"Bookmaker"-s, fitorja e Barçës jepet me 2,50
Barcelona konfirmohet në krye të parashikimeve të "bookmaker"-save, si skuadra që do të triumfojë në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste, katalanët shihen si favoritët për fitimin e trofeut "me veshë të mëdhenj". Të besuarit e Pep Guardiolës kuotohen me koeficientin 2,50. Pas tyre vijnë kampionët në fuqi të Evropës, Mançester Junajtid, fitorja e të cilëve jepet 3,25. Për bastexhinjtë, Çelsi ka më pak shanse që të marrë trofeun prestigjioz: blutë, të cilët do të përballen me Barcelonën në gjysmëfinale, kuotohen si triumfues në finalen që do të zhvillohet në "Olimpiko" të Romës me koeficientin 4,50. Shanse edhe më të vogla lavdie për skuadrën e tretë angleze (nga katër gjysmëfinalistet): edhe pse ka një skuadër me shumë lojtarë të talentuar, fitorja e Arsenalit të Arsen Venger vlerësohet nga "bookmaker"-sat me 5,50.