Boni: Më në fund, Luftëtari po kthehet në superiore
Ish-futbollisti Astrit Boni thekson se këtë sezon është bërë një punë e lavdërueshme në të gjitha aspektet
Luftëtari vazhdon përgatitjet në Ulqin të Malit të Zi, ndërkaq në Gjirokastër debatet vazhdojnë, veçanërisht për ndryshimet në stafin teknik, por edhe ecurinë e ekipit. Vazhdohet të diskutohet nëse do të realizohet apo jo ngjitja në superligë, megjithëse rezultatet e fazës së parë janë tepër premtuese. Në këtë kuadër debatohet, nëse ndeshja Luftëtari-Kukësi, e vlefshme për javën e 14të, duhej luajtur atëherë apo më mirë që u shty. Po ashtu, flitet për blerjet e reja dhe a duhen të tjera për fazën e dytë.
Boni Një ndër futbollistët më virtuozë që ka nxjerrë Luftëtari është Astrit Boni, i stilit Platini. Ai jep mendimet e tij në lidhje me ish-ekipin e tij, arritjet dhe të ardhmen: Duke përjashtuar sezonin 2006-2007, kur Luftëtari luajti për herë të fundit në superiore dhe ra prej saj më tepër për makinacione se për nivelin e tij, më së fundi këtë sezon kemi një ekip me vlera jo vetëm për kategorinë e parë, por edhe më shumë.
Kjo u arrit falë blerjeve cilësore, ku spikat kthimi i Devollit dhe i Norës, por edhe puna e trajnerëve Hysi dhe Ciko. Sipas mendimit tim dhe jo vetëm, do të duhej që ata ta përfundonin misionin e tyre, por ishin ata ose drejtuesit e ekipit që vendosën për sa u bë. Tani vëmendja duhet përqendruar në të ardhmen dhe duhen inkurajuar trajnerët e rinj, që ta realizojnë objektivin e sezonit.
Edhe unë shpreh bindjen se Luftëtari do të ngjitet në superiore, pasi disponon lojtarë me përvojë dhe aftësi në të gjitha repartet, aq më tepër që përforcimet vazhdojnë me sa po informohemi. Është bërë një punë e lavdërueshme që në fillim të sezonit pothuajse në të gjithë aspektet dhe kështu tifozi gjirokastrit, të cilit i është tharë syri duke e parë ekipin në inferiore, përfundimisht sezonin tjetër do të ngopet me ndeshje më interesante dhe më intriguese, tek do të luajë me emra të njohur.
