Stafi i Lushnjës, entuziast për gjendjen e skuadrës
Verdhejeshilët do të kthehen të hënën nga Mali i Zi për ti vazhduar përgatitjet në stadiumin Roza Haxhiu
Ashtu si disa skuadra shqiptare, edhe Lushnja ka zgjedhur Ulqinin për të bërë përgatitjet e fazës së dytë. Verdhejeshilët kanë hyrë tashmë në fazën e përgatitjeve intensive, me dy seanca në ditë. Stafi teknik është i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve, pasi i ka parë këtë të fundit në një tjetër ndeshje kontrolli.
Trajneri Malko dhe ndihmësi i tij Çuko janë ngrohur nga puna që po bëjnë futbollistët lushnjarë, por më tepër nga riaftësimi i disa të dëmtuarve, ku veçohet kapiteni Çela, që pritet të jetë asi nën mëngë për ta në fazën e dytë. Lushnjarët synojnë që në fund të kampionatit të kenë në dorë një biletë, që do ti kalojë direkt në superligë.
Rivalët kanë bërë merkato, por edhe Lushnja, me grupin solid që disponon stafi teknik, ka hedhur dorashkën. Ardhja e Erjon Xhafës në skuadër pas disa vitesh larg saj, është një shenjë e mirë, pasi prapavija blindohet. Me përmirësimin konstant të të gjithë pjesëtarëve të tjerë, ky repart mendohet se nuk do të ketë probleme. Rikuperimi i kapitenit Çela i ka entuziazmuar të gjithë. Fantazisti po përjeton momente mjaft të mira, por prapa nuk mbeten dy mesfushorët e tjerë, Topii dhe Gjoni, që janë thuajse gati për trajnerin Malko.
Shurdhi Sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi, konfirmon se gjithçka në Ulqin shkon më së miri dhe se skuadra do të kthehet ditën e hënë në Lushnjë. Kemi informacion të përditshëm për ecurinë e minifazës në grumbullimin e Ulqinit. Skuadra po realizon programin e përgatitur dhe kjo është një gjë shmë e mirë. Skuadra do të qëndrojë në Ulqin deri ditën e henë, kur do të niset për në Lushnjë, për ta vazhduar përgatitjet në stadiumin Roza Haxhiu për perfeksionimin e teknikës, – ka thënë sekretari Shurdhi.
