Bombë artizanale makinës së konsullit shqiptar në Selanik
SELANIK- Një bombë artizanale është hedhur në makinën e konsullit shqiptar në Selanik Thoma Nini dhe fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima. Makina ka qenë e parkuar pranë vendit ku banon konsulli me familjen e tij. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm, saqë banorët e zonës përreth janë tronditur dhe menjëherë kanë lajmëryuar zjarfikëset. Nga makina e tij tip Audi nuk kishte mbetur asgjë, ndërsa sipas policisë greke bëhet fjalë për një vepër të kryer nga disa grupe anarkiste që veprojnë në zonën e Selanikut. Por deri në orët e vona të ditës së djeshme policia helene nuk ka bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Ngjarja
Rreth orës 3 e 30 të mëngjesit të së premtes, pas një shpërthimi të fuqishëm, ka marrë zjarr makina e konsullit të Shqipërisë në Selanik, Thoma Nini. Automjeti tip “Audi” me targë diplomatike 54-23 ka qenë i parkuar në oborrin e pallatit ku jeton konsulli, në rrugën “Anagjeniseos” numër 9, në lagjen periferike, Pilea të Selanikut.
Në vendngjarje kanë shkuar dy zjarrfikëse me 7 punonjës që kanë fikur zjarrin dhe një ekip policisë, i cili ka raportuar më pas në orët e mesditës, se poshtë makinës ishte vendosur një bombë artizanale me bombola gazi dhe lëndë eksplozive.
Vlerësimi i organeve të rendit që po kryen veprimet hetimore për të zbardhur autorët e ngjarjes, është se bëhet fjalë për një akt terrorist, vepër e grupeve anarkiste që veprojnë në Selanik. Është karakteristik fakti që edhe në të kaluarën, në një periudhë kohore prej tre vjetësh, janë regjistruar katër akte të njëjta ndaj automjetit të konsullit shqiptar, dy herë në parkingun e pallatit të shtëpisë së tij dhe dy herë në vendparkingun pranë ndërtesës së konsullatës në qendër të qytetit, duke mos përmendur edhe djegien në vitin e kaluar, të makinës së oficerit të policisë së kësaj konsullate.
Deklarata
Ambasadori shqiptar në Greqi Dashnor Dervishi deklaroi se fatmirësisht nga zjarri nuk ka pasur të lënduar vetëm dëme materiale. “Kam kontaktuar me konsullin shqiptar me të marrë njoftimin. Dyshohet për akt terrorist të anarkistëve”- deklaroi zoti Dervishi.
“Nuk është hera parë që ndodh djegia e makinave tona. Brenda dy vitesh ky është rasti i tretë”- sqaroi më tej Dervishi. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për të zbardhur autorët e ngjarjes.