E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fshesë" kambistëve, 37 në polici, u sekuestrohen paratë

Policia e Shtetit, operacion kundër kambistëve të palicensuar në disa qytete të vendit

TIRANË- Ministria e Brendshme kryen një operacion "fshesë" për kambistët, duke iu sekuestruar një shumë të madhe parash. Operacioni është organizuar ditën e djeshme dhe është shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa janë shoqëruar 37 kambistë, të cilëve iu janë sekuestruar dhe shumat e parave. Policia e shtetit bëri të ditur se në sajë të urdhrit të ministrit të Brendshëm "Për ndalimin e tregut të palicencuar valutor" policia ndërmori në shkallë vendi një operacion me qëllim ndërprerjen e tregut të palicencuar valutor. Kështu, janë bllokuar rreth 2.5 milionë lekë të reja, 10 750 euro, 13 500 dollarë, 5 200 bono thesari. Gjithashtu policia ka kapur në flagrancë duke ushtruar aktivitet të palicencuar valutor 37 kambistë, nga të cilët 7 në territorin e Vlorës, 4 në Tiranë, 4 në Fier, 2 në Durrës, 8 në Elbasan, 4 në Shkodër, 1 në Korçë, 2 në Kukës, 4 në Lezhë dhe 1 në Gjirokastër. Policia e Tiranës kishte organizuar edhe më parë operacione të shumta me distancë të shkurtër kohore nga njëra-tjetra me qëllim largimin e kambistëve nga qendra e Tiranës, pranë Bankës së Shqipërisë. Shumë persona të cilët ushtrojnë aktivitet të palicencuar valutor në kryeqytet janë shoqëruar në drejtorinë e policisë së Tiranës u janë sekuestruar paratë dhe madje janë dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë. Por sërish ata kanë zbarkuar pranë Bankës së Shqipërisë për të vazhduar aktivitetin, pasi siç shprehen kambistët nuk kanë mënyrë tjetër për të fituar bukën e gojës. Ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Brendshme organizoi një operacion në shkallë vendi me qëllim "zhdukjen" e kambistëve. Operacioni i policisë kapi në flagrancë vetëm 37 kampistë ndërsa një pjesë e madhe u larguan vetë sapo mësuan për ekzistencën e policisë pranë tyre, me qëllim që të mos humbisnin paratë. Megjithëse policia ka ndëshkuar deri më tani mjaft kambistë, ata sërish duket se nuk kanë hezituar të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Në këto kushte Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i bën thirrje të gjithë shtetasve që në mënyrë të kundraligjshme vazhdojnë të merren me ushtrimin e veprimtarisë së palicencuar të këmbimit valutor të ndërpresin këtë aktivitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›