E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët e Kukësit duan Rrahman Hallaçin

Nga Bashkim SHALA

Kreu i shoqatës së tifozëve, Ramazan Duraku: Ai duhet ti shërbejë ekipit të qytetit, diferencë në pagë ja plotesojmë ne

Tifozët e Kukësit e duan futbollistin Rrahman Hallaçi në ekipin e tyre, ndërkohë që ai nuk ka rënë dakord me drejtuesit dhe donatorët për pagën. Mbrojtësi që luan për Kamzën në superligë, ka zhvilluar ditët e fundit një takim me drejtuesit e Kukësit, të cilët i kanë afruar një pagë, që nuk e ka kënaqur, ndërkohë që tifozët prisnin inkuadrimin e tij në ekip. Tifozët e Kukësit kanë qenë tepër entuziastë për kthimin e Hallaçit në Kukës, ku ai do të jepte një kontribut të pazëvendësueshëm për këtë ekip, por mbetëm të zhgënjyer.

Donatorët dhe drejtuesit i kanë afruar një pagë, që nuk e ka kënaqur, por ne e duam Hallaçin në ekip dhe difernecën e pagës do tia plotësojmë ne tifozët, – është shprehur Ramazan Duraku, kryetari i shoqatës së tifozëve të Kukësit. Rrahman Hallaçi e ka filluar karrieren në Kukës, me ekipin e moshave, por më pas ka vazhduar shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive, duke u aktivizuar me Shkëndijën dhe kombëtaret U-17 dhe U-19.

Më pas, është aktivizuar për një kohë të gjatë me Partizanin, për pak kohë me Vllazninë dhe Elbasanin dhe së fundmi me Kamzën. Gjatë kohës që ishte me të rinjtë e Shkëndijës, Hallaçi është aktivizuar në disa ndeshje kupe me Kukësin, ku do mbahet mend për golin që i ka shënuar Tiranës, asokohe kampione e padiskutueshme.

Lëvizjet Kukësi ka dy ditë që vazhdon përgatitjet në qytetin bregdetar të Ulqinit, ku krahas lojtarëve që u aktivizuan gjatë fazës sa parë, me perjashtim të Ivanajt, Elio Kolës dhe Andi Koçit, tashmë të larguar, ekipit i janë bashkuar Romeo Hamzai, Allamani, Lena, Memishi dhe Radaj. Me gjithë 5 të ardhurit, drejtues të ekipit kanë bërë të ditur se Kukësi ka nevojë edhe për shërbimet e 2-3 lojtarëve të tjerë, kryesisht në sulm dhe mesfushë, pasi mbrojtja është e konsoliduar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›