Verilindja dhe Juglindja nën pushtetin e dëborës
Edhe pse me vonesë, dimri është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Këto ditë fundjanari na kanë kujtuar se kjo stinë nuk më mund të largohej pa u vënë re. Kështu në zonën e Tropojës, Hasit, Kukësit, Peshkopisë, Burrelit, Bulqizës prej dy ditësh ka shtruar dëbora dhe nuk është ndalur për asnjë çast, duke sjellë probleme në qarkullimin e makinave. Dëborëpastrueset janë në punë gjatë 24 orëve, por numri i vogël i tyre, sasia e pakët e skorjeve dhe kripës për rrugët, si dhe sasia e madhe e reshjeve kanë izoluar prej ditësh komuna të tëra. Por edhe mes qyteteve lëvizja është problematike. Bllokimet e rrugës janë bërë të shpeshta. Trashësia e dëborës është rritur mbi 50 centimetra, por për banorët dhe veçanërisht udhëtarët është krijuar një situatë e vështirë për shkak të reshjeve, izolimit dhe stuhive të dëborës. Në hyrjen e tunelit të Kalimashit, në autostradën e re, është punuar vazhdimisht për largimin e dëborës dhe kalimi është i hapur, por problematike mbetet lëvizja për shkak të akullit në shtratin e rrugës.
Në qarkun e Kukësit janë dhjetëra komuna që s’kanë asnjë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të vendit, ndërsa shkollat kanë pezulluar mësimin. Bllokime komunash ka edhe në qarkun e Dibrës dhe të Elbasanit, veçanërisht në zonat malore, ku ka një trashësi të madhe dëbore. Probleme me akullin janë shfaqur edhe në disa rrugë nacionale në drejtim të juglindjes dhe veçanërisht në Korçë dhe në Kolonjë. Situata e rrugëve
Qarkullimi i mjeteve në pjesën më të madhe të vendit, si rezultat i reshjeve të shumta të dëborës, paraqitet me probleme. Sipas Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, akset rrugore në zonat verilindore dhe juglindore paraqesin edhe vështirësitë më të mëdha për qarkullimin e mjeteve për shkak të ngricave.
Në akset rrugore Shkodër - Pukë - Fushë Arrëz, Fushë - Arrëz - Qafë Mali-Fierzë, Qafë Mali - Qafë Shllak, Qafë Benë - Fushë Arrëz Koplik - Bogë, Kukës - Morinë, Kukës - Draj Reç: Qarkullimi kryhet me zinxhirë dhe me vështirësi nga Domaj deri në Draj, Kukës - Qafë Shllak Kukës - Krumë, Kukës - Shishtavec, Fierzë - B. Curri - Morinë, B. Curri - Krumë, Kam - Krumë qarkullimi i mjeteve është i lejueshëm vetëm me zinxhirë.
Po kështu sipas MPPT-së, në aksin rrugor Skuraj-Burrel-Bulqizë-Peshkopi, rruga është e bllokuar në Qafë - Bualli, Unaza e Bulqizës dhe Ura e Qytetit. Qarkullimi kryhet me zinxhirë nga Qafë Dushk - Qafë Bualli - Ura e Qytetit. Në aksin rrugor Peshkopi - Qafë Drajë qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë. Aksi rrugor Qafë Bualli - Krastë është i bllokuar, por MPPT njofton se po punohet për normalizimin e situatës. Aksi Ura Cerenecit - Stëblevë deri në Qafë Dragalicë qarkullimi kryhet me zinxhirë, pjesa në vazhdim është e bllokuar, ndërsa punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve po punojnë për hapjen përfundimtare. Në qarkun e Korçës është punuar gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve, duke siguruar një qarkullim pa probleme. Në aksin Korçë - Boboshticë - Dardhë qarkullimi kryhet me zinxhirë, ndërsa në 9 km i fundit është i bllokuar. Në aksin rrugor Librazhd - Stëblevë lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë nga Luniku në Stëblevë, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës. Në segmentin rrugor Trau Dajt - Martanesh qarkullimi kryet me zinxhirë nga Qafë Priska - Martanesh, ndërsa vazhdon puna për shpërndarjen e kripës. Në qarkun e Fierit sipas MPPT-së, në fund të superstradës Lushnjë - Fier ka rritje të nivelit të ujit mbi rrugë, që vështirëson qarkullimin e mjeteve të vogla, dhe lëvizja e tyre po bëhet nga rruga e vjetër.