E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia e armëve, Imami nuk i kemi shitur armë Libisë dhe Jemenit

Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë si të pavërteta të gjitha aludimet e bëra nga opozita dhe media, lidhur me kontrabandën e armëve kundrejt vendeve të tjera. Ka qenë vet kreu i kësaj ministrie, Arben Imami, ai që duke dhënë shpjegime dje para Komisionit të Sigurisë Kombëtare, me kërkesë të deputetëve socialistë, ka sqaruar se vendi ynë nuk ka bërë asnjë tregti armësh e municionesh, që bie ndesh me ligjet e vendit apo me ligjet ndërkombëtare. Kështu, Imami, duke marrë në analizë të gjitha dyshimet e ngritura nga opozita, lidhur me tregtinë e armëve, me ato vende në të cilat sot ekzistojnë konflikte të brendshme apo të pjesshme, siç është Libia, Irani, Jemeni etj, ka theksuar se shteti shqiptar për sa i përket kësaj lloj tregtie, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, ka për detyrë të respektojë vetëm vendimet e institucioneve ndërkombëtare për embargo ndaj një shteti dhe të mos furnizojë atë me armë, apo mallra të tjera të ndaluara. “Ka vetëm një princip, ai është vendosja e embargos. Ku ka embargo, nuk ka tregti të ligjshme”, - tha Imami, duke bërë të ditur se në asnjërën prej shteteve të përmendura nga deputetët e opozitës, nuk ka embargo. Duke iu referuar rasteve konkrete, Imami ka sqaruar se në rastin e Jemenit janë lidhur disa kontrata për tregti armësh, por që gjatë vitit 2009 dhe 2010 nuk është realizuar asnjëra. Ndërsa, përsa i përket Libisë dhe Iranit, ai ka sqaruar se me këto shtete, nuk është bërë tregti megjithëse as ndaj tyre nuk ka pasur embargo. “Sikurse e shihni në tabelat që ju kam paraqitur në këtë komision, nuk rezulton në asnjë nga shkresat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, tregti të mundshme armësh me Jemenin apo me Iranin”, - tha Imami. Ndërkohë, deputetët e opozitës, duke iu përmbajtur argumenteve me të cilat shoqëruan kërkesën e tyre për këtë seancë dëgjimore, kanë theksuar se shteti shqiptar nuk duhet të bëj sikur se kupton se në këto vende, pavarësisht se nuk ka embargo, popujt po luftojnë për demokraci. Ndaj, kanë theksuar ata, nuk është normale një tregti e tillë. Gjithashtu, ata kanë kërkuar shpjegime edhe për tregtinë e armëve me Serbinë dhe Malin e Zi, duke ngritur si shqetësim ndërmjetësit e kësaj tregtie. Përsa i përket Serbisë, deputetët socialistë kanë theksuar se një pjesë e mirë e ndërmjetësve janë shtetas serbë, që janë përfshirë nga OKB në listën e zezë të personav,e që nuk duhet të marrin pjesë në aktivitete të tilla, siç ishte rasti Miroslav Tesiç, i përmendur prej Ilir Gjonit. “Miroslav Tesiç është i përfshirë në listën e zezë të OKB dhe që nuk lejohet të bëj tregti armësh dhe municionesh, ndërsa ne na rezulton se ju keni bashkëpunuar me të”, - tha Gjoni. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur edhe se Shqipëria ka importuar nga Irani eksploziv, çka është hedhur poshtë nga Ministri Imami. “Për këtë që thoni për Iranin, është hera e parë që dëgjoj dhe s’ka asnjë dokument që të vërtetojë këtë. Ndaj ju lutem, kur bëni këto deklarata, thoni të paktën janë dyshime dhe jo fakte”, - tha Imami. Përsa i përket rastit të tregtisë me Malin e Zi, Imami ka deklaruar se ky shtet, armët që blen prej Shqipërisë, i shet në vende të tjera pasi i përpunon. Megjithatë, sipas socialistëve, nuk është normale që vendi ynë të furnizojë me kaq shumë armë një shtet fqinj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›