E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parrullat e shkruara me bojë

Tri ese

Ka një mijë e një mënyra për ta zbukuruar qytetin në mënyrë domethënëse edhe për festat fetare, por jo me sllogane të stilit komunist, të cilat në rastin më të mirë e bëjnë qesharake atmosferën festive. Kur tekstet shkruhen edhe me gabime të tmerrshme, atëherë terrorizmi psikologjik i parrullave bëhet i plotë. Një mësues skrupuloz i gjuhës shqipe nuk doli në shëtitore gjatë gjithë javës që shkoi, sepse nuk mund të shëtiste në shëtitoren “Republika”, ku qe varur një parrullë masive e shkruar me gabime drejtshkrimore. Doli nga shtëpia vetëm një javë pasi personaliteti i nderuar kishte ikur dhe parrulla u hoq.

Yzedin HIMA

Parrullat janë të pranishme në jetën tonë të përditshme, duke na e mpirë mendimin, duke na terrorizuar individualitetin.
Del qytetari në shëtitoren kryesore të qytetit dhe përballet me një parrullë të madhe, ku ai urdhërohet të jetë i gëzuar: “Gëzuar 7 Marsin!”, “Gëzuar 8 Marsin!” etj. Parrullat shkruhen në beze me bojë të kuqe dhe, të shoqëruar edhe me flamuj të kuq, krijojnë një mjedis “festiv” provokativ për shumicën e qytetarëve, aq më tepër kur festat kanë mbaruar, kurse parrullat mbeten.
Qyteti i Beratit, piktoresk nga natyra e dora njerëzore, në ditë festash i stolisur me gjithfarë xhinglash të vjetra dhe të kuqe, i ngjet gomarit të arixhiut në ditë pazari. Kështu thonë disa. Mungon finesa e një dekori që të pasqyrojë kulturën e ketij qyteti, kulturën e banorëve të tij, ndonëse ka një traditë të bukur nga e kaluara e largët, kur në ditë festash nga dritaret e Mangalemit dhe të Goricës qytetarët shpalosnin flamurin kombëtar.
Ky fakt flet shumë. Bie fjala, në fillim të viteve ’30, qytetarët nuk i urdhëronte askush të ishin të gëzuar, të ishin të lumtur. Ata në mënyrë të pavarur, individualisht, shprehnin nderimin për Ditën e Flamurit apo për ditë të tjera të shënuara.
Që prej 60 vjetësh e sot e gjithë ditën, qytetarët duhet të gëzojnë në mënyrë kolektive. Pas rënies së diktaturës, disa parrulla, tipike për stilin komunist, po përdoren edhe në ditët e festave fetare. Në këto ditë shëtitoren e presin parrulla të tilla që, siç tregojnë të moçmit, nuk kanë qënë traditë në qytet: “Gëzuar Bajramin !“, “Gëzuar Pashkët!”, “Gëzuar Ditën e Nevruzit!”.
Ka një mijë e një mënyra për ta zbukuruar qytetin në mënyrë domethënëse edhe për festat fetare, por jo me sllogane të stilit komunist, të cilat në rastin më të mirë e bëjnë qesharake atmosferën festive.
Por ka edhe më. Në ditë të shënuara, Berati “zbukurohet” me parrulla krejt pa kuptim, thuajse qesharake, si “Rroftë 1 Maji!”, “Rroftë 5 Maji!”, “Rroftë 60-vjetori i Çlirimit!” Nuk mund ta kuptoj se çfarë do të thotë “Rroftë 5 Maji!”, ndërkohë që fare mirë e di se për këtë ditë mund të përdorej normalisht fjalia: “Nderim dëshmorëve!” Edhe më pa kuptim është parrulla “Rroftë 60-vjetori i Çlirimit!”.
Kur tekstet shkruhen edhe me gabime të tmerrshme, atëherë terrorizmi psikologjik i parrullave bëhet i plotë. Një mësues skrupuloz i gjuhës shqipe nuk doli në shëtitore gjatë gjithë javës që shkoi, sepse nuk mund të shëtiste në shëtitoren “Republika”, ku qe varur një parrullë masive e shkruar me gabime drejtshkrimore. Doli nga shtëpia vetëm një javë pasi personaliteti i nderuar kishte ikur dhe parrulla u hoq.
Ne synojmë t’i bashkohemi pjesës së qytetëruar të Europës, ku banorët që kanë respekt për veten dhe të tjerët, i kanë përsosur shijet individuale, madje jetojnë vërtet estetikisht.

Qytetari i rrethuar
Tabloja shihet açik gjatë këtij tranzicioni të gjatë. Por a do të vazhdojë kështu? Kjo është sfida e institucioneve të sotme, është sfida e qeverisjes së sotme. Duhet shpëtuar nga rrethimi qytetari shqiptar, në mënyrë që kur të shkojë te mjeku i shërbimit publik të nxjerrë nga xhepi vetëm librezën e sigurimit shëndetësor; kur të shkojë te shitoret, të mos ketë frikë se po blen ushqime të skaduara, sepse dikush nga institucioni përkatës i ka kontrolluar; kur të shkojë në universitet, duhet të mendohet mirë se e vetmja rrugë për të marrë provimet dhe diplomën është studimi; kur të trokasë në portat e shtetit, ta dijë mirë se do të përfitojë atë që i takon me ligj, pa future dorën në xhep, etj. etj. Kur institucionet euroatlantike kërkojnë me këmbëngulje funksionimin normal të institucioneve demokratike, ata dëshirojnë pikërisht të shpëtojnë qytetarin shqiptar nga rrethimi dhe ta integrojnë atë në radhët e qytetarëve të lirë të Europës.

Qytetari shqiptar, pasi u shpëtua nga rrethimi që i kishte përgatitur vetes gjatë dhjetra viteve, u gjend sërish i rrethuar nga mbetjet inerte të rënies së Murit të Berlinit dhe mureve të tjerë historiko-kulturorë, siç janë: diferencat e mëdha ekonomike, diferencat e mëdha në funksionimin shoqëror, diferencat e mëdha në mentalitet, në kulturë, në edukim etj., krijuar gjatë dekadave e dekadave.
Natyrisht, këto vite tranzicioni kanë qënë vite përpjekjesh për ta nxjerrë qytetarin shqiptar nga rrathët që e shtrëngonin, rrathë të ferrit, për krijimin e të cilëve kishte ndihmuar edhe vetë me kokulësinë e tepruar. Tashmë, falë edhe mundimeve tejet njerëzore, të cilat i përballon me stoicizëm, ai po shpëton nga hinka e ferrit dhe po ngjitet (ndonëse ngadalë) drejt Purgatorit, apo plotësimit të standarteve për të hyrë në BE, që në përfytyrimin e banorit të këtij trualli ka formën e Parajsës, por kurrsesi nuk i ngjan asaj. Pas po lë, jo pa dhimbje, krenarinë boshe, mentalitetin oriental, dembelizmin proverbial etj.
Krahas përpjekjes individuale dhe kolektive për thyerjen e rrathëve, gjatë kësaj kohe qytetari shqiptar përjeton një rrethim të një lloji tjetër, krijuar nga i ngjashmi i tij, i cili mund të jetë punonjës i shërbimit publik, mund të jetë mjek, mund të jetë tregtar i ushqimeve, mund të jetë faturues i KESH-it, mund të jetë profesor i universitetit, mund të jetë edhe mësues i gjimnazit apo i pedagogjikes. Seicili nga këta hedh rrjetën për të peshkuar pikërisht qytetarin shqiptar, i cili nuk ka rrugë tjetër,veç asaj që e çon drejt e në rrjetë, sikur të qe thjesht një peshk, i pambrojtur nga institucionet, nga ligji.
Tabloja shihet açik gjatë këtij tranzicioni të gjatë. Por a do të vazhdojë kështu? Kjo është sfida e institucioneve të sotme, është sfida e qeverisjes së sotme. Duhet shpëtuar nga rrethimi qytetari shqiptar, në mënyrë që kur të shkojë te mjeku i shërbimit publik të nxjerrë nga xhepi vetëm librezën e sigurimit shëndetësor; kur të shkojë te shitoret, të mos ketë frikë se po blen ushqime të skaduara, sepse dikush nga institucioni përkatës i ka kontrolluar; kur të shkojë në universitet, duhet të mendohet mirë se e vetmja rrugë për të marrë provimet dhe diplomën është studimi; kur të trokasë në portat e shtetit, ta dijë mirë se do të përfitojë atë që i takon me ligj, pa future dorën në xhep, etj. etj.
Kur institucionet euroatlantike kërkojnë me këmbëngulje funksionimin normal të institucioneve demokratike, ata dëshirojnë pikërisht të shpëtojnë qytetarin shqiptar nga rrethimi dhe ta integrojnë atë në radhët e qytetarëve të lirë të Europës.

Etja e shërbëtorit mashtrues
Jo rrallë, arroganca e tyre përcillet nëpërmjet harbutërisë së nëpunësve servilë, të cilët janë bërë miq, shokë dhe shoqe, madje edhe më të afërt sesa vëllezërit dhe motrat me burrin e të zgjedhurës, me gruan e të zgjedhurit. “Një aromë kopeje ngrihet mbi ta”, do të shprehej Markez. Një tip ka bërë mu në sy të popullit përpjekje mbinjerëzore për të mos u shkulur nga karrigia prej ari, ku ka kohë që është ulur. Vetë populli e ka ulur me votën e tij, e ka ulur për t’i shërbyer, i joshur nga tollumbacet që kurrë nuk u kthyen në ballona fluturuese, mirëpo ai tashmë ua ka kthyer kurrizin zgjedhësve.

Populli është i sinqertë si një fëmijë. Ai dëgjon e dëgjon kur i tregojnë se sa e bukur do të jetë e nesërmja e vendit, se si do të ndryshojë fati i tij. Dëgjon me gojë hapur dhe, le ta themi troç, i pëlqejnë më shumë përrallat e bukura, sesa të vërtetat e hidhura. Ndaj është i magjepsur pas fasadave të lyera me ngjyrë optimiste rozë.
Kur i thua të vërtetën mezi e detyron veten të dëgjojë, aq më tepër kur të vërtetat tona, mjerisht, janë mjaft të ashpra. Shpesh, ai që thotë të vërtetën pa zbukurime, popullit i duket harbut, pa takt, miell i hidhur. Populli të do dhe të respekton shumë kur i thua se nesër do hamë me lugë të florinjtë, se do të shtrohen të gjitha rrugët e komunës me asfalt etj, etj.
Një kandidat për kryetar komune, një sharlatan i vërtetë, ia kaloi edhe gjeneral Xhaferrit me premtimet e tij gjatë fushatës elektorale. Ky individ i paskrupullt i ka të gjitha shprehitë e një mashtruesi të vogël profesionist. Ai mori votat e shumicës së banorëve të nahijes ku gjallon dhe tani banorët shohin se si mashtrues ka filluar të çngjyroset, mbasi zuri karrigen e pushtetit. Ky njeri i vockël, por zhurmues i pandreqshëm, meqë ia hodhi një herë popullit, kujton se mund të qëndrojë në shpinën e tij përjetësisht. Shfaqet arrogant dhe i pagdhëndur nëpër dyert e institucioneve, kërkon të bëjë pazare në të mirë të vetes dhe të xhinsit të tij, porse flet e kërkon gjithmonë në emër të popullit.
Ky njeri i pagdhëndur ka shumë mospërmbajtje dhe një turr prej demi saragoze, sapo shikon një mikrofon bosh … E mbërthen dhe nis të broçkullisë marrëzitë e tij rurale, duke harruar se fushta elektorale ka mbaruar dhe është koha për punë. Zoti e ndihmoftë për ta ndalur në marrëzinë e tij, por me siguri ky personazh gogolian do ta zbavisë mjaft trevën tonë gjatë mandatit.
Ka gjasa që, në fund të mandatit, ai do të jetë një bunker plus në mes të komunës. Banorët do ta shohin me të njëjtin përçmim si bunkerët e Hoxhës në mes të arave të tyre dhe, ngaqë nuk kanë as mjetet e as fuqinë për t’i thyer, shkojnë e përmjerrin ndanë tyre nje çurg hakmarrje të vonë.
Nëse ky do të ishte një rast i veçuar, nuk do ta merrnim mundimin për të hedhur këto radhë. Një situatë e përafërt po shfaqet në plot komuna, madje edhe në kasabatë tona. Të zgjedhurit e popullit, në emër të popullit dhe për të mirën e popullit, po takohen natën e ditën, në shi e në diell, në dritë e në terr, dhe flasin e flasin për të mbërthyer karrige të mëdha e të vogla, gjithnjë (!) nga etja për t’i shërbyer popullit.
Ndrisin fytyrat e të afërmëve të të zgjedhurve. Jo rrallë, arroganca e tyre përcillet nëpërmjet harbutërisë së nëpunësve servilë, të cilët janë bërë miq, shokë dhe shoqe, madje edhe më të afërt sesa vëllezërit dhe motrat me burrin e të zgjedhurës, me gruan e të zgjedhurit. “Një aromë kopeje ngrihet mbi ta”, do të shprehej Marques. Një tip ka bërë mu në sy të popullit përpjekje mbinjerëzore për të mos u shkulur nga karrigia prej ari, në të cilën ka kohë që është ulur. Vetë populli e ka ulur me votën e tij, e ka ulur për t’i shërbyer, i joshur nga tollumbacet që kurrë nuk u kthyen në ballonë fluturues, mirëpo ai tashmë i ka kthyer kurrizin..

11 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›