Plagosja e Prendit, ekspertiza mbërrin në Prokurori
Në mungesë të marrjes në pyetje të gardistëve, grupi hetimor ka marrë në duar ekspertizat mjeko-ligjore, për të plagosurit në radhët e gardës
Tiranë Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi rezulton të jetë nga gardistët e plagosur gjatë demonstratës së dhunshme, më 21 janar, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Dje, Prokuroria ka marrë në dorë disa nga ekspertizat mjeko-ligjore të gardistëve të plagosur, një prej të cilave rezulton të jetë edhe për komandantin e gardës, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër ndalimi nga Prokuroria e Tiranës. Sipas raportit të përpiluar nga ekspertët, rezulton se komandanti i gardës ka pësuar dëmtime në pjesën përreth syrit të djathtë, të cilat janë shkaktuar si pasojë e goditjes me sende të forta në drejtim të tij. Si pasojë e goditjes, që mund të ketë ardhur nga demonstruesit, i cili ka shkaktuar hematomë në syrin e djathtë të Komandantit të Gardës, duke krijuar nxirje përreth tij. Ky fakt u konfirmua zyrtarisht edhe nga vetë komandanti i Gardës, i cili u shfaq në media me dëmtime përreth syrit të djathtë, e cila sipas mjekëve është një hematomë e shkaktuar si pasojë e goditjes me sende të forta. Prokuroria thotë se Komandanti i Gardës është vetëm një nga të plagosurit, pasi ende nuk ka përfunduar identifikimi i plotë i tyre, çka tregon se gjithë gardistët e plagosur kanë qenë të planifikuar me shërbim përreth Kryeministrisë ditën e demonstratës. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thonë se momentalisht është e pamundur marrja e dëshmive të gardistëve, pasi asnjë prej tyre nuk është paraqitur në spital për t’u mjekuar, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e Gardës dhe Kryeministrisë, ku mbahen një pjesë e gardistëve të plagosur. Prokuroria thotë se pyetja e tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme, pasi të ekzekutohen urdhër-ndalimet, nga të cilat konfirmon se nuk do të tërhiqet për asnjë arsye. Deri tani numërohen mbi 50 gardistë të plagosur me sende të forta, por kjo shifër nuk është zyrtare, pasi nuk ka përfunduar identifikimi i plotë i tyre, për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes kësaj strukture dhe Prokurorisë shqiptare, që po heton aktualisht mbi atë që ndodhi më 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. L.Bakillari