Bombë makinës së diplomatit shqiptar
Për herë të tretë brenda dy vitesh dhe për të dytën herë brenda gjashtë muajsh, automjetet e konsullatës shqiptare në Selanik bëhen objekte sulmi nga persona që të paktën deri tani ende nuk janë identifikuar. Ka qenë pikërisht ora 04:15 e mëngjesit të së shtunës, kur është sulmuar, këtë herë, makina fuoristradë që i përkiste oficerit të kontaktit të kësaj konsullate, Edi Voshtina. Përsëri persona të panjohur, sipas Drejtorisë së Policisë së Selanikut, i kanë vënë zjarrin kësaj makine, që ishte parkuar vetëm disa metra nga godina e Qendrës Tregtare të Selanikut, në katin e tretë të së cilës ndodhen edhe zyrat e konsullatës shqiptare. Pamjet nga makina e djegur në kryqëzimin e rrugëve Karolu Dil dhe Ermu, që ka siguruar gazeta "SHQIP", tregojnë se zjarri i shkaktuar ka dëmtuar krejtësisht pjesën e motorit. Madje është dashur ndërhyrja e dy makinave zjarrfikëse me gjashtë efektivë për të ndaluar përhapjen e flakëve në makinat e parkuar pranë saj. I pyetur për ngjarjen, oficeri i kontaktit pranë konsullatës ka deklaruar se është lajmëruar nga policia greke rreth orës dhjetë të mëngjesit, se makina e tij është bërë objekt sulmi i personave të panjohur. Por vetë ai ka lajmëruar eprorin e tij për ngjarjen, konsullin Thoma Nini, shumë orë më vonë. Për sa i përket shkaqeve të këtij sulmi, burime pranë policisë së Selanikut janë shprehur se një nga pistat për këtë akt është ajo e djegies prej elementëve anarkistë, për faktin se shpesh herë makinat e trupave diplomatike në Greqi bëhen objekt sulmi të akteve të dhunshme të tyre. Por ata nuk kanë përjashtuar edhe pistën e hakmarrjes personale ose atë për shkak të detyrës, derisa të zbardhen krejtësisht faktet. Ajo çka krijon përshtypje është fakti se përse kaq shpesh automjetet e konsullatës shqiptare në këtë qytet janë bërë objekt sulmi.
Precedenti
Në datën 31 janar 2007 është goditur me një mbushje artizanale të llojit molotov vetura me targë diplomatike 54-4, pronë e kësaj konsullate, edhe në këtë rast e parkuar vetëm disa metra larg ndërtesës. Ndërsa një ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, përsëri dy makina të personelit të kësaj konsullate janë djegur me bomba artizanale, në rrugën Vermiu në Sikies, një lagje në periferi të Selanikut. Policia që kishte mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes, deklaroi se gjeti shtatë shishe të mbushura me benzinë, të sajuara për të provokuar shpërthime me rreze të shkurtër veprimi. Metodat e përdorura në të gjitha rastet janë krejtësisht të ngjashme me ato të anarkistëve grekë. Megjithatë fakti që këto sulme janë kaq të shpeshta ndaj mjeteve të konsullatës shqiptare, e kanë bërë policinë greke në Selanik të jetë më e kujdesshme dhe e matur në dhënien e vlerësimeve për ngjarjen në fjalë. Gjithsesi, hetimin e ngjarjes e ka marrë përsipër Shërbimi i Sigurisë së Selanikut dhe Sektori i Antiterrorit, duke mbledhur dëshmi nga personeli i konsullatës dhe banorë të zonës.