Rama kundër LMN-së: Po i shërben Berishës
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama për herë të parë ka dalë hapur kundër Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Në një intervistë për TCH ai ka pohuar se LMN po i shërben interesave të Berishës. Rama ka përsëritur gatishmërinë e tij për dialog por ka pohuar se nuk është e njëjta predispozitë dhe nga Berisha. Ai ka shtuar se nuk heq dorë nga hapja e kutive të votimit ndërsa ka pohuar se Berisha nuk mund të flasë për Kushtetutë kur janë rreth 16 ligje të Qeverisë të rrëzuara prej saj.
Presidenti Topi është shprehur por negociatave, ndërkohë që ju i qëndroni idesë për hapjen e kutive dhe Berisha në anë tjetër që ka dhënë qëndrimin mbi këtë kërkesë. A janë këto negociata të dështuara që pa filluar ende?
Unë jam shprehur qartë pa asnjë ekuivok se jam i gatshëm të ulem në tryezën për dialog që do zgjidhë krizën politike. Ndërkohë që nga ana e palës tjetër nuk ka asnjë sinjal të qartë publik për dialogun, por vetëm fjalë-fjalë dhe fjalë të cilat synojnë nga njëra anë të krijojnë idenë e gatishmërisë për dialog dhe nga ana tjetër fshehin pavendosmërinë e plotë, mungesën e qartë të vullnetit, për të hapur një dialog dhe për të zgjidhur këtë krizë politike. Unë uroj që ta zgjidhim përmes forcës së arsyes që jam i bindur se populli i opozitës do ta zgjidhë me apo pa Sali Berishën.
Kryeministri kërkon respektimin e vendimit të Gjykatës, ndërkohë që ju thoni se me kërkesën tuaj nuk e prekni këtë vendim. Si qëndron e vërteta?
Sali Berisha është njeriu i fundit në Shqipëri që duhet të flasë për Kushtetutën, pasi e ka shkelur atë 30 herë dhe 16 shkelje të tij janë provuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në fakt janë 16 atentate që janë anuluar nga kjo gjykatë. Nga ana tjetër kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka të bëjë as me gjykatën as me vendimin e saj, të cilit i referohet në mënyrë spekulative dhe të gënjeshtërt Sali Berisha, por ka të bëjë me të drejtën kushtetuese dhe ligjore të Parlamentit për të hetuar çdo çështje të veçantë. Dhe kjo është një çështje e një rëndësie kombëtare, e një rëndësie strategjike e një rëndësie atdhetare. Është çështja e lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, të cilën Parlamenti mund ta hetojë jo për të përmbysur pushtetin në tavolinën e hetimit, por për ti dhënë fund korrupsionit elektoral, për të çuar përpara drejtësisë, të gjitha ata që fusin duart në procesin elektoral, në rast se kjo vërtetohet nga hetimi. Nga ana tjetër për të bërë ndryshimet e nevojshme legjislative, të cilat do të burojnë drejtpërdrejtë nga një analizë e thellë, që do të vijë si pasojë e hetimit. Ti lëmë spekulimet, të ulemi për të zgjedhur krizën, ti hapim kutitë, ti japim fund një epokë të shëmtuar që na mban të ndarë jo vetëm nga Evropa, por dhe nga rajoni ku jetojmë ku askush nuk bën zgjedhje të tilla të turpshme dhe të hapim bashkë një epokë të re, epokën e Shqipërisë evropiane, duke filluar nga procesi i lirë dhe i ndershëm zgjedhor, ku populli voton, numëron dhe gjykon sesi ky proces është zhvilluar.
Mund të përfshijë kompromisin dhe Gjykata e lartë që ka zëvendësim mandatesh, po kështu dhe Kushtetuesja, apo duhet të fokusohemi në këtë moment vetëm tek zgjedhjet?
Në mënyrë që këto detyrime të zbatohen në funksion të interesit të vendit është e domosdoshme të çmontohet mekanizmi keqbërës i zgjedhjeve në Shqipëri dhe ti hapet rrugë një procesi demokratik, i cili padyshim zhvillohet në Parlament, por duke konsideruar faktin e thjeshtë se Parlamenti vlen si një ballafaqim mes forcave të ndryshme përfaqësuese të popullit, për aq kohë sa vota e popullit që i shikon shfaqjet demokratike të Parlamentit nuk e ka humbur fuqinë e saj. Në momentin kur vota e humbet fuqinë e saj për shkak të marrjes peng të procesit zgjedhor, popullit i takon të rimarrë fuqinë në dorë.
Ka disa deputetë të PS-së që kanë kërkuar të bëjnë një aksion politik duke iu kundërvënë linjës zyrtare?
Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi, aq më pak ndonjë opozitar që të ketë nevojë, për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet gjëkundi me rrugën e PS-së dhe për fat të keq konvergon plotësisht me rrugën e Sali Berishës dhe të këtij pushteti që ka grabitur zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë.
Ky lajm është publikuar: 02/02/2010