Bombat mbi Libi, shkatërrohet rezidenca e Gadafit në Tripoli
Një sulm me raketa ka shkatërruar një ndërtesë në Tripoli, për të cilën zyrtarët perëndimorë thonë se është një prej qendrave komanduese të kolonelit Gadafi. Gazetarëve iu tregua ndërtesa e shkatërruar, por nuk është e qartë nëse ka patur viktima. Disa vende, ku përfshihen SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca vazhdojnë sulmet ajrore, pasi OKB-ja autorizoi veprimet ushtarake për të mbrojtur civilët nga forcat qeveritare. Kolonel Gadafi po lufton kundër një rebelimi që filloi muajin e kaluar. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se vetë kolonel Gadafi nuk është objektiv i sulmeve. Ata thonë se sulmet kanë në shënjestër forcat e armatosura dhe sistemet e mbrojtjes. Një zyrtar libian tha se 64 ishin vrarë gjatë sulmeve në fundjavë, por kjo shifër nuk mund të verifikohet. Të dielën ishte nata e dytë me radhë që koalicioni shumëkombësh kreu sulme ajrore në Libi, me qëllim të zbatimit të zonës së ndalim fluturimeve, për ta parandaluar Gadafin që të ndërmarrë sulme ndaj ithtarëve të opozitës që kërkojnë largimin e tij. SHBA-ja, Britania, Franca, Italia, Kanadaja dhe vendet tjera thonë se zona e ndalim-fluturimeve mbi Libi tashmë është imponuar. Fuqitë Perëndimore e ndërmorën valën e dytë të sulmeve në Libi kundër forcave të armatosura dhe sistemeve kundërajrore të Gadafit. Rezidenca e Gadafit në Tripoli u shkatërrua, ashtu si dhe kolona e tankeve që ishin nisur drejt Bengazit, bastion i kryengritësve që duan t’i japin fund sundimit prej katër dekadash të liderit libian. Nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet, ndërsa nuk dihet as vendndodhja e Gadafit. Ndërhyrja më e madhe kundër një vendi arab që prej futjes në Irak në vitin 2003, filloi të dielën në orët e hershme të mëngjesit, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara autorizoi aksion ushtarak për të imponuar zonën e ndalim-fluturimeve, që t’i parandalojë sulmet ndaj civilëve. Sulmet u kritikuan nga kreu i Ligës Arabe, Amr Musa, i cili e dënoi humbjen e jetëve të civilëve. Dje ai e zbuti tonin e kritikave, duke thënë se e respekton rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Por Shtetet e Bashkuara, të cilat po i kryejnë sulmet në bashkëpunim me Britaninë, Francën, Italinë, Kanadanë dhe vendet tjera, thonë se fushata deri tash ka qenë e suksesshme dhe zona e ndalim fluturimeve është vënë në zbatim. Lajmin e bëri të ditur kundëradmirali Bill Gortney, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Shteteve të Bashkuara.“Nuk ka pasur aktivitete të reja nga ana e regjimit, dhe ne nuk kemi detektuar valë të radarëve nga asnjë zonë e sulmuar, ku ishte vendosur mbrojtja kundërajrore. Ka pasur rënie të konsiderueshme në përdorimin e radarëve libianë të mbikëqyrjes”, tha Gortney. Fuqitë Perëndimore e hodhën poshtë armëpushimin, të cilin të shtunën në mbrëmje e shpalli armata e Libisë, duke thënë se ai nuk ishte respektuar nga forcat qeveritare. Armata e Shteteve të Bashkuara ka qenë e kujdesshme, duke dashur të mos tërheqë paralele me ndërhyrjen në Irak dhe përmbysjen e Sadam Huseinit. Sulmet janë mirëpritur nga luftëtarët kryengritës, që kontrollojnë Lindjen e vendit, e cila në dhjetë ditët e kaluara përjetoi ofensiva të rënda nga forcat e Gadafit. Megjithatë, kundëradmirali Gortney thotë se Bengazi dhe qytetet tjera që mbahen nga kryengritësit ende janë nën kërcënim. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të armatës amerikane, admirali Majk Mullen, paralajmëroi se epilogu i fushatës është “shumë i pasigurt”. Por, me gjithë sulmet, mbështetësit e Gadafit mbeten sfidues. Në Tripoli, një turmë u tubua në sheshin qendror, duke shtënë në ajër me armë automatike dhe duke u zotuar për t’i therur kryengritësit. “Ne po i presim. Varret e tyre janë hapur këtu. Ne i ftojmë në ferr. Mirë se vini në ferr, ne po ju presim!”, ka thënë një mbështetës i Gadafit. Vetë Gadafi, gjithashtu, është zotuar të luftojë. Ai ka thënë se qeveria po i armatos përkrahësit e saj dhe ka paralajmëruar për një “luftë të gjatë”.