E Diel, 1 Nëntor 2026

Bombat në institucionet e Kosovës, prokuroria nis hetimet

Identifikimi i autorëve, Policia e Kosovës do të mundësojë xhirimet

Blerina Olldashi
Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka nisur hetimet në lidhje me hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda oborrit të Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast është urdhëruar Policia e Kosovës, që të dorëzojë xhirimet që mundësohen nga kamerat e sigurimit të vendosura në objektet qeveritare. “Këto xhirime ne i kemi kërkuar me qëllim të identifikimit sa më të saktë të personave që ne dyshojmë se kanë të bëjnë me hedhjen e dy granatave në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës”,- është shprehur një zyrtar i lartë i prokurorisë. Ndërkohë Vesel Ariçi, njëri nga organizatorët e protestave në një deklaratë është shprehur se këto veprime erdhën si pasojë e neglizhimit të kërkesave të parashtuara ndaj qeverisë. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të mund të arrihen në një zgjidhje të problemit. “Ajo ka qenë mënyrë e revoltës sonë, pasi nuk na janë përgjigjur në kërkesat tona. Menjëherë pas gjuajtjes së mjeteve shpërthyese kanë filluar lëvizjet e qeveritarëve. Kështu do të vazhdojmë deri në përmbushjen e kërkesave”,- tha Aruçi për një të përditshme kosovare. Vesel Aruçi, personi i cili ka drejtuar protestën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka qenë i dënuar edhe më herët për veprën penale të krimit të organizuar dhe vënie gjobe. Dy ditë më parë një grup i ish-pjesëtarëve të UÇK-së hodhën mjete shpërthyese në oborrin e Qeverisë së Kosovës. Protestat e tyre u zhvilluan në rrugën “Agim Ramadani” përballë Kuvendit të Kosovës. Grupi prej afro 30 ish- ushtarësh qëndruan aty me thirrjet se nuk do të largoheshin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, përkujdesje për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Sipas Këshillit të protestës ata zgjodhën këtë mënyrë për të shprehur pakënaqësitë e tyre, pasi marrëveshja e arritur në muajin prill, sipas tyre nuk është implementuar nga qeveria. Megjithatë, shefi i Zyrës për veteranët në Kryeministri, Faik Fazliu, e ka quajtur protestën të panevojshme, sepse sipas tij shqyrtimi dhe plotësimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së është në përfundim e sipër dhe shumë shpejt do të dërgohet për miratim në Kuvend. Hedhja e bombave moltov u dënua ashpër nga presidenti i vendit Fatmir Sejdiu i cili e quajti këtë, një veprim anti shtetëror dhe të padenjë.

Pavarësia, Kosova dorëzon deklaratën në GJND

Kosova ka dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë deklaratën e dytë me shkrim në mbrojtje të pavarësisë së saj.
Gjatë një takimi me gazetarë, ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni theksoi se dokumenti që ka 160 faqe, përmban të gjitha faktet e nevojshme në mbrojtje të legjitimitetit të pavarësisë dhe pret një mendim të paanshëm të Gjykatës,bën të ditur Telegraf. Sipas Hysenit, Prishtina ka shqyrtuar me kujdes të gjitha deklaratat e para të dorëzuara në GJND dhe mendohet se ka fakte të mjaftueshme ndaj të gjitha pretendimeve që i kanë shtruar disa shtete kundër pavarësisë së Kosovës.

Bexhet Pacolli: “Njohja e Kosovës, tani do të loboj ndryshe”

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli ka paralajmëruar se do ta ndryshojë mënyrën e lobimit, për shkak se Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës nuk po bashkëpunon dhe po tenton t’ia minimizojë kontributin. Në një intervistë për të përditshmen “Epoka e Re”, Pacolli megjithatë ka shprehur “mirëkuptim” për kryeministrin Thaçi, i cili meritën për dy njohjet e fundit të Kosovës ia ka atribuuar diplomacisë kosovare. Këtë deklaratë, Pacolli e ka cilësuar si “produkt i partneritetit të panatyrshëm me LDK-në”. “Këto dy shtete e kanë njohur Kosovën si rezultat i lobimit tim. Duke njohur nga afër kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi, nuk mendoj se ka dashur të thotë atë që është kuptuar në opinion. Kjo ka ardhur si pasojë e presionit të partnerit të koalicionit”,- ka thënë Pacolli. Në këtë intervistë, Pacolli, raportet me Thaçin dhe Haradinajn i ka cilësuar normale dhe kurrsesi raporte për ndonjë interes të caktuar.

Klinton, vizitë treditore në Indi

Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton nisi vizitën e saj treditore në Indi. Para nisjes ajo ka mohuar se do të përpiqet të ushtrojë presion mbi Indinë që të përmirësojë marrëdhëniet me Pakistanin fqinj. Duke folur në Bombej në fillim të vizitës Klinton tha se SHBA-të respektonin të drejtën sovrane të Indisë për të marrë vendimet e veta. Megjithatë, ajo tha se marrëdhëniet më të mira mes vendeve fqinje mund ta ndihmonin Pakistanin që të përqëndronte vëmëndjen në luftën kundër Al Kaedës. Në një opinion të botuar nga e përditshmja vendase, “India Times”, Klinton tha se “ne duhet të inkurajojmë” Pakistanin, teksa përballet me ekstremizmin e dhunshëm. Por gjatë një konference për shtyp ajo u duk se i bëri thirrje të drejtëpërdrejtë Pakistanit që të bënte më shumë. “Qeveria jonë është e angazhuar në luftën kundër terrorizmit dhe ne presim që çdokush, me të cilin kemi marrëdhënie, të parandalojë terrorzimin që të hedh rrënjë në tokën e tyre dhe të sigurohet se terroristët të mos stërviten dhe dislokohen”.

Kongresi amerikan heton shkeljen e ligjit nga “CIA”

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin në SHBA thotë se do të hetojë nëse “CIA” shkeli ligjin duke mos informuar Kongresin për një plan për dislokimin e skuadrave për vrasjen e të dyshuarve si terroristë të Al Kaidës. “CIA” është e detyruar me ligj që të informojë komisione të ndryshme si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve për të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të saj. Kreu i republikanëve në Komisionin e Zbulimit ka akuzuar demokratët se donin ta përdornin hetimin, që ka mundësi të përfshijë një hetim të rolit të ish-nën Presidentit Dik Çeni, për qëllime politike. Me anë të një deklarate, kreu i komisionit të zbulimit Silvestër Reis, një demokrat nga Teksasi tha se hetimi do të ketë si synim të zbulojë nëse komisionet e zbulimit të Kongresit ishin informuar plotësisht dhe në kohë sipas ligjit në disa raportime të CIA-s në Kongres.

Uashingtoni dhe Tokioja forcojnë mbrojtjen nga sulmi bërthamor

Uashingtoni dhe Tokioja kanë rënë dakord që të forcojnë mbrojtjen ekzistuese të Japonisë, për shkak të një sulmi të mundshëm bërthamor nga Koreja e Veriut. Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar japonez. Sipas sistemit në fuqi, që nga koha e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur “mburojën bërthamore” për të mbrojtur Japoninë dhe aleatët e tjerë që nuk kanë armë nukleare nga sulmet e mundshme. Kjo mburojë përbëhet nga armët bërthamore që janë të vendosura në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe raketat balsitike me koka bërthamore dhe nëndetset bërthamore.

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›