E Diel, 1 Nëntor 2026

Bonot e privatizimeve, ne pikun me te ulet, çfare fshihet pas zhvleresimit



Ervin KOÇI

Loja e qeverisë me bonot e privatizimit, ka bërë që këtyre të fundit t’u bjerë vlera në minimum. Rishpërndarja e letrave me vlerë të kompnisë Anglo-Adriatika, bëri që bonot që qytetarët disponojnë në shtëpitë e tyre të zhvlerësohen duke humbur çdo lloj interesi për t’i shitur ose ripërdorur. Qeveria vetëm disa muaj më parë premtoi përdorimin e letrave me vlerë në proceset e privatizimeve dhe atij të legalizimit të ndërtimeve informate. Por me listën e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, ALUIZNI e konsideron të mbyllur procesin e legalizimeve në qytetet e mëdha të vendit, ndërsa pritet që të vazhdojë edhe në zonat rurale. Në këtë mënyrë, bonot e privatizimit, të cilat një vit më parë qeveria vendosi t’i fusë në përdorim duke miratuar pagesën e një pjesë të tarifës së legalizimit me anë të tyre, dalin jashtë loje. Vendimi për përfshirjen e bonove në procesin e legalizimeve rriti fillimisht vlerën e tyre në treg. Në gushtin e vitit të shkuar, një bono me vlerë 10 mijë lekë u ble deri në 20 për qind të vlerës së saj. Por tashmë një vit më pas, situata paraqitet krejt ndryshe. Nga një vëzhgim që gazeta “Albania” bëri dje në tregun e bonove, konstatoi se vlera e tyre ka rënë ndjeshëm duke prekur shifrat e periudhës para marrjes së vendimit për përdorimin e tyre në legalizime. Gjatë ditës së djeshme, një bono me vlerë 10 mijë lekë, blihej nga kambistët vetëm me 4.8 për qind të vlerës së saj dhe shitej me 5.5 për qind. Për muaj me radhë çmimi i bonove filloi të luhatej në varësi të deklaratave dhe vendimeve të qeverisë në lidhje me legalizimet.

Çmimi
Më shumë se me uljen e interesit të qytetarëve rënien drastike të çmimit të bonove të privatizimit, kambistët e lidhin me periudhën e verës si dhe vendimin e Ministrisë së Financave për shpërndarjen e bonove të grumbulluara nga fondi Anglo-Adriatika. Sipas tyre, hedhja në treg e një sasie të konsiderueshme bonosh ka ulur ndjeshëm vlerën. Kësaj i shtohet edhe fluksi i emigrantëve që kthehen në vend. Numërohen rreth 700 mijë persona ata që morën në fillim të viteve '90 bono privatizimi, ndërsa një pjesë e mirë i investuan ato tek Anglo-Adriaktika. Me kthimin në atdhe, emigrantët investitorë tek kjo kompani kanë filluar të tërheqin bonot në emër të tyre duke i hedhur ato masivisht në treg. Udhëzimi i MF-së parashikon shpërndarjen e bonove në periudhën 1 prill-30 shtator duke u bërë kështu shkaku kryesor për uljen e çmimit. Krahasuar me periudhat e tjera kur çmimi i bonove ishte më i lartë, kjo mund të konsiderohet koha e duhur për blerje nga ata që janë në proces legalizimi. Por nuk është vetëm sasia e madhe e bonove në treg që ndikon në uljen e çmimit. Sipas kambistëve, shpeshherë ekziston edhe një formë mosbesimi tek qytetarët ndaj mundësisë reale të përdorimit të tyre në procesin e legalizimeve, megjithëse ka një ligj në të cilin sanksionohet pagesa e një pjesë të tarifës me bono. Kjo, sipas tyre, lidhet edhe me historikun që kanë pasur bonot e privatizimit në vend, të cilat pas shpërndarjes mbeten të papërdorura për vite me radhë.

Bonot
Pagesa e tarifës së legalizimit me bono privatizimi është kundërshtuar ashpër nga pronarët. Përfaqësues të shoqatave të pronarëve shprehen të shqetësuar në lidhje me shumën që do të mblidhet me të cilën ata do të kompensohen. Letrat me vlerë, u shpërndanë në fillim të viteve '90 në formë aksionesh të ndërmarrjeve shtetërore që qeveria iu ofroi qytetarëve gjatë privatizimit të tyre. Janë mbi 700 mijë qytetarë ata që morën në atë periudhë letra me vlerë ndërsa mospërdorimi i tyre për një kohë të gjatë mendohet të jetë bërë shkak edhe për humbjen apo neglizhimin nga përfituesit. Në total janë rreth 7.5 miliardë lekë të emetuara në bono privatizimi, nga këto vetëm 5.1 miliardë janë shpërndarë në duart e përfituesve të kohës. Gjatë privatizimeve në fillim të viteve '90 është përdorur vetëm një pjesë e vogël e bonove të shpërndara, rreth 1.1 miliardë. Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Financave për shpërndarjen e bonove të mbledhura nga fondi Anglo-Adriatika ka rritur ndjeshëm sasinë e tyre në treg.

“Albinvest”-i kthehet në “One Stop Shop” për biznesin

“Albinvest”-i, agjencia e cila rezultoi e suksesshme gjatë viteve të fundit në tërheqjen e investimeve të huaja, që prej 1 tetorit të këtij viti do të quhet “Agjencia Shqiptare e Investimit” ose “AIDA” me një strukturë të re, duke u kthyer në “One Stop Shop” për investitorët e huaj. Sipas Zëvendësministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo, kjo agjenci nuk do ketë më varësi nga Ministria e Ekonomisë, por do drejtohet nga një bord ku do jenë pjesë edhe 4 ministra të linjës nën kryesimin e Kryeministrit. Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Bozdo, "Albinvest do të shndërrohet në Agjencinë Shqiptare të Investimit me një strukturë të re, duke u kthyer në ‘One Stop Shop’ për investitorët e huaj. AIDA nuk do ketë më varësi nga Ministria e Ekonomisë”. Gjithashtu, sipas Bozdos, investitorët e huaj do gjejnë në këtë agjenci, orientimin që do i duhet për të investuar kapitalin në Shqipëri. Agjencia “Albinvest” ka luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve të huaja, duke ju ofruar atyre të gjithë asistencën e nevojshme për të investuar në vendin tonë.

Cilësia e ujit, Inspektorati Ushqimor në Vlorë pezullon dy aktivitete

Inspektorati Ushqimor në Vlorë pezulloi dje aktivitetin e dy subjekteve të prodhimit, ambalazhimit dhe të tregtimit të ujit në Qarkun e Vlorës. Qëllimi i kontrolleve janë kushtet higjeno-sanitare në lidhje me cilësinë e ujit. Drejtori i Inspektoratit Ushqimor në Vlorë, Arsen Mustafaraj, gjatë inspektimit të subjekteve "Llogora" prodhues i ujit me logon "Sorkadhja" dhe "Pango" prodhues i ujit të pijshëm "Llogora" u vunë re shkelje të standardeve dhe të rregullave. Gjatë kontrollit që Inspektorati ushtroi edhe në tregun e prodhimeve të detit, u konstatua se tregtimi realizohej jashtë normave higjieno-sanitare. Për pezullimin e këtyre subjekteve nga Inspektorati, u njoftua edhe Bashkia e Vlorës.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 04.08.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.58%
12M 12-mujor 7.00%
6M 6-mujor 6.16%
3M 3-mujor 5.34%
1M 1-mujor 5.07%
1Ë njëjavor 4.91%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.63%
1Ë njëjavor 6.25%
o/n njëditor 5.78%
12M 12-mujor 8.50%
6M 6-mujor 7.79%
3M 3-mujor 6.95%

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›