Bombë kundër konformizmit
Ashtu si shumë të tjerë, kam pyetur se ç’është bota, përse ekziston diçka në vend të hiçit. Por, nëse e pranojmë ekzistencën, na shfaqet një problem tjetër: nëse gjithçka ekziston, nëse nuk mund ta eliminojmë ekzistencën e qenies, përse atëherë ekziston e keqja? Dhe tërë kohën kam luftuar kundër kësaj së keqeje, megjithëse për moshën time tetëdhjetedyvjeçare jam i lodhur, vazhdoj të luftoj. Si ka mundësi që njerëzit kanë bombarduar qytetin më të bukur në botë, Dubrovnikun?..
Ka qenë një kërkesë e zjarrtë për t’u shprehur, një kërkesë absurde për të treguar se çfarë kam pasur në shpirt, për të thënë fjalën time kundër politikës dhe politikanëve, sepse politika, siç po zbatohet, është dominim, luftë për pushtet. Ndërkohë që ka kaq shumë gjëra, me të cilat mund të merren politikanët: ata duhet të mendojnë për rrezikun e madh që i kanoset planetit nga pakësimi i ozonit dhe ndotja e atmosferës. Por ata nuk merren me këto probleme serioze, me jetesën e njerëzve; ata merren me problemet e tyre të vogla dhe me afera politike.
Siç e dini, “Rinoceronti” u vu në skenë edhe në Paris. Ndërkohë, disa njerëz “u kujtuan” e thanë: ndoshta kjo nuk është “Garda e hekurt”, ndoshta këta nuk janë vetëm nazistë, mundet që këta të jenë komunistë! Dhe, me të vërtetë, ata ishin komunistë. Kur pjesa u luajt, në fillim u prit shumë mirë, përderisa pa dyshim, mendohej se flitej për nazistët, por kur “u kujtuan” se ndoshta ata mund të ishin komunistë, unë dhe pjesa teatrale e pësuam. Në atë kohë, intelektualët francezë kishin simpati të madhe për komunistët, meqenëse edhe vetë ishin majtistë, siç quheshin atëherë.
Ndërkohë, pjesa ime teatrale, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ishte bombë kundër kjonformizmit, por ai do të ekzistojë në të gjitha kohët. Njeriu duhet të jetë i fortë që t’i kundërvihet konformizmit. Njerëzit mesatarë, politikanët dhe të ngjashmit me ta, i nënshtrohen shumë atij, sepse në atë fjalë ekziston fjala konform, pra stanjacion, që asgjë të mos ndryshojë. Shumica e njerëzve janë inertë, prandaj janë të paktë në numër ata që i tërheqin përpara e që duan ndryshim dhe progres. Tashmë konformizmi është bërë demokratik.
Eugène IONESCO
Edhe për mua... është një enigmë; është thjesht një mrekulli që deri më sot nuk ka ekzistuar. Por tanimë këto pjesë vihen në skenë gati në të gjithë botën. Mund t’ju them vetëm se ky fakt tejkalon atë, që një shkrimtar shpreson të arrijë.
“Këngëtarja tullace”, gjithashtu, është një kritikë ndaj borgjezisë së vogël, kritikë ndaj të folurit mikroborgjez dhe konvencionit në teatër. Të folurit në të nuk ekziston, ai është i konsumuar, i copëzuar në pjesë të vogla e të palidhura. Këtë e kam bërë me qëllim për të treguar anën e tij komike. Pjesën në fjalë e kam shkruar me shumë kënaqësi.
“Këngëtarja tullace” është habia ime para njerëzve dhe para ekzistencës. Kjo pjesë nuk u kuptua, flitej për të se është parodi, alegori, kur në fakt ajo është absurdi i qëndrimit njerëzor e më pas habia ime, kur shoh se njerëzit lëvizin, jetojnë. Pra, habi para ekzistencës. Ashtu si shumë të tjerë, kam pyetur se ç’është bota, përse ekziston diçka në vend të hiçit. Por, nëse e pranojmë ekzistencën, na shfaqet një problem tjetër: nëse gjithçka ekziston, nëse nuk mund ta eliminojmë ekzistencën e qenies, përse atëherë ekziston e keqja? Dhe tërë kohën kam luftuar kundër kësaj së keqeje, megjithëse për moshën time tetëdhjetedyvjeçare jam i lodhur, vazhdoj të luftoj. Si ka mundësi që njerëzit kanë bombarduar qytetin më të bukur në botë, Dubrovnikun?..
Po, në dramën time të fundit vështirësitë në të folur nuk janë më komike, por dramatike. Kjo vihet re te pjesa “Udhëtim te të vdekurit”, ku nga fundi është futur një monolog, që e bën një artist me fjalë të sajuara dhe e shpreh në mënyrë tragjike. Kjo do të thotë se e kam filluar me të folurit komik, për ta përfunduar me atë dramatik.
Po, në fillim ai ishte një antiteatër, si reaksion ndaj teatrit ekzistues, i cili nuk më pëlqente dhe pjesëve të para u kam vënë emra si ato të komedive dramatike apo dramave komike. E ndërsa “Leksioni” zhvillohet pa ndërprerje, si një dramë me dyer të mbyllura, te “Rinoceronti” tashmë krijohen disa skena karakteristike, si ndarjet në akte, shfaqet një hapësirë e paparë dhe zhurmojnë pyje të ndryshme.
Shërbëtoret janë tepër autoritare. Kjo ndodh te “Këngëtarja tullace”, ndërsa te pjesa “Leksioni” kemi një loj guvernanteje që është si një nënë, kurse profesori është si fëmijë që në fillim hutohet pakëz. Më pas, gjithnjë e më tepër fiton siguri dhe nuk dëgjon më askënd. Ai humbet në detin e fjalëve, bie në kllapi, tiranizon nxënësen, e cila në fillim duket e shkujdesur dhe lajthitja shtohet më tepër, gjersa kalon në krim. Pra, kjo është parodia e të folurit, e cila përfundon në një lloj vrasjeje erotike. Në pjesët e tjera të folurit nuk është më zbavitës, si te “Magbethi”.
Kjo ka ndodhur sepse është i zbrazët, madje të folurit mund të jetë edhe asgjësues. E shkrova pjesën “Magbethi”, sepse atij që duhet t’ia marrë hakun mbretit Dunkan, mbreti i ardhshëm i përsëriste: “Do të bëhem kriminel, do të bëhem kriminel!”, ndërsa më tej i thotë: “Mos kini frikë se nuk është e vërtetë.” Unë kam thënë të kundërtën, pra, se kjo është e vërtetë, se pushteti është i keq dhe se e keqja do të keqësojë gjithçka. Gjithashtu, mendoj se kjo është mjaft aktuale, bazuar në atë që po ndodh në botë.
* * *
Ka qenë një kërkesë e zjarrtë për t’u shprehur, një kërkesë absurde për të treguar se çfarë kam pasur në shpirt, për të thënë fjalën time kundër politikës dhe politikanëve, sepse politika, siç po zbatohet, është dominim, luftë për pushtet. Ndërkohë që ka kaq shumë gjëra, me të cilat mund të merren politikanët: ata duhet të mendojnë për rrezikun e madh që i kanoset planetit nga pakësimi i ozonit dhe ndotja e atmosferës. Por ata nuk merren me këto probleme serioze, me jetesën e njerëzve; ata merren me problemet e tyre të vogla dhe me afera politike.
“Rinoceronti”, në një pjesë të madhe të tij, është rrëfimi im, historia ime personale. Këtë pjesë e kam shkruar në kohën kur bënte ligjin “Garda e hekurt” në Rumani. Dhe ne që kundërshtuam çmendurinë fashiste në tërësi e që aspironim për demokraci, ishim shumë, shumë pak. Kaq pak ishim, sa pyesnim vetën nëse kishim apo jo të drejtë dhe nëse ishte e mundur që një njeri i vetëm t’i kundërvihej shumicës. Unë gati sa nuk iu nënshtrova sëmundjes së totalitarizmit. Kaq shumë trembesha se nuk do të isha në gjendje ta kundërshtoja, saqë erdha në Paris. Me fjalë të tjera, u arratisa nga ajo fatkeqësi, vetëm që të mos më infektonte. Nuk iu nënshtrova asaj, prandaj dhe nuk u ktheva më në Rumani.
* * *
Siç e dini, “Rinoceronti” u vu në skenë edhe në Paris. Ndërkohë, disa njerëz “u kujtuan” e thanë: ndoshta kjo nuk është “Garda e hekurt”, ndoshta këta nuk janë vetëm nazistë, mundet që këta të jenë komunistë! Dhe, me të vërtetë, ata ishin komunistë. Kur pjesa u luajt, në fillim u prit shumë mirë, përderisa pa dyshim, mendohej se flitej për nazistët, por kur “u kujtuan” se ndoshta ata mund të ishin komunistë, unë dhe pjesa teatrale e pësuam. Në atë kohë, intelektualët francezë kishin simpati të madhe për komunistët, meqenëse edhe vetë ishin majtistë, siç quheshin atëherë. Që nga ai moment pjesa nuk u pëlqeu, prandaj si unë, si drama u goditëm ashpërsisht. Por tani, kur të gjithë e deklarojnë veten antikomunistë, pjesa ka shumë sukses.
Ajo nuk përmban vetëm kritikë kundër nazistëve e komunistëve, por edhe kritikë kundër intelektualëve që përhapin ide histerike e ide totalitare në tërësi. Për shkak të ideve të mia, në fillim kam qenë i vetëm dhe i izoluar në Rumani. Më pas, kur mbërrita në Francë, kam takuar njerëz që kishin të njëjtat ide. Por në periudhën kur njerëzit e donin Stalinin e Mao Ce Dunin, edhe në Francë isha tepër i vetmuar dhe i sulmuar për shkak të “Rinocerontit”. Por kjo pjesë u luajt në shumë vende, ka të ngjarë, në të gjithë botën. Gjatë periudhës së Frankos, në Spanjë, rinocerontë konsideroheshin komunistët, ndërsa në Argjentinë peronistët. Secili e përshtaste pjesën sipas kushteve, që i përgjigjeshin situatës e konceptimeve të momentit. Kur pjesën e pashë në Austri, iu drejtova intelektualëve të rinj: “Ju nuk keni provuar as komunizmin e as fashizmin, ç’përfaqëson për ju “Rinoceronti”? Ata më thanë se ishte në modë, dhe me të vërtetë ashtu ishte, ata kishin të drejtë, sepse moda është e shumëllojshme, duke filluar që nga letërsia e deri te mënyra e të veshurit dhe, në fakt, moda është konformizëm. Ndërkohë, pjesa ime teatrale, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ishte bombë kundër kjonformizmit, por ai do të ekzistojë në të gjitha kohët.
* * *
Njeriu duhet të jetë i fortë që t’i kundërvihet konformizmit. Njerëzit mesatarë, politikanët dhe të ngjashmit me ta, i nënshtrohen shumë atij, sepse në atë fjalë ekziston fjala konform, pra stanjacion, që asgjë të mos ndryshojë. Shumica e njerëzve janë inertë, prandaj janë të paktë në numër ata që i tërheqin përpara e që duan ndryshim dhe progres. Tashmë konformizmi është bërë demokratik.
“Karriget” simbolizojnë njerëzit. Ky është rrëfimi mbi pleqërinë. “Karriget” janë miqtë e padukshëm, ndjesia e hiçit, e zbrazëtisë, kurse drita që bie në sy e që përfaqëson mbretin, është Perëndia që mbase do të vijë, që po e presin. Kjo është një pjesë me ambicie metafizike. Vepra ime është gjysmë spontane dhe gjysmë e ndriçuar. Për shembull, “Këngëtarja tullace” ka shumë elemente të vetëdijshme, si parodi, lojë fjalësh etj., por përmes gjithë kësaj depërton njëfarë presioni, që nuk dihet nga vjen dhe ajo që vërteton se nuk është plotësisht punë e ndërgjegjshme, është fakti se as vetë nuk e di se çfarë do të vijë.
...Humor kemi atëherë, kur njeriu qesh me fatkeqësinë e vet, ndërsa aspekt komik kemi kur njerëzit ose personazhet në pjesën teatrale gjenden në situata të pakëndshme a të papritura. Humori transmeton mbresat e humoristit se gjithçka është lajthitje, qesharake dhe se që nga lindja jemi në një situatë të pashpjegueshme. Përmes humorit ne ndiejmë dashuri e dhimbje. Teatër kemi kur njeriu i përgatit vetes spektaklin. Mbase ai është zbulim i diçkaje që më parë ka qenë e fshehur. Teatri është diçka e papritur që tregohet, është befasi. Por ai nuk duhet të jetë ilustrim i diçkaje që nuk është treguar, përkundrazi, është një hulumtim. Atë e përbëjnë një mori gjendjesh e situatash, që lëvizin drejt një dendësimi gjithnjë e më të madh. Teatri është përfshirja e realiteteve të panjohura, për të cilat edhe vetë autori nuk është i vetëdijshëm në çastin që fillon punën. Por çdo shkrim është i vetëdijshëm dhe karakteristika kryesore e një vepre artistike është që ta bëjë të vetëdijshme të pavetëdijshmen. Disa kritkë kanë nënvizuar se teatri im është vajtim i një njeriu të vetmuar, i cili nuk mund të komunikojë me të tjerët. Por kjo nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi, komunikimi është i lehtë. Sot njeriu asnjëherë nuk është i vetmuar, madje edhe kur është fatkeq, kjo ndodh sepse ai kurrë nuk është i vetëm. Unë jam për vetminë. Në teatrin tim njerëzit flasin, merren vesh mes tyre e kjo është ajo që të habit, prandaj shkruaj pjesë teatrale që të shpreh këtë habi, këtë trullosje. Kjo ndodh për shkak se e pazakonshmja për mua gjendet kudo: në të folur, në lëvizjet kur marrim gotën dhe e pimë menjëherë atë që ndodhet brenda, pra, tek ekzistenca e qenia. Përderisa tashmë kemi pranuar se ekzistojmë, atëherë komunikojmë dhe asgjë nuk duket më as e habitshme, as absurde. Por nëse dalim prej saj, atëherë nuk komunikojmë më. Për mua, sigurisht edhe për ju, nganjëherë ekzistenca është e padurueshme, e rëndë e trullosëse, ndërsa herë-herë më duket si manifestim hyjnor, plot dritë. Teatri nuk duhet të jetë filozofi, por meqë poezia është filozofi, edhe teatri, indirekt, deri diku është filozofi. Sapo bëhet pyetja: “ǒështë kjo?”, kemi të bëjmë me filozofi. Edhe vetë teatri bën pyetje të tilla, prandaj deri në njëfarë mase gjithçka është filozofi. Arti është filozofi për aq sa filozofia është hulumtim, problem, çështje, qëndrim. Ndërkohë, ideologjia është një sistem i mbyllur që jep shpjegime “klishe”, kurse absurd unë quaj pafuqishmërinë time para misterit, absurdi është mungesë logjike, lajthitje. (Ky tekst është marrë nga bashkëbisedimi që autori ka bërë me Branca Bogavac.)
Përktheu Nikolla Sudar
11 Gusht 2008