Skandali, The Sunday Times “korrupton” eurodeputetin Severin
Edhe në Parlamentin Europian ka korrupsion. Disa europarlamentarë, ndërmjet tyre edhe dy me “lidhje shqiptare”, kanë rënë dakord për të ofruar shërbime, në këmbim të një shume të konsiderueshme të hollash për gazetarët e “The Sunday Times”. Në shkrimin e bazuar në fakte, që është publikuar nga kjo media prestigjoze britanike, gazetarët i kanë kërkuar disa deputetëve të paraqesin disa ndryshime, në këmbim të një shume prej 100 mijë eurove, të cilët i ka pranuar eurodeputeti rumun Severin. Dy eurodeputetët e tjerë, që janë përfshirë në këtë skandal korrupsioni, janë ish-ministri i Jashtëm slloven, Zoran Thaler dhe ish-ministri i Brendshëm austriak, Ernst Strasser. Këta dy të fundit, menjëherë pas publikimit të skandalit, kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Severin. Ai ka hequr dorë vetëm nga pozita e zëvendës-presidentit të Partisë Social Demokrate në Rumani, deri sa situata e tij të sqarohet, por jo nga posti i eurodeputetit. Severin njihet si mbështetës i Partisë Socialiste shqiptare dhe madje pak muaj më parë, ai nuk hezitoi të kërkonte anullimin e vendimit historik për liberalizimin e vizave për shqiptarët.