Në derbi prezantohet grupi "Brigada e Kuqe"
Edhe pse në momente shumë të vështira, mes krizës financiare dhe luftës për mbijetesë në Superiore, Partizani vazhdon të jetë shembulli për sa u takon tifozerive. Pas krijimit të grupimeve të ndryshme në mbështetje të skuadrës, në derbin e fundjavës me Tiranën, pritet të prezantohet "Brigada e Kuqe". E veçanta e këtij tifo-grupi është se ai do të shtrihet edhe jashtë kryeqytetit, duke krijuar "fan club"-e edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë. "Sateliti" i parë i lëvizjes është krijuar në Skrapar. Në vitin e parë të jetës, anëtarësimet në këtë grupim do të bëhen falas, ndërsa më pas donacionet mbeten në dëshirën e anëtarëve. Sipas organizatorëve "kushti kryesor është dashuria për Partizanin", ndërkohë që edhe rregullat e grupit janë mjaft të veçanta. Nuk lejohet sharja apo ofendimi i lojtarëve, trajnerit dhe stafit të kuq gjatë ndeshjeve, pavarësisht rezultatit. Një tjetër "rregull" është se kënga dhe brohoritjet në tribuna nuk do të ndalojnë asnjëherë, pa marrë parasysh rezultatin.