E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shqiptarit në Itali, qëlloi gruan 14 herë me daltë të mprehtë

 

ITALI - Një emigrant shqiptar u arrestua dje në qytetin Udine të Italisë për shkak të akuzave se ka goditur 14 herë me daltë të mprehtë bashkëshorten e tij, shtetase shqiptare. Roland Nani, 45 vjeç dyshohet se ka dashur të hakmerrej ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e konsideronte “fajtore” për dëbimin e tij nga Italia dy vite më parë. Sipas burimeve zyrtare të policisë italiane, në vitin 2006, shqiptari 45-vjeçar akuzohet se ka tentuar të vriste bashkëshorten e tij 37-vjeçare nga Shqipëria, dhe për këtë shkak edhe atëherë, autoritetet kanë vendosur dëbimin e tij nga vendi fqinj. Policia konfirmoi se gruaja e dëmtuar rëndë nga dhuna është dërguar në spital. Ajo ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të 14 plagëve, që ka marrë në fytyrë dhe në trup si pasojë e goditjeve nga i shoqi. Policia italiane tha dje se ngjarja ka ndodhur në një kioskë, në rrugën Pozuolo, të qytetit të Udines, në Itali, ku punonte gruaja shqiptare. Sipas verifikimeve mjeko-ligjore, mësohet se plagët e saj janë shkaktuar me daltë të mprehtë. Një kolege e punës e cila ka parë skenën e dhunës së ushtruar ndaj gruas shqiptare, ka njoftuar policinë duke kërkuar ndihmë. Shqiptari është arrestuar rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes, teksa po tentonte të largohej ndërsa aktualisht ndodhet në burgun e Udines, ku pritet të përgjigjet për akuzën e dhunës fizike dhe plagosjes së rëndë të bashkëshortes së tij. Një fakt rëndues ndaj shqiptarit mësohet se është konsideruar nga policia edhe sjellja e tij e mëparshme ndaj bashkëshortes. Dy vite me parë ai kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe çështja kishte përfunduar në polici për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar bashkëshortja e të arrestuarit. Ai pritet të dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›