Gjirokastër, 60 cm borë në rrugët drejt fshatrave, vështirësohen masat
Gjatë 24 orëve të fundit, situata mjaft e rënduar atmosferike në Qarkun e Gjirokastrës, ka shkaktuar probleme sidomos në bllokimin e akseve rrugore. Sipas burimeve zyrtare nga ndërmarrjet e rrugëve të të tri rretheve, në orët e mbrëmjes së premte duke u gdhirë dita e djeshme, reshjet e dendura të dëborës dhe të shiut, kanë qenë mjaft intensive, duke shkaktuar bllokim në disa prej akseve rrugore.
Më problematike ka qenë bllokimi i përkohshëm i aksit nacional Tepelenë-Ballsh në afërsi të Fabrikës së Fosforit në qytetin e Memaliajt. Në orën 22:00 të së premtes, aksi nacional është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut anësor, pas shirave të rrëmbyeshëm që vazhduan edhe përgjatë ditës së shtunë. Është dashur ndërhyrja e punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor të Tepelenës të cilët morën masa të menjëhershme, duke lokalizuar gjendjen brenda 30 minutave, ndërsa dje rruga ka qenë tërësisht e kalueshme në të dy anët. Ndërkohë, në rrethin e Gjirokastrës reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar bllokim të përkohshëm të Qafës së Muzinës ndërsa ndodhen aktualisht me probleme në qarkullimin e automjeteve, rrugët rurale në fshatrat e komunave të Zagories dhe Pogonit ku trashësia e borës i ka kaluar të 35 cm. Sipas burimeve nga Policia e Gjirokastrës, fshatrat e Komunës së Kurveleshit janë bllokuar si rrjedhojë e reshjeve të dëborës, të cilat ende vazhdojnë të bien me intensitet. Trashësia prej 60 cm e dëborës si dhe moti i keq, ka vështirësuar iniciativat e ndërmarra nga punonjësit e ndërmarrjeve rurale të të tri rretheve, për të zhbllokuar akset që shkojnë në drejtim të këtyre fshatrave. Veç kësaj qëndrojnë të bllokuara edhe fshatrat e Komunës së Frashërit në rrethin e Përmetit, ku trashësia e borës ka arritur në mbi 80 cm. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës Gentijan Mullai, është shprehur se strukturat e Policisë së Qarkut, kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat e ku ka probleme si pasojë e reshjeve, duke marrë kontakt me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për tju ardhur në ndihmë banorëve dhe drejtuesve të automjeteve. "Po kontaktojmë me drejtuesit e ndërmarrjeve të rrugëve në të tri rrethet me qëllim koordinimin e veprimeve për të bërë të mundur hapjen e akseve rrugore rurale të bllokuara", është shprehur zoti Mullai.