Ndërtimi në krizë financiare, qeveria i ka 50 milionë euro borxh
Ervin KOÇI
Sektori i ndërtimit në mbarë vendin është në prag të falimentimit, ose të paktën të ndërprerjes së punimeve për një afat të pacaktuar. Ky fakt tronditës, i cili po të ndodh realisht do të lërë mijëra individ të punësuar në këtë sektor, pa punë, njoftohet nga Shoqata e Ndërtuesve. Shkak për këtë është bërë borxhi i konsiderueshëm që qeveria i ka kompanive më të mëdha ndërtuese në vend, shuma e të cilit i kalon të 50 milionë eurot. Ky borxh është krijuar gjatë dy viteve të fundit prej punimeve të papaguara që kompanitë e ndërtimit kanë realizuar për shtetin në projektet infrastrukturore. Por me sa duket, as këtë vit qeveria nuk ka ndërmend t’ua likuidojë ndërtuesve paratë për punën e bërë, pasi shkurtimet e bëra në buxhetin e vitit 2010, ndërprerë edhe fondet që duhet t’u jepeshin firmave për punimet e deritanishme. I ndodhur në këtë situatë, sektori i ndërtimit ka nisur të bëjë firo, pasi mungesa e likuiditetit sjell rrjedhimisht bllokim të punimeve, mosblerje të lëndëve të ndërtimit dhe mospagesë të punonjësve. Lidhur me këtë situatë, Shoqata e Ndërtuesve ka zhvilluar këto ditë një takim me disa nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave. Mësohet se objekt i takimit ka qenë pikërisht kriza që ka prekur këtë sektor dhe kërkesa për ndihmë nga ana e ndërtuesve që të mos përballen me një ndërprerje totale të punës çka do të sillte pasoja për të gjithë vendin.
Takimi
Në takimin me përfaqësuesit e MF-së, palët kanë diskutuar problemet e shumta që shqetësojnë sektorin e ndërtimit dhe kompanitë më të mëdha. Shqetësimet lidhen me mungesën e likuiditetit, me problemet e pallateve të pahipotekuara, çmimet referencë mbi pagat, njësitë e ndërtimit etj. Një tjetër problem i pazgjidhur mbetet edhe zbatimi i marrëveshjes që ndërtuesit kanë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave, sa u takon çmimeve minimale për efekt të tatimeve dhe detyrimeve fiskale. Mësohet nga ndërtuesit që tatimet nuk po i qëndrojnë strikt marrëveshjes me çmimet e caktuara, por kërkojnë të vjelin përtej niveleve të caktuara në paktin e firmosur gati tre vite më parë.
Tjetër problem lidhet me borxhin që qeveria u ka ndërtuesve, detyrime këto që rrjedhin prej punimeve të papaguara nga qeveria. Por si Ministria e Financave ashtu dhe ajo e Transporteve, deklarojnë se nuk kanë asnjë detyrim të prapambetur dhe se ajo çfarë ka ngjarë lidhte me punimet e përshpejtuara të ndërtuesve, përtej mundësive për të paguar ndryshe nga sa thotë kontrata.
Kriza
Sektori i ndërtimit po përjeton një situatë të vështirë që prej dy vitesh, si efekt i krizës ekonomike, mungesës së lejeve dhe shtrëngimit të kushteve për kredi nga bankat. Në disa deklarata rresht, ndërtuesit kanë paralajmëruar se do të marrin masa për zgjidhjen e problemit, ku njëra është thënë se do të jetë edhe greva, duke pezulluar punimet. Shkurtimi me 20 miliardë lekë i investimeve publike në rishikimin që qeveria i bëri buxhetit të këtij viti, do të thellojë krizën që ka përfshirë sektorin e ndërtimit. Instituti i Statistikave konstatoi se gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, ky sektor shënoi një rënie prej 21.1 për qind. Ndërtuesit deklarojnë se bllokimi i projekteve të infrastrukturës do të jetë goditja e radhës që rrezikon të çojë drejt kolapsit firmat në këtë sektor, çka do të shoqërohet me rritje të papunësisë. Ndërtuesit shpjegojnë se, as kthimi i emigrantëve për pushime, gjë që pritet të shoqërohet me blerje të apartamenteve nga ana e tyre, nuk do të përmirësojë gjendjen e sektorit. Kjo pasi ka vetëm interes i cili nuk është konkretizuar ende në shitje banesash. Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë me masa nxitëse për të nxjerrë sektorin e ndërtimit nga kriza, që sipas tyre zgjat tashmë prej 3 vjetësh.
7 Gusht 2010