Saimir Strati, surpriza e një rekordi tjetër "Gines"
Prekja e të pamundurës dhe rruga drejt të panjohurës ka qenë grishja e përhershme për të. Idetë e tij rrokin deri në ekstremet e mjeteve për të bërë art. Në një Leonardo Da Vinçi me gozhdë, në një kalë me kunja dhëmbësh apo edhe në një mozaik mesdhetar me tapat e shisheve të verës. Për hir të talentit, fantazisë, durimit...një rresht epitetesh të tjera, Saimir Strati ka merituar tri herë "Ginesin". Artisti që deri më tash kishte heshtur, apo më saktë nuk ishte ekspozuar fuqishëm, u kishte dhënë jetë në studion e tij një sërë motivesh. Materiale të forta, të pajeta si guri, gozhdët, CD, por deri edhe në ato më delikatet si lëvozhga e vezës, në duart e tij përkthehen në vepra estetikisht artistike. "Në krijimtarinë time është shumë e rëndësishme të krijosh emocione të dyfishta, që do të thotë: shikuesi të ndihet mirë estetikisht me veprën dhe të befasohet me teknikën ose e kundërta. Të transformosh nëpërmjet teknikës një material inert (të ftohtë) në një vepër të mirëfilltë arti është një kënaqësi. Gjithmonë e kam menduar se kjo duhet të ketë qenë ëndrra e alkimistëve. Jam i lumtur që e kam arritur", shprehet Strati. E kishte shtruar ngadalë rrugën që e çoi deri në "librin e çudirave". I lindur në qytetin e detit, Vlorën e konsideron gjithmonë pjesë të relaksit dhe frymëzimit. Për të, mozaiku është teknikë shumë e lashtë dhe e përdorur gjerësisht në Mesdhe. Vlora është gjithashtu qytet mesdhetar dhe këtu mund të jetë edhe prejardhja e tij si mozaicist. Gjurmët e para të artistit gjenden në fëmijëri. Ishte vetëm 5 vjeç, kur mjaftonte t‘i linin një laps në dorë, e ai të fillonte të vizatonte pa u shqetësuar për mungesën e familjarëve. Me babanë ushtarak, familja u zhvendos në Fier, ndërsa Saimiri u rikthye sërish në Vlorë më 1984 për të vazhduar shkollën e artit. Në moshën 14-vjeçare realizon mozaikun e parë. I frymëzuar nga mozaiku i vendosur në ballinën e Muzeut Kombëtar, Saimir Strati, një djalosh me frymëzime artisti, realizon dy figura valltarësh e një valltareje me kashtë me ngjyrë. Vitet në vazhdim do të shtronin të tjera kërkesa për të. "Mendoj me bindje se arti për mua nuk është rastësi, por ndjenjë. Për të arritur aty ku mendon se je më pranë asaj që ndien, duhet shumë delikatesë. Gjithmonë kam qenë i bindur se ka vetëm artist dhe jo art. Konseguenca për të shprehur ndjenjën vizualisht ka qenë dhe vazhdon të jetë për mua shumë esenciale", shprehet Strati, i cili sot është në një eksperimentim të vazhdueshëm ndaj të resë, së panjohurës. Por në fakt, ndonëse në pamje veprat e tij ngjajnë të çuditshme, teknika po ashtu, vetë ai pohon se këto vijnë nga një traditë e hershme. Ajo ilire. "Duhet të keni parasysh se mozaikët dikur i përkisnin elitës. Një nga arsyet që unë ndihem mirë kur punoj mozaik është ideja për t‘i rikthyer kësaj tradite aq të përhapur në Iliri lavdinë e harruar. Kjo nuk është e lehtë, sepse është njësoj si të ringjallësh dinozaurët. Por, kam kënaqësinë të shpjegoj, se unë e kam deklaruar me veprat e mia, absolutisht unike në botë, se një kulturë nuk vdes. Ndihem shumë mirë që jam pasardhës i ilirëve në teknikën e mozaikëve", shprehet Strati. Puna për restaurimin e mozaikëve të Apolonisë ia ka shtuar edhe më shumë këtë ndjenjë. Kujton shumë mirë deri edhe në detaje, që në kohën e qëndrimit atëherë i ngjanin gati të gjalla. Kultura 3000-vjeçare, midis qytetërimit helen dhe atij romak, të cilën e admironte dhe prej së cilës u ndikua, e sheh sot të lënë në hije. Krijimtaria e tij nuk janë vetëm tre "Gines". Figura femrash, motive floreale, portrete apo tema të tjera ndër kohë kanë marrë jetë brenda studios, në të cilën vazhdon edhe eksperimentimi. Në fakt, tentimi i parë për të hyrë në librin e rekordeve "Gines"(Guinness) me realizimin në gozhdë të portretit të Da Vinçit, nuk ishte një rastësi. As një ide e paramenduar për t‘u bërë i njohur. "Puna me gozhdë ka qenë një teknikë e menduar mirë dhe e eksperimentuar të paktën për pesë vjet. Nuk mendoj se fama është shumë esenciale për mua. Më shumë krenohen shqiptarët me mua se unë me veten. Kam akoma shumë për të krijuar", shprehet Strati, që gjithsesi ka gjetur një indiferentizëm për ekspozimin e mëtejshëm të tre rekordeve. Gazetarë të huaj që dëgjojnë për të kërkojnë intervista, një dokumentar rus mbi Shqipërinë e ka bërë pjesë të xhirimeve, ndërsa janë të shumtë kuriozët që kërkojnë t‘i shohin e t‘i prekin nga afër këto vepra. Por Strati shprehet se ai e ka të pamundur të merret personalisht me prezantimin e mëtejshëm të tyre. Për vetë përmasat e mëdha, transporti në disa qytete, e për më tepër jashtë, kushton shumë. Për më tepër, i është dashur t‘u gjejë një vend për t‘i ruajtur. Në një magazinë. Kështu ndodhi me Da Vinçin pas "Ginesit", i cili zhvendosej nga një kthinë e Piramidësë në tjetrën. "Si krijues, si shqiptar, si patriot, unë mendoj se e kam kryer misionin. Nëse këto vepra i vlejnë kombit, le të ekspozohen", shprehet Strati. Dy djemtë e tij ende nuk e kanë zgjedhur rrugën e tyre, e ndoshta edhe mund të mos e trashëgojnë artin e të atit. Ndërkohë, ideja për të vendosur një rekord të katërt nuk është e huaj për të. "Për sa i përket krijimtarisë artistike jam duke eksperimentuar për një teknikë mikse, ndërsa për projektet për rekorde botërore, besoj se janë disa. Nuk mendoj se jam gati për të specifikuar ndonjë materie. Gjithsesi ka për të qenë shumë interesant". Një vepër e ardhshme, ende në mendime, është më e parapëlqyera për të. Saimir Strati ka shumë ide...