Mbetjet urbane, takim ndërinstitucional në Elbasan
ELBASAN- Çështja e mbetjeve urbane dhe e landfillit të ri të grumbullimit e të përpunimit të plehrave ka qenë objekt i një takimi ndërinstitucional të zhvilluar në qytetin e Elbasanit. Pjesë e kësaj tryeze ka qenë Ministria e Punëve Publike, prefektura, qarku dhe bashkia Elbasan, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe aktorë të tjerë. Në fjalën e marrë zv. ministri Ernest Noka theksoi fazën e re në të cilën ndodhet procesi i administrimit të mbetjeve urbane në qarkun e Elbasanit, veçanërisht pas projektit të ndërtimit të rrugës Elbasan-Tiranë me tunel. Duke marrë fjalën me këtë rast, z. Noka u shpreh se “ tashmë del e domosdoshme që të merren në konsideratë edhe projektet madhore për qarkun e Elbasanit, siç është ai i rrugës Elbasan-Tiranë me tunel, pasi shumë shpejt Elbasani do të jetë pjesë e metropolit dhe nevojitet që projektet për mbetjet urbane e landfillinin të marrin në konsideratë rritjen e numrit të popullsisë”. Veç kësaj, zv. ministri theksoi faktin se është mirë që në projektin për landfillin e ri të merret në konsideratë edhe fakti se në perspektivë është menduar që landfillet të mos jenë funksionale vetëm për qytete të veçanta, por për disa bashki e madje për një rajon të caktuar. “Sipas projektligjit të ri, është vendosur që për periudhën në vazhdim landfillet të administrohen nga qarku, në mënyrë që të realizohen zgjidhje sa më bashkëkohore e afatgjatë në përpunimin e plehrave”. Sa i përket rastit të Elbasanit, ai nënvizoi se landifili i këtij qyteti është prioritet i qeverisë për vitet në vazhdim. Për këtë ai u ka kërkuar njësive vendore, përfshi edhe bashkisë së Elbasanit, që të jenë pjesë e projekteve dhe të gjendet një zgjidhje sa më e mirë. Për rastin e Elbasanit, deri më tani kanë ekzistuar 2 variante për ndërtimin e fushës së re të plehrave. Bashkia e Elbasanit ka propozuar dampën e Kombinatin Energjetik në metalurgji, e cila ndodhet buzë lumit Shkumbin. Sipas ekspertëve të bashkisë, kjo dampë plotëson të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe është projektuar një model bashkëkohor për trajtimin e plehrave, pa shkaktuar ndotje të mjedisit dhe lumit Shkumbin. Por ky projekt është hedhur poshtë nga Këshilli i Qarkut, i cili prej disa kohësh ka projektuar që si landfill për Elbasanit të shërbejë dampa e metalurgjisë në fshatin Papërr. Këshilli i Qarkut ka argumentuar se ky projekt ka përparësi, pasi është 6-7 km larg qytetit dhe nuk sjell ndotje të ambientit, mund të shfrytëzohet deri në 100 vjet dhe siguron grumbullimin dhe përpunimin e përqendruar të plehrave në shkallë prefekture. F.S.