E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga 34-vjeçarit, plagosi bashkëmoshatarin

LEZHË Pas një muaj kërkimesh intensive, Policia e Lezhës ka mundur të arrestojë Hilë Jakun, 34 vjeç, nga fshati Dajç i rrethit Lezhë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, arrestimi i tij është bërë për arsye se, në dhjetor të vitit të kaluar, në fshatin Dajç të rrethit Lezhë, ka qëlluar me thike duke i shkaktuar plagë të lehta shtetasit, L.Gazulli, 34 vjeç, banues në fshatin Dajç të rrethit Lezhë. Burime zyrtare të Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal në qendër të fshatit Dajç. Dy bashkëmoshatarët kanë qenë duke pirë në një tavolinë me njëri-tjetrin, kur ka nisur edhe sherri mes tyre. Sipas policisë, grindja ka nisur për motive banale, pasi të rinjtë kanë qenë nën efektet e alkoolit. Pas përplasjes me grushte, Jaku ka nxjerrë thikën duke qëlluar më pas në trup Gazullin, i cili ka mbetur i plagosur. Pas plagosjes 34-vjeçari, Gazulli ka përfunduar në spitalin rajonal të Lezhës ku edhe ka marrë mjekimin e nevojshëm, ndërsa Policia e Lezhës ka nisur hetimet për ngjarjen, duke shpallur në kërkim Hilë Jakun, të cilin e kanë arrestuar dje rreth orës 20:00 pas një kontrolli të befasishëm në banesën e tij. Ndaj Hilë Jakut, policia ka ngritur akuzën për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›