E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Berisha jep udhëzimet: Jini gati për ekspertët e BE-së

Autori i Lajmit: Redaksia
Një grup i ri ekspertësh nga Bashkimi Evropian pritet të vijnë në Shqipëri për të monitoruar nga afër arritjet që po bën Qeveria në kuadër të kërkesës shqiptare për liberalizimin e vizave me vendet evropiane. Këtë e bëri të ditur Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit që pati si temë diskutimi liberalizimin e vizave. Me këtë rast Kryeministri kërkoi angazhimin maksimal nga të gjitha strukturat që po merren me këtë çështje në mënyrë që të jetë gati çdo përgjigje për informacionin që mund të kërkohet nga ekspertët e BE-së. “Ne presim një grup të ri ekspertësh, të cilët vijnë për të inspektuar, për tu njohur me progresin e bërë dhe për ta prekur në vend progresin e bërë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Agjencitë që do të vizitohen, pasi ekspertët i zgjedhin vetë edhe kohë, edhe vendin dhe agjencinë, të jenë të përgatitura për përgjigjet më të sakta dhe për demonstrimin për të qartë të atyre që janë zbatuar dhe që janë në zbatim e sipër, në përputhje me udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave”, - tha ai. Duke iu përmbajtur temës, Berisha tha se liberalizimi i vizave mbetet detyrë prioritare e qeverisë dhe se një progres shumë të madh ka njohur procesi i dokumenteve biometrike. Në këtë pikë kreu i Qeverisë kujtoi se për pasaportat e vjetra është përcaktuar viti 2011 si viti i fundit i përdorimit të këtyre pasaportave. “Për të gjithë ata që aplikojnë për pasaportat e reja, iu zhvleftësohet pasaporta ekzistuese”, - u shpreh Berisha. Ai theksoi më tej se janë plotësuar kërkesat për udhërrëfyesin e vizave. Kryeministri rideklaroi se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptar në BE pa viza, është një detyrë prioritare për të gjitha ministritë. Më pas kryeministri u fokusua tek puna e bërë kundër krimit në vend dhe theksoi se “ka një bashkëpunim të shkëlqyer midis policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror kundër krimit”. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, kreu i qeverisë nënvizoi edhe miratimin e ligjit për skafet qe pritet të bëhet brenda këtij muaji në Kuvend.

Ky lajm është publikuar: 02/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›