E Diel, 1 Nëntor 2026

Holokausti, ambasadori izraelit nderon 63 familje shqiptare

Me rastin e ditës homazh të Holokaustit, 27 janarit, Universiteti i Elbasanit në bashkëpunim me konsullatën e Izraelit në Tiranë organizuan konferencën “Holokausti dhe Shqiptarët një ditë për t’u pyetur”. Shqipëria është bashkëthemeluese e Forumit Ndërkombëtar të Holokaustit, që u mbajt në vitin 2000, në të cilin u vendos që të caktohet 27 janari si ditë homazh për nder të 7 milionë hebrejve të viktimizuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Studiues shqiptarë bashkëpunuan për të hartuar ligjin për Ditën e Kujtesës, i cili u miratua në vitin 2004. Në këtë takim ka qenë i pranishëm ambasadori i Izraelit në vendin tonë, David Hohen, i cili, pasi ka vlerësuar kontributin e paçmuar të popullit shqiptar, u shpreh se për shpëtimin e hebrejve rezidentë e jo rezidentë në Shqipëri, muzeu në Izrael u ka dhënë 63 familjeve shqiptare titullin “Fisnikë mes Kombeve” dhe Shqipërinë si “Kombin më të Drejtë”. Në këtë konferencë mbajtën kumtesa prof. dr. Liman Varoshi, rektor i universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit; prof Roland Gjini, përfaqësues të familjeve që mbrojtën hebrejtë në Elbasan, si Kujtim Hazbiu, Elida Biçaku, familje e cila strehoi 26 hebrenj. Historiani Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën

“Hebrejtë në hapësirën shqiptare pas inkuizicionit”, ndërsa prof. Shaban Sinani kumtesën “Të dhëna të reja për një projekt ndërkombëtar të shpëtimit të hebrejve në Shqipëri”. Në këtë konferencë u paraqitën foto dhe dokumente nga Arkivi i shtetit, me emrat e hebrejve që nuk iu dorëzuan gjermanëve. Në fjalën e tij prof. Shaban Sinani theksoi faktin se në vitet ‘30 ka ekzistuar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe mbretit Zog që vendi ynë të ishte si një “atdhe i dytë”, një “Palestinë” për hebrejtë. Kështu, deri para pushtimit fashist, në Elbasan erdhën e jetuan mjaft hebrej, të cilët u vendosën në qytete të tilla, si në Elbasan, Vlorë, Durrës, Kavajë etj. Më herët, ambasadori izraelit zhvilloi një takim në bashkinë e Elbasanit, ku u njoh nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, me historinë e hebrejve në Elbasan, me ekzistencën e sinagogave dhe mjaft objekteve që janë zbuluar e që flasin për një komunitet të madh të tyre në këtë trevë që në lashtësi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrejsh. Mes familjeve që strehuan hebrej përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri etj. Banori i lagjes Kala, Vangjel Kapedani, shprehet se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan rreth 30 familje hebrenjsh. Banorët e lagjes Kala panë te hebrejtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Fatos Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›