E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza mbledh ministrat e grupimit G20

Ministrat e shteteve më të pasura dhe ekonomive të mëdha në zhvillim të grupit G20 u takuan dje në Britaninë e Madhe për të shqyrtuar edhe më tej rrugën që duhet ndjekur për zbutjen e krizës më të rëndë globale në dekada të tëra. Ministrat e këtyre vendeve, të shoqëruar nga krerët e bankave qendrore, diskutuan për stimulimin e ekonomive dhe daljen nga recesioni.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vënë theksin te shtimi i shpenzimeve publike, por disa prej qeverive evropiane kërkojnë më shumë përqendrim te rregullat për kontrollin e tregjeve financiare. Po kërkohet gjithashtu edhe koordinimi i axhendave për një takim tjetër të G20-ës në Londër.

G20 është një grupi informal, i përbërë prej shteteve më të fuqishme në Evropë, të cilat së bashku përfaqësojnë 85 për qind të ekonomisë botërore. Në të përfshihen Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Në hapjen e sesionit të djeshëm, ministri i kabinetit britanik Alister Darling, përgjegjës për financat dhe ekonominë e vendit, tha se ishte i sigurt se takimi do të arrinte sukses në tri qëllimet e tij kryesore: mbështetjen e ekonomive, nxitjen e kreditimit bankar dhe sigurimi se veprimet do të jenë të dobishme për gjithë ekonominë botërore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me mbështetjen e Britanisë, kërkon që qeveritë e tjera, veçanërisht ato të Evropës kontinentale, të veprojmë edhe më energjikisht për të nxjerrë ekonomitë nga recesioni. Por, evropianët kanë lënë të kuptohet se nuk kanë ndër mend të shpenzojnë edhe më shumë fonde deri në çastin kur të vërehen rezultatet e financimeve qeveritare të deritanishme. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha kësaj jave se përpjekjet nuk duhet të përqendrohen te shpenzimet e mëtejshme, por te ngritja e një sistemi që do të ndalonte përsëritjen e të tilla krizave në të ardhmen.

Pas një takimi kokë më kokë po të shtunën me Kryeministrin britanik Gordon Braun, Angela Merkel bëri me dije se paketat ndihmëse të deritanishme të shtetit gjerman zinin 4.2 për qind të GDP-së së vendit. Gjithashtu tha se Gjermania ishte avangardë në të gjithë Evropën në këtë kuadër, duke shtuar se duheshin pritur efektet e paketave të deritanishme përpara se të vendosej për paketa të reja ndihmëse. Gordon Braun u shpreh se të gjitha shtetet kishin marrë masat përkatëse për të dalë nga kriza dhe se tani shtetet e G20-ës duhet të përqendrohen te marrëveshjet e përbashkëta për politikat monetare dhe mbikëqyrjen e bankave.

Ndërkaq, Alister Darling, i cili edhe po drejton këtë takim në Suseks, hodhi poshtë zërat që flisnin për mosmarrëveshje dhe ashpërsime tonesh mes anëtarëve të grupimit G20. "Në përgjithësi besoj se kemi gjetur gjuhën e përbashkët mbi të gjitha problemet", tha ministri britanik i kabinetit për rrjetin BBC. "Sigurisht, kur ke 20 njerëz në një dhomë, do të ketë diferenca opinionesh. Secili nga vendet duhet të vendosë si të veprojë me ekonominë e vet". Ai shtoi për BBC-në se të gjithë të pranishmit në takim pranonin se bota po përballet "me rrethana të jashtëzakonshme" dhe se shtetet gjendeshin para detyrimit për të mos bërë gjithçka lipsej për të mbështetur ekonomitë. "Nuk bëhet fjalë veç për një nevojë ekonomike, por po të marrim parasysh se 90 milionë njerëz nëpër botë rrezikojnë t‘i kthehen varfërisë, është gjithashtu një domosdoshmëri morale".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›