E Shtunë, 31 Tetor 2026

Steaua dhe Kopenhagen kundërshtarët e Flamurtarit dhe Tiranës, në rast kualifikimi

Dy skuadrave shqiptare që janë ende në lojë për kalimin e turrit njohin kundërshtarët

Tiranë – As më shumë e as më pak, por Flamurtari në rast të një kualifikimi do të jetë përballë një ekipi të madh si Steaua e Bukureshtit e njohur në arenën ndërkombëtare. Shorti nuk ka rezervua bujari as për Tiranën, e cila nëse kualifikohet do të luajë me Kopenhagen, skuadrën daneze që kanë shkatërruar 6-0 skuadrën malazeze Mogren.
Flamurtari
Pas fitores minimale me Motherwellin, në takimin e parë të turrit të dytë eliminator në Europa League, Flamurtari njeh edhe kundërshtarët e mundshëm. Megjithatë vlonjatëve do t’u nevojiten edhe 90 minuta për të konfirmuar kualifikimin. Motherwell ka humbur ndeshjen e parë me rezultat minimal dhe bazuar edhe në deklarimet e drejtuesve të klubit, skuadra e tyre do ta vlerësojë maksimalisht ndeshjen e kthimit në shtëpi, e madje do të përpiqet ta fitojë atë dhe të kualifikohet. Nga ana tjetër vlonjatët treguan se janë një ekip, edhe pse me futbollistë të rinj, i talentuar dhe do të luftojnë deri në minutën e fundit për një kualifikim, pse jo edhe në shtëpinë e skocezëve. Gjithsesi, skuadrës fituese të çiftit Motherwell-Flamurtari do t’i takojë të luaj, pas shortit me gogla të zhvilluar në Nion me fituesen e çiftit Steaua Bukuresht-Ujpesti. Rumunet shihen si favoritët për vazhdimin e aventurës europiane, pasi fituan 2-0 sfidën e parë me hungarezet e drejtuar nga ish- ndihmëstrajneri i Selltik, Uilli MekStei. Steaua është klubi më i suksesshëm i Rumanisë në aktivitetet kombëtare (23 herë kampione) dhe ndërkombëtare. Në vitin 1986, ata ishin skuadra e parë e Europës Lindore që fitoi Ligen e Kampioneve. Nëse Flamurtari kualifikohet mund të themi se shorti i ka rezervuar një “big” skuadër si Steaua, por nga ana tjetër nuk është treguar bujar me kuqezinjtë, pasi edhe mund të kishin pasur përballë një skuadër të ndonjë niveli më të ulët, megjithëse në këtë raund marrin pjesë shumë ekipe të mëdha, duke filluar nga italianët e Romës, holandezët e PSV Eind’hovenit, izraelitët e Hapoel Tel-Aviv, gjermanët e Hamburg, spanjollët e Atletiko Bilbaos, anglezët e Fulham etj. Historia e Flamurtarit tregon se kjo skuadër di të luaj bukur me ekipe të njohura, por mbase pas një kualifikimi të mundshëm preferencat e këtij klubi mund të ishin për skuadra bullgare, qipriote apo greke.
Tirana e Vllaznia
Skuadra e Tiranës ka njohur kundërshtarët e mundshëm për turrin e tretë eliminator në Ligen e Kampioneve. Pas barazimit 1-1 me norvegjezët e Stabaek, bardheblutë kanë shpresa për një kualifikim të mundshëm. Fituesja e çiftit ku luan kampionia e Shqipërisë, do të përballet me fituesen e FC Kopenhagen-Mogren. Kampionët e Danimarkës e siguruan kalimin që në 90 minutat e para, ku triumfuan 6-0 në sfiden e luajtur “Parken Stadium”.
Vllaznia është pothuajse e skualifikuar nga Liga e Europës. Shkodranët nuk kanë shanse për të përmbysur humbjen 5-0 në sfidën e parë me Rapidin e Vjenës. Sipas shortit, austriakët do të ndeshen në turrin e tretë eliminator me qipriotët e APOP Kiniras Pejias. Ndeshjet do të luhen më 30 korrik dhe 6 gusht, ndërsa vetëm 30 nga 70 skuadrat që do të marrin pjesë në këtë turr janë kualifikuar automatikisht. 35 skuadrat që kualifikohen në turrin e katërt do të luajnë në “play-off” përkrah 41 klubeve të tjera, duke përfshirë këtu Verder Bremen, Benfika, Aston Vila, Ajaks dhe 15 skuadrat që eliminohen nga raundi i tretë i Champions.

Motherwell, kundër përsëritjes së penalltisë nga gjyqtari Shulitz

Trajneri i Motherwellit, Xhim Genon, ka deklaruar se skuadra e tij humbi përballë Flamurtarit vetëm prej gjykimit. Ai ende nuk e kupton perse “bilbili” austriak, Fritz Shulitz, kërkoi përsëritjen e penalltisë se Xhon Saton, tentativa e dytë e të cilit u neutralizua nga talenti i portës vlonjate, Shpëtim Moçka.
Një episod mjaft i rëndësishëm, sepse më pas fituesit e Kupës së Shqipërisë kaluan në avantazh me Stratin dhe siguruan fitoren minimale. Genon tha: “Shpjegimi i gjyqtarit për përsëritjen e penalltisë ishte se një lojtar kundërshtar ndodhej brenda zonës. Edhe pse futbollistet tanë nuk shkelen rregullin, ai anuloi golin dhe vendosi të përsëriste gjuajtjen. Nuk dua ta komentoj më gjatë këtë çështje. Ndoshta ai (arbitri Shulitz) duhet t’i hedhë një sy rregullores”. Edhe pse vlonjatet ishin dukshëm superiore, tekniku i skocezëve beson te kualifikimi: “E humbën ndeshjen në Vlorë, por në sfidën e kthimit do bëjmë të pamundurën që ta përmbysim rezultatin. Me mbështetjen e tifozëve mund t’ia dalim”.

Moto GP, Rossi vendos “diktatin” edhe në Sachsenring

Valentino Rossi ka arritur të regjistrojë kohën më të mirë në provat zyrtare të Sachsenring. Shiu ka lagur pistën gjermane, por kjo nuk e ka ndaluar Rossin t’i rrëmbejë në momentet e fundit vendin e parë shokut të skuadrës, Jorge Lorenzo. Koha e kampionit të botës është 1:32:520, ndërsa spanjolli u rendit i dyti me rreth 1 sekondë më shumë. Podiumi u plotësua me australianin Casey Stoner 1:42:251, ndërsa më pas renditen Hayden, De Angelis, De Puniet, Edwards, Pedrosa, Capirossi, Kallio, Dovizioso, Vermulen, Melandri, Toseland, Canepa, Talmacsi dhe Ellias.

Deklarata, Eto'o shkon te Inter për 10 milionë euro

Janë shumë të rënda kushtet e vendosura nga Samuel Eto'o për të pranuar transferimin e tij te Inter, në operacionin e kryer në merkato për të kaluar Zlatan Ibrahimoviç te Barcelona. Sulmuesi kamerunas, i kërkon klubit zikaltër një përfitim prej 10 milionë eurosh në vit, bëri të ditur spanjollja “As”. Është logjike kërkesa e Eto'o në këtë moment të rëndësishëm kur bëhen edhe transferimet, po mbetet ende për t'u kuptuar nëse presidenti Moratti është gati të pranojë një kërkesë të tillë.

Ançelotti “skërmit dhëmbët”: Asnjë titullar, drejtoj unë nga stoli

Carlo Ançelotti u tregon lojtarëve të Chelsea se është ai që drejton skuadrën nga stoli. Pak ditë pas zyrtarizimit në krye të stolit të bluve, ish milanisti u lëshoi një sinjal të gjithë lojtarëve, duke thënë se askush nuk e ka vendin e sigurt në formacionin bazë pasi të gjithë duhet ta meritojnë atë me punë. “Nuk dua të zgjedh një formacion titullar. Mendoj se Chelsea është një skuadër e madhe pasi ka 25 lojtarë të mëdhenj dhe për mua është e pamundur të zgjedh 11 lojtarë”, - u shprehet Ançelotti në një intervistë për “Daily Star”. Kjo politikë e italianit tek Chelsea është plotësisht e kundërt me atë të Jose Mourinho, gjatë periudhës që drejtonte blutë. Në fund të intervistës, Ançelotti preku edhe çështjen e gjuhës angleze, të cilën po e mëson me ritme shumë të shpejta. “Anglishtja nuk është shumë e lehtë por mendoj se po përmirësohem dita-ditës. Flas gjithmonë anglisht dhe jam përmirësuar në krahasim me disa ditë më parë”, - përfundoi Ançelotti.

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›