E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot për kompensimin e pronave

Autori i Lajmit: Anilejda Shëmbitraku
“Qeveria nuk ka hequr dorë nga aventura - apo skandali ekonomik - i emetimit dhe përdorimit të letrave me vlerë. Përveç se aventurë, dua të them se është politikë ekonomike e dështuar në fushën e privatizimit të ish-pronës shtetërore”,- kështu e ka komentuar Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, vendimin e qeverisë për të përfshirë letrat me vlerë në procesin e legalizimeve. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Ballkan”, ai ka sqaruar të gjitha prapaskenat e skemës së përdorimit të bonove të privatizimit.

Çfarë mund të na thoni në lidhje me procesin e bonove të privatizimit ose siç njihen ndryshe letrat me vlerë?
Me dekretin nr. 1030, datë 23.02.1995 të ish-presidentit Sali Berisha janë emetuar dhe shpërndarë bonot e privatizimit dhe para tyre janë shpërndarë lekët e privatizimit për ish-të përndjekurit politikë. Totali i bonove të privatizimit ka qenë 74,977 miliardë lekë, nga të cilat janë shpërndarë 52,229 miliardë lekë; kurse totali i lekëve për privatizim ka qenë 17,113 miliardë lekë, nga të cilat janë përdorur vetëm 4,669 miliardë lekë. Pra, në treg potencialisht mund të hidhen rreth 76,5 miliardë lekë bono dhe lekë privatizimi nëse hapet loja, shumë kjo e konsiderueshme.

Pak muaj më parë, qeveria ka marrë vendimin që parashikon se 50% e kostos së legalizimit të ndërtimeve pa leje të paguhet me letra me vlerë. Si e shikoni këtë nismë?
Kjo do të thotë se qeveria nuk ka hequr dorë nga aventura - apo skandali ekonomik - i emetimit dhe përdorimit të letrave me vlerë. Përveç se aventurë, dua të them se është politikë ekonomike e dështuar në fushën e privatizimit të ish-pronës shtetërore. Qëllimi i emetimit të letrave me vlerë ka qenë i tillë, por në fakt rezultoi ndryshe. Për paaftësi të qeverisë së asaj kohe, apo në mënyrë të qëllimshme, u krijua një treg spekulativ i letrave me vlerë, nëpërmjet të cilit përfituan njerëzit pranë pushtetit të asaj kohe, të cilët, me letra me vlerë të blera me çmim 1.5 deri në 4% të vlerës së tyre, privatizuan objekte të ish-pronës shtetërore, që i falimentuan dhe i shitën, jo më me letra me vlerë, por me lekë, duke u pasuruar shpejt dhe në mënyrë abuzive, me ndihmën e pushtetit.

Si e vlerësoni përdorimin e bonove për sa i takon procesit të legalizimeve?
E keqja e asaj që deklaroi kryeministri është shumëplanëshe. Është juridike, sepse me ligj destinacioni i përdorimit të bonove është vetëm privatizimi dhe jo tjetër, pra qeveria nuk mund të bëjë vendime në kundërshtim me ligjin. Me sa dëgjuam, qeveria do të bëjë ndryshim të vetëm të ligjit për legalizimin, pra as vetë nuk e ka të qartë apo nuk ka lexuar se destinacioni i përdorimit të këtyre letrave është vetëm për privatizimin dhe juridikisht nuk mund të trajtohet ndryshe, pa ndryshuar edhe ato dekrete që kanë emetuar letrat me vlerë. Është ekonomike, sepse letrat me vlerë për privatizim mund dhe duhet të përdoren vetëm në privatizim, sepse përdorimi i tyre jashtë destinacionit krijon shpërfytyrime në tregun e letrave me vlerë dhe dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Është spekulativo-korruptive, sepse krijohet mundësia e një spekulimi të ri nga njerëzit pranë pushtetit, të cilët para vitit 98 kanë grumbulluar sasi të mëdha të letrave me vlerë me çmim 1.5-4% në tregun spekulativ të asaj kohe dhe tani mund të përfitojnë shumë nga riaktivizimi i tyre.

Sipas jush, cili është qëllimi i nismës së qeverisë dhe çfarë mendoni se do të ndodh nëse kjo nismë realizohet?

Dy janë mundësitë. E para, që letrat me vlerë, të grumbulluara në mënyrë të paligjshme, të ridepozitohen në Buxhetin e Shtetit dhe t`u rishpërndahen ish-pronarëve në kompensim të pronës së zënë, çka do të ishte një tallje e madhe me ta. Kjo nuk besoj shumë se do të ndodhë. E dyta është që letrat me vlerë të grumbulluara nga ky proces të ridepozitohen në Buxhetin e Shtetit dhe buxheti t`i dëmshpërblejë ish-pronarët me lekë. Në këtë rast, i takon që ne, shqiptarët, të paguajmë një taksë ose gjobë të kamufluar. Nuk është e para herë që na bie të paguajmë në këtë mënyrë.

A përfituan shtetasit e thjeshtë nga shitja e letrave me vlerë?
Shtetasit u mashtruan, sepse ata morën 1.5-4% të kontributit të punës së tyre për 45 vitet, aq sa ishte çmimi i shitjes së letrave me vlerë në tregun spekulativ të “letrave me vrimë”, siç u quajtën në atë kohë dhe siç janë edhe sot, deri tani që po flasim. Mos harroni se 30% e shqiptarëve nuk i kanë tërhequr letrat me vlerë, pra 1/3 e popullsisë janë jashtë kësaj “loje”. Përfituesit e vërtetë janë spekulatorët, që privatizuan objektet përmes letrave me vlerë dhe ata shtetas, të ndihmuar e orientuar nga pushteti i atyre viteve, që kanë mbledhur sasi të mëdha në vlerë të atyre letrave dhe i kanë gjendje ende sot e kësaj dite.

Pas vendimit të qeverisë është folur për një rivlerësim të tregut të letrave me vlerë. Ju si e parashikoni këtë treg?
Specialistë të ndryshëm janë ndarë në një grupim pesimist, që thonë se rivlerësimi mund të shkojë deri ne 15-20% dhe optimist që thonë se rivlerësimi mund të arrijë deri në 50-55%. Gjithsesi, me 20% apo me 50%, të fituar do të jenë spekulatorët, që i kanë mbledhur këto letra, sepse ato nuk i disponojnë më qytetarët. Ata, duke humbur besimin në kohën e emetimit të tyre, i shitën tek spekulatorët fare lirë.

Sipas jush, qytetarët po mashtrohen nga Qeveria. Ku konsiston ky mashtrim?
Ju duhet të dini se ka ende rreth 24 miliardë lekë bono privatizimi të pashpërndara, pra ka qytetarë që nuk i kanë tërhequr ato. Përse në të gjithë këtë iniciativë nuk shohim ndonjë përçapje që të shpërndahen bonot e pashpërndara? Pra duket që kujdesi është i mirorientuar, që në treg të mblidhen bonot e privatizimit nga ata që i kanë grumbulluar ato në tregun abuziv, siç shpjeguam më lart.

AKUZAT
Socialistët nuk zhdukën asnjë bono privatizimi

Ne nuk zhdukëm asnjë lekë bono privatizimi. Këtë e bëri vetë qeverisja e djathtë që dogji dokumentet, ku dhe si deshi. Në qeverisjen socialiste u fol shkoqur se qytetarët ishin mashtruar nga Qeveria e djathtë, se gjoja do të përfitonin nga emetimi i letrave me vlerë. Në tetë vitet e qeverisjes socialiste përdorimi i letrave me vlerë u bë gjatë privatizimit të ish-ndërmarrjeve shtetërore, sidomos në sektorët strategjikë, ku punonjësit përdorën letrat me vlerë me vlerën e tyre të plotë. Qeverisja e djathtë pas 2005-ës, de fakto, pranoi dështimin e politikës së saj mbi emetimin e letrave me vlerë sepse përsëri nuk arriti të përdorte ato që kishin mbetur, si në Albtelekom, në ARMO, në OSSH apo gjetkë...Siç e shikoni, duke pranuar dështimin, kërkojnë rrugë të tërthorta për gjoja riaktivizimin e tregut me vlerë dhe kjo për të mbushur xhepat e spekulatorëve.

Situata për bonot e privatizimit të emetuara në lekë

Të shpërndara 9.000.000 ose 68.3 %
Te pashpërndara 23.748.000.000 ose 31.7 %
Totali 74.977.000.000 ose 100.0 %

Të përdorura në privatizim 10.935.193.000 ose 14.6 %
Të papërdorura 64.041.807.000 ose 85.4 %

Situata për lekët e privatizimit, të cilat u janë shpërndarë ish-të përndjekurve politikë është :

Të shpërndara 17.113.000.000 ose 100.0%
Të përdorura në privatizim 4.668.759.000 ose 27.4 %
Të papërdorura 12.444.241.000 ose 72.6 %

“LOJA”
Të prekurit nga letrat me vlerë

“Nisma e kryeministrit ndihmon drejtpërsëdrejti spekulatorët e tregut që disponojnë letrat me vlerë, të cilët mund të jenë edhe financues të fushatës luksoze të Partisë Demokratike. Këta posedues, në një treg të rivlerësuar të letrave me vlerë do të dalin shumë të fituar, nëpërmjet një spekulimi spektakolar, që po përgatit qeveria me pasion e zell të paparë. Në një farë mënyre, kjo do të jetë faza përmbyllëse e një vjedhjeje të madhe e të dyfishtë, që iu është bërë shqiptarëve nga e njëjta qeveri, një herë kur i nxori me gisht në gojë nga kontributi i tyre për 45 vite dhe tani, se duhet të paguajnë për spekulatoret që kanë përvetësuar mundin dhe djersën e tyre nëpërmjet tregut spekulativ të viteve 94-98! Përfitues do të jetë edhe grupimi i qytetarëve që do të bëjnë legalizimin, në atë masë që mund të lejojë rivlerësimi i letrave me vlerë, pra, mbase me 30-40% të vlerës së pronës që do të legalizohet. Por nuk ka arsye që ky lehtësim tu bëhet përmes një spekulimi, që të pasurohet një kategori njerëzish që përmendëm më lart. Të humbur do të jenë qytetarët të marrë së bashku, sepse dëmshpërblimi për ish-pronarët e trojeve ku do të bëhet legalizimi do të kryhet me lekët e tyre”.

Ky lajm është publikuar: 02/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›