E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria humb në arbitrazh, kundër Petrolifera

 

TIRANE – Gjykata e Tiranës lëshoi dje urdhrin e ekzekutimit për një vendim të Arbitrazhit Ndërkombëtar të humbur nga shteti shqiptar. Gjykatësi Bledar Abdullai pranoi dje kërkesën e kompanive “La Petrolifera Italo-Rumena”, s.p.a. dhe “La Petrolifera Italo-Albanese”, sh.a. për të përfituar nga shteti shqiptar rimbursimin e një shume prej 15 mijë dollarësh amerikane, për një gjyq të humbur në Gjykatën e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris. Gjyqi i cili është zhvilluar në vitin 2006 është humbur nga pala shqiptare, e cila i ka kërkuar gjykatës ndërprerjen e tij dhe zgjidhjen me kompromis. Pas kësaj “Petroliferës” i është dashur të paguajë shpenzimet gjyqësore në masën 30 mijë USD, të cilat sipas ligjit ndahen në mënyrë të barabartë mes palëve. Fakti që shteti shqiptar përfundoi në gjyq është ligji 9231 datë 21 qershor 2004, sipas të cilit Shteti Shqiptar lidhte dy marrëveshje koncesionare me “Petroliferën”, e para e formës “BOO” për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në Gjirin e Vlorës; ndërsa e dyta e llojit BOT për ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portale, në shërbim të terminalit bregdetar në Gjirin e Vlorës. Por mospërmbushja e detyrimeve për dy vjet me radhë nga ana e qeverisë shqiptare bëri që çështja të përfundonte në Arbitrazhin Ndërkombëtar, vendim të cilin e ka njohur Apeli i Tiranës më datë 8 nëntor 2007.   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›