E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon beteja me pronarët e truallit

31/03/2010 Cirku i Tiranës

TIRANË- Ai i Tiranës është i vetmi cirk në Tiranë, i ndërtuar në qendër të qytetit dhe vazhdon të ketë probleme me drejtësinë që lidhen me truallin. Ka përfunduar një proces në shkallën e parë, i fituar nga pronarët, por Apeli e ka rikthyer çështjen sërish. Shkaku i prishjes së vendimit të parë ka qenë procedural. Brenda pak ditësh do të rinisë sërish beteja ligjore për ekzistencën e cirkut të Tiranës. Ilir Mustafaj e ka dhënë vendimin e parë në favor të pronarëve. Ndërkohë që kjo betejë për heqjen e çadrës së cirkut ka nisur që në vitin 2008. Palë paditëse është Astrit Veliaj dhe palë e paditur Bashkia e Tiranës që në këtë proces është përfaqësuar nga juristja Linda Treqa dhe juristja e Qendrës Kulturore “Tirana” Alda Ciko, si dhe si palë e tretë Avokatura e Shtetit përfaqësuar nga Saimir Nazifi. Gjykata e Shkallës së Parë me anë të vendimit Nr.11182 dt.24.12.2008 i ka dhënë të drejtë palës paditëse. Menjëherë pas këtij vendimi, pala e paditur i është drejtuar Gjykatës së Apelit. Dalip Bushi në apel në fund të procesit u shpreh për prishjen e vendimit të Shkallës së Parë si pasojë e shkeljeve të rënda procedurale. Procesi duhej të ishte gjykuar nga një trup gjyqtarësh për shkak se vlera e objektit e kalon shumën 10 milionë lekë. Pak ditë më parë ata paralajmëruan se nëse Apeli do të kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, atëherë ata do të hidheshin në protesta për mosmarrjen e Çadrës së Cirkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›