E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy kosovarë pjesë e bandës që vidhnin bankat

Policia nis operacionet për vendndodhjen e tyre

Laureta Rryçi

Prokuroria e Tiranës ka identifikuar së fundi edhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në vjedhjen e bankave përmes klonimit të kartave të kreditit. Burime pranë kësaj prokurorie pohuan të shtunën se bëhet fjalë për dy shtetas kosovarë, të cilët mendohet se janë pjesë e grupit që realizonte vjedhjen e bankave përmes kësaj metode të sofistikuar. Sipas këtyre burimeve, hetuesit e çështjes janë duke mbledhur informacione për zbardhjen e pozicionit të tyre në ketë çështje. Burimet e mësipërme nuk preferuan të bëjnë publike emrat e këtyre dy të dyshuarve, por siguruan se po punohet për kapjen e tyre.
Këto hetime morën shkas nga arrestimi pak jave më parë në Tiranë, gjatë operacionit te koduar "Matrix 4", te 17 personave të akuzuar për vjedhjen e mijra eurove nga llogari të ndryshme bankare nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit VIZA dhe MASTERCARD me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas të dhënave hetimore te dosjes, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj, ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore.
Operacioni
Operacioni "MATRIX 4", i organizuar nga policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë u finalizua me arrestimin e 17 personave, pjesa më e madhe e të cilëve studentë, që vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal për vjedhjen e bankave të ndryshme. Të paktën deri tani numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj, ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore. Ndërkohë që shuma e vjedhur llogaritet në rreth 2 milion euro.
Të arrestuarit
Ky operacion vuri në pranga; Endrit Gjergjani (Laro), 19 vjeç, Anil Gjergjani, 47 vjeç, Kreshnik Luka, 23 vjeç, Ledjo Doko, 19 vjeç, Enea Çela, 18 vjeç, Endri Mezuraj, 19 vjeç, Besford Puka, 27 vjeç, Seid Mollaj, 23 vjeç, Fatmir Borshi, 20 vjeç, Rei Karapici, 19 vjeç, Redi Çekani, 19 vjeç, Blerim Abazi, 24 vjeç, Flamur Gashi, 28 vjeç, Indrit Abazi, 23 vjeç, Alban Bari, 27 vjeç, Klodian Terolli, 20 vjeç, Fatmir Kolmarku, 32 vjeç. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”, “sigurim të mjeteve për vjedhje” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”, të kryera këto në bashkëpunim. Me cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan pajisje elektronike për klonimin e kartave me shirit manjetik, një sasi kartash me shirit manjetik të mbushura, 1 kompjuter laptop dhe 6 kompjuterë të zakonshëm, dokumente bankare për paisje me karta krediti, certifikata te ndryshme, 5 automjete si dhe disa doza lëndësh narkotike, hashash dhe heroinë.

Studimet në Itali, afati për dokumentet deri në 11 gusht
Të gjithë maturantët e sapodiplomuar që dëshirojnë të studiojnë në Itali, kanë afat deri më 11 gusht (ora 12:00) për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Sipas Drejtorisë Arsimore në Tiranë, kandidatët për studentë që fitojnë të drejtën e studimeve në një universitet italian duhet të bëjnë një kërkesë për përkthimin e dëftesës origjinale të Pjekurisë si dhe të asaj të Maturës Shtetërore, të cilat, së bashku me Certifikatën e CELI 3, i'u duhen për t'u regjistruar në sekretaritë e universiteteve italiane. Për të gjithë ata që kanë mbaruar maturën këtë verë, brenda datës 11 gusht 2008, ora 12:00, duhet të dërgojnë me zarf pranë ambasadës italiane, dëftesën e pjekurisë në origjinal, firmosur dhe vulosur nga Drejtoria Arsimore e Rrethit dhe nga Ministria e Arsimit, më pas përkthyer në italisht në çdo pjesë të saj, noterizuar tek noteri dhe në fund legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Gjithashtu në zarf duhet të jetë edhe certifikata e "Maturës Shtetërore" në origjinal, lëshuar këtë vit nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve

Akademia e Arteve, 12 vende bosh për pedagogë
Akademia e Arteve te Bukura ka shpallur kërkesën për punësimin e 12 pedagogëve në lëndë të ndryshme të këtij institucioni të arsimit të lartë. Sipas burimeve nga rektorati, në Fakultetin e Muzikës kërkohen 4 pedagogë. Më konkretisht, 3 vende janë shpallur të lira për specialitetin piano, ndërsa një vend tjetër për punonjës mësimor në lëndën lexim partiture në Fakultetin e Artit Skenik. Akademia e Arteve ka shpallur dy vende të lira pune për punonjës mësimor, në specialitetin Regji Filmi dhe TV në montazh dhe post-produksion, në fotografi dhe kamera, në seksionin skenografi dhe kostumografi dhe në regji teatri.
Në Fakultetin e Arteve të Bukura, Akademia e Arteve ka shpallur një vend për punonjës mësimor në seksionin e artit konceptual (Multimedia), një vend në seksionin e Grafikës, një vend tjetër në seksionin e Tekstilit dhe modës dhe një në seksionin e Skulpturës. Në të tre Fakultetet do të ketë shqyrtim te dosjeve të prezantuara nga kandidatët. Dokumentacioni që duhet të plotësojë çdo dosje e kandidatit duhet të përmbajë një kërkesë nga kandidati ku të jetë përcaktuar vendi për të cilin ai konkurron, diplomë origjinale ose fotokopje e noterizuar e Fakultetit ku ka kryer studimet dhe kualifikime të tjera pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit, CV, ku të përfshihen veprimtaritë artistike dhe akademike brenda dhe jashtë vendit, zotërimi i një gjuhe të huaj dhe prezantimi nga kandidati i një projektprogrami për lëndën në të cilën ai konkurron. Për vazhdimësinë e procesit të konkurrimit në fazën e dytë, çdo konkurrent do t’i referohet kritereve specifike të çdo Fakulteti, ndërkohë që konkursi do të jetë i ndarë me faza dhe shuma e përgjithshme e pikëve të kërkesave në konkurrim është 100.

Këtë vit part-time edhe te Akdemia “Vojo Kushi”
Për herë të parë në këtë vit, pritet që të nisë sistemi part-time edhe në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi" (AEFS). Burime nga rektorati bëjnë të ditur se ky sistem do të funksionojë për mësuesit e fizkulturës dhe trajnerët. Fillimi i sistemit me kohë të pjesshme pritet të jetë gati në dhjetor, kohë ku do të pranohen rreth 50 kandidatë. Këto studime do të vlejë për të gjithë ata të interesuar që duan të japin mësim fizkulture në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe për të gjithë ata dëshirojnë profesionin e trajnerit. Studimet part-time për profesione të tilla do të kenë një kohëzgjatje 4-5 vjet

MASH-i shpall kërkesën për tre ekspertë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur kërkesën për aplikim për tre anëtarë ekspertë që do të bëjnë pjesë në Këshillin e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Është vendosur që kandidatët për anëtarë duhet të kenë titullin "Profesor", të jenë anëtarë të personelit të brendshëm akademik të një Institucioni të Arsimit të Lartë dhe të mos jenë autoritet drejtues si, Rektor, Zv/Rektor apo Dekan. Aplikimi do të bëhet në MASH deri në 22 gusht 2008, pranë Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë. MASH vlerëson pjesëmarrjen e forcave akademike më të kualifikuara në këtë aplikim për anëtarë të Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë, i cili në bazë të ligjit "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, ka një rol thelbësor në akreditimin e institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë publik e privat në Shqipëri.

11 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›