Topi: Presidenti të zgjidhet nga populli
Zgjedhja e Presidentit me votim popullor ka gjetur mbështetjen e kreut aktual të shtetit, Bamir Topi. Gjatë konferencës së shtypit, pas takimit me homologun kosovar Behgjet Pacolli, Topi deklaroi se është politika parlamentare ajo që ka pasur shansin dhe ka atributet që, nëse e shikon të arsyeshme, të mund të bëjë ndryshime të caktuara kushtetuese, qoftë edhe për problemin në fjalë. “Unë dëshiroj të ndaj pozicionin aktual si President, me prononcimet e mia të kahershme, që do të thotë që nuk lidhen thjesht me ushtrimin e detyrës si President. Unë kam qenë gjithmonë i atij parimi, që Presidenti të mund të zgjidhet nga populli, jo sepse kjo rrugë, nga Parlamenti, nuk është një rrugë që nuk konsiderohet legjitime, përkundrazi, ka edhe eksperienca të ndryshme”, u shpreh Presidenti Topi. Por nuk do të dëshiroja ta jepja këtë si opsion të institucionit, tha ai, sepse nuk i takon këtij institucioni që të japë orientime për politikën. “Por, pozicioni im si politikan, si qytetar, ka qenë dhe mbetet ky. Ndonëse gjithmonë ekziston, në terrenin politik shqiptar që, kur ti hedh një opsion, tentohet të realizohet një politikë negativiste, pra, mjafton të thuash një opsion dhe ndoshta, të tjerë të bëjnë të kundërtën. Por, kjo nuk është në interes personal, individual”, insistoi Topi. Në vlerësimin e tij, sa më shumë t’u afrohemi zgjedhjeve popullore, masive, institucionet bëhen më demokratike. Homologu kosovar Behgjet Pacolli deklaroi gjithashtu se një opsion i tillë është i dëshirueshëm edhe në Kosovë. “Vetëm atëherë do të kemi një president legjitim të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mundet askush ta kontestojë. Unë personalisht kam qenë pak a shumë, jo shumë komod kur kam dëgjuar dhe zëra që kanë kontestuar zgjedhjen time personale, prandaj unë do të jem promovues i madh i ndërrimit të kësaj pike dhe besoj se unë prapë do të rikandidohem”, u shpreh Pacolli. Presidenti i Kosovës sakaq tha se Shqipëria dhe Kosova duhet që sa më parë të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik, në mënyrë që të arrijnë sa më shpejt rezultatet e dëshiruara. “Dua të shohim vetëm përpara dhe me vlerat e së kaluarës të krijojmë të ardhmen tonë, që do të jetë e ndritshme. I thërras ndërgjegjes tuaj kombëtare për të menduar pak, a duhet të kënaqemi me rezultatet e deritanishme në rrafshin ekonomik? Kemi pasur rezultate, por nuk duhet të kënaqemi. T’u hapim rrugë pistave të bashkëpunimit”, u shpreh Pacolli. Duke vlerësuar maksimalisht investimin për rrugën Durrës-Morinë, kreu i shtetit kosovar ka theksuar se kjo rrugë duhet të shfrytëzohet më së miri, për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. “Ne mund të nderojmë paranë publike të harxhuar për rrugën e kombit, duke e mbushur atë plot e përplot me lëvizjen e njerëzve, ideve dhe mallrave. Ne duhet të prodhojmë më shumë zhvillim për qytetarët tanë. Duhet të qarkullojmë shumëçka, por këto pista të reja bashkëpunimi duhet të zhvillohen mbi një bazament të fortë”, ka deklaroi Pacolli. Ai propozoi gjithashtu bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo atë territorial, por atë ekonomik, duke krijuar lehtësira për bizneset e dy vendeve.