Policia merr në mbrojtje 3 gra, njëra në koma
TIRANE - Tri gra janë marrë në mbrojtje nga policia, pasi kanë denoncuar dhunën që ushtrohej ndaj tyre nga bashkëshortët. Madje njëra prej "viktimave" ka tentuar vetëvrasjen, duke pirë rreth një litër benzinë, pasi e kishte rrahur i shoqi. Gruaja 37-vjeçare me inicialet M.L., lindur dhe banuese në Golem të Kavajës, nën një trysni të fortë psikologjike të ardhur nga dhuna e vazhdueshme e bashkëshortit 41-vjeçar Xhemal L., tashmë ndodhet në gjendje kome në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë bashkëshorti i saj është arrestuar me akuzën e "shkaktimit të vetëvrasjes". Ndërkohë sipas një njoftimi për shtyp nga policia e kryeqytetit bëhet e ditur se edhe dy raste të tjera dhune në familje janë denoncuar në Komisariatin nr.2, nga gratë me iniciale M.D. dhe I.I. Burime nga policia sqaruan se është plotësuar kërkesë-padia e tyre dhe është vendosur që ato të merren në mbrojtje, pasi keqtrajtoheshin nga bashkëshortët në mënyrë të vazhdueshme. M.D., 25 vjeçe, ka kallëzuar bashkëshortin e saj F.D., 26 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të lehtë, ku ka treguar se ai ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Gjithashtu I.I., 27 vjeçe, ka kërkuar mbrojtje pasi bashkëshorti i saj G.I., 33 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, në mënyrë sistematike. Të tria rastet i kaluan Gjykatës së Tiranës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.