“Bombat me celular prodhohen në Tiranë”
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda zbulon grupin kriminal, që prodhoi dhe trafikoi bomba të telekomanduara në distancë me celular. Katër anëtarë të një grupi të dyshuar kriminal, të arrestuar gjatë operacionit “Cikloni 4” janë dërguar të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prokuroria përfundoi hetimet ndaj tyre, duke zbardhur skemën e prodhimit të 9 bombave të pajisura me telekomandë-celular dhe trafikimit të një snajperi 7mm, pushkë me precizion të lartë goditje. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohuan dje se është dërguar për shqyrtim në gjykatë dosja penale në ngarkim të personave të akuzuar, Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka, Adrian Moçka dhe Hysen Hyka. Ata akuzohen për “trafikim të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”. “Nga hetimet ka rezultuar se të akuzuarit Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka dhe Adrian Moçka kanë trafikuar në bashkëpunim mes tyre, nëntë mina lëndësh plasëse të pajisura me pajisje komandimi në distancë, celular. Aktivizimi i këtyre bombave bëhej përmes instalimit në to të një aparati celular me kartë në të cilën bëhet thirrje në momentin e shpërthimit të bombës, pas vendosjes së saj në objektiv”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, bombat me celularë janë prodhuar nga i dyshuari Hysen Hyka, me banim në Tiranë, i cili më pas besohet se i ka dorëzuar minat tek tre personat e tjerë të arrestuar nga operacioni “Cikloni 4”.
Trafiku i bombave
Agjentët e policisë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, siç duket kanë rënë në gjurmë të veprimtarisë kriminale, që në kohën kur Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka dhe Adrian Moçka kishin porositur prodhimin e nëntë bombave tek Hysen Hyka. Duke ndjekur të gjitha komunikimet mes personave në hetim, agjentët e policisë nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë arritur të ndërhyjnë në kohën e duhur për të bllokuar bombat. Ato janë sekuestruar më 20 mars 2008 në fshatin Rrushbull të Durrësit, në autoservisin që kishte në pronësi njëri nga të arrestuarit, Glerjan Hyseni. Bashkë me sekuestrimin e bombave me celular dhe arrestimin e pronarit të autoservisit, agjentët e policisë kanë arrestuar edhe të implikuarit e tjerë në trafikimin e bombave me telekomandë. Shkëlqim Gjoka, Adrian Moçka dhe Hysen Hyka kanë rënë në pranga gjatë ndërhyrjes së policisë për bllokimin e bombave që sipas informacioneve operative të policisë, ishin dërguar në autoservisin e Glerjan Hysenit dhe personat kishin lëvizur me dy makina të cilat janë bllokuar. Pas bllokimit të bombave, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit të tyre dhe ka arritur në përfundimin se ato ishin në gjendje pune për shpërthim me anë të aktivizimit me celularin e instaluar në to. Qarku i celularit të instaluar në bomba, lidhet me kapsollën e vendosur në tritol dhe në momentin e kryerjes së thirrjes në këtë telefon, nga zotëruesit e minave, ato aktivizohen si pasojë e kalimit të mikrorrymës elektrike në rrjetin e bombës.
“Grupit kriminal iu kap edhe një snajper”
TIRANE – Katër persona të cilët janë çuar të pandehur në gjykatë për akuzën e trafikimit të armëve në bashkëpunim, u është kapur edhe një armë snajper me precizion të lartë qitje. Në procesverbalin e provave penale ndaj të akuzuarve ndodhet edhe arma tip snajper 7mm me nr.795333 si dhe një pistoletë e pajisur më zhurmëshues. Këto armë, sipas hetimeve i janë gjetur të arrestuarit Glerjan Hyseni, i cili besohet se snajperin e mbante me qëllim shitjeje. Sipas Prokurorisë, katër të pandehurit e dosjes “Cikloni 4” janë persona që kanë lidhje me grupe të tjera kriminale të arrestuara më parë nga policia. Mes tyre ndodhen edhe katër ish-oficerë ushtrie, të cilët u kapën në Lushnjë me një sasi prej 50 mijë fishekësh luftarakë të destinuar për trafik. Grupet e ndryshme në këtë veprimtari, mësohet se bënin këmbimin e bombave me armë snajper ose silenciatorë si dhe me municione, të cilat shiteshin ilegalisht me porosi.
Të akuzuarit
Glerjan Hyseni, 31 vjeç
Shkëlqim Gjoka, 34 vjeç
Adrian Moçka, 46 vjeç
Hysen Hyka, 48 vjeç
Provat
• 9 mina me telekomandë me lënde eksplozive
• 9 aparate telefonike të lidhur me bombat
• 5 aparate telefonike të personave të arrestuar
• Armë zjarri snajper “Brouing” belg
• Pistoletë me silenciator, “Brouing”
• Automjet “Volvo” me targa TR 4491 C
• Automjet “Benz” me targa TR 9778 J
• 18 copë fishekë të armës snajper