Topi, Berisha dhe Meta bashkohen në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Krerët e shtetit shqiptar, presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, do të marrin pjesë së bashku në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit shtator. Burime pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme bëjnë të ditur se delegacioni i lartë shqiptar në OKB, përveç axhendës që ka të bëjë me punimet e sesionit të radhës së Kombeve të Bashkuara dhe prezantimin e qëndrimit të Shqipërisë për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, rëndësi të veçantë do t’i kushtojë dhe çështjes së Kosovës. Përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar do të kenë një axhendë të ngjeshur me takime, ku theksi do të jetë çështja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën ata do të lobojnë. Gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së, delegacioni shqiptar do të mbajë dy fjalime. I pari do të flasë presidenti Bamir Topi, ndërsa më pas do të jetë kryeministri Sali Berisha që do të marrë fjalën. Intensifikimi i përpjekjeve të palës shqiptare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vjen pas mundësive për paraqitjen e një rezolute të re serbe kundër pavarësisë së Kosovës. Shqipëria, Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Europian e kanë cilësuar të papranueshme mundësinë e një rezolute të re nga pala serbe lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Takimet e përfaqësuesve të lartë të shtetit shqiptar në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të zhvillohen si me zyrtarët e vendeve që e kanë njohur Kosovën, edhe me ata të cilët ende nuk e kanë njohur atë. Qëllimi i këtij aksioni diplomatik në skuadër është që të mundësohet rritja e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, por, nga ana tjetër, edhe apeli ndaj vendeve që janë në dilemë për të mos bërë hapa mbrapa. Ndërkaq, mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës është njëra prej pikave më të forta ku diplomacia shqiptare tashmë mbështet qëndrimin e saj që duhet të mbahet ndaj Kosovës.
Kristaq Kume: “Djegia e fletëve të votimit, një muaj para zgjedhjeve”
Duke pritur 8 shtatorin, afatin limit kur Presidenti mund të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i bën apel KQZ-së të mos bëhet pjesë e lojës politike duke djegur fletët. Sipas tij, problemi i fundit i këtij institucioni në përgatitjen e garës elektorale të 2011-s është boshatisja e kutive, procedurë që mund të kryhet edhe vetëm një muaj para zgjedhjeve. “Edhe pas dekretimit të zgjedhjeve, KQZ-ja të mos bëhet target i politikës, le të presë që klasa politike ta zgjidhë problemin. Pra, të veprohet me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve, vetëm si produkt i konsensusit dhe jo zbatim formal i këtij ligji. Është e fundit pengesë boshatisja e kutive”, - është shprehur Kume.
Vetëm pak ditë më parë Kume i bëri thirrje Presidenti të dekretojë sa më parë ditën e zgjedhjeve vendore, ndërsa politikanëve të nisin punën për hartimin e reformës zgjedhore dhe të mos i bëjnë ndryshimet në minutat e fundit. “Kjo e vështirëson akoma më tej punën që duhet bërë, i ngushton akoma më tej mundësitë për rezultate të mira paraprake. Duhet të reflektohet nga politikëbërësit dhe klasa politike, nga institucionet përgjegjëse, të cilat kanë detyrimin për të përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e ardhshme, për të mos realizuar punët në ekstremet ligjore të lejuara”, - thotë Kume.
7 Gusht 2010