatik gjatë rrugëtimit të tij?

Mungesën e koherencës në sjelljet e qenies njerëzore në përgjithësi, tendencën imperialiste, etjen për pushtet e pushtime, me të cilën qenia njerëzor nuk ngopet dot kurrë në kurriz të më të dobtëve. Solomoni mendon: "Njerëzit janë vërtet shumë të ngjashëm me ne kafshët, por shpesh shumë më të këqij". Po ju jap një shembull. Solomoni kalon Alpet, pikërisht si Aleksandri i Madh para shumë shekujsh. Kalon në krahun italian, ku emrat e rrugëve janë shkruar në gjermanisht dhe habitet. Gjuhët më të forta gëlltisin më të dobëtat, ja një realitet që ka ekzistuar gjithmonë.

Drama ju lejon të shprehni opinionin personal mbi temat aktuale?

Po. Besoj se është e natyrshme për një autor të shprehet mbi temat aktuale, veçanërisht në formë kritike. Është një prej funksioneve të letërsisë. Nuk ju duket kështu?

Pra, trillet artistike mund të shërbejnë për t‘i dhënë botës mesazhe e për të dënuar padrejtësitë?

Jo domosdoshmërish, por është një mundësi që ekziston dhe është mirë të shfrytëzohet, sigurisht pa e tepruar. Them se është një tendencë e natyrshme, që në disa raste nuk shfrytëzohet si duhet.

Në tre prej romaneve tuaj të mëparshëm, "Trazimi i vdekjes", "Verbëria" dhe "Ese mbi qartësinë", vdekja është e kudondodhur. Përse kaq dendur kjo temë?

Jemi të vdekshëm dhe do të ishte çudi po të mos ndaleshim te vdekja. Por jo sepse i trembemi: frika nga vdekja është më e vogël nga sa besohet. Mësohemi me idenë se do vdesim dhe përpiqemi të jetojmë sa më mirë të mundemi.

Çmimi "Nobel" sigurisht ua ka ndryshuar jetën: për mirë a për keq?

Sigurisht që e ka ndryshuar: e ka bërë më të ndërlikuar, gjë që ndoshta është edhe normale. Por nuk më ka ndryshuar mua, ju siguroj për këtë. Jam tamam ai person që isha pa çmimin "Nobel".

Çfarë projektesh keni për të ardhmen?

Po punoj mbi një roman të ri, i cili duhet të mbarojë brenda një viti, por nuk mund të them asnjë fjalë mbi të.

Nga këndvështrimi i besimit tuaj te komunizmi, cila është e ardhmja e së majtës në botë? Filma e artikuj mbi vitet e terrorit, për shembull, kanë hapur temën e dhunës për të shtënë në dorë pushtetin.

Nëse pranohet dhuna si mjet ndryshimesh apo për marrjen në dorë të pushtetit, duhet pranuar gjithashtu që edhe pala kundërshtare do të përdorë të njëjtin mjet. Dhuna prodhon dhunë. Më rast se duam të ndërtojmë demokracinë në gjithë botën, gjë që më duket absolutisht e domosdoshme, duhet të fillojmë me konkretizimin e ideve të së majtës së vërtetë socialiste, të bazuara te parimet e barazisë. Ky do të ishte një fillim i mbarë.

16 nëntorin e shkuar, në përvjetorin e 86-të të lindjes, ju hapët një blog në internet. Çfarë raporti keni me teknologjinë: dashuri, urrejtje apo nevojë?

Nuk ndihem shumë i lidhur me teknologjinë. Dhe kush është i lidhur në moshën time? Progresi na ofron mjete të reja, na përket ne të vendosim si t‘i përdorim. Kështu që as dashuri e as urrejtje, do të thosha veç nevojë. E ndoshta edhe frymëzim.

Jeni akuzuar në të shkuarën për antisemitizëm. Si reagoni ndaj kësaj akuze?

(Ngre duart) Ǒmund të bëj tjetër?

Marrë nga "L‘Espresso"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›