E Diel, 1 Nëntor 2026

"Në Shqipëri nuk kishte as për të ngrënë"

Gjatë gjithë ditës ka refuzuar intervistat nga gazetarët shqiptarë, ndërsa nuk ka heshtur për shtypin holandez. Bëhet fjalë pikërisht për trajnerin Ari Han, i cili, pasi nuk e ka përtypur dot largimin (në formë shkarkimi të moderuar) nga Kombëtarja, nuk i ka kursyer "thikat pas shpine" për shqiptarët dhe në veçanti FSHF-në. Në një intervistë për "Voetbal International" ai është hedhur në kundërsulm për anën organizative të FSHF-së, besimin e tepruar të shqiptarëve, por edhe shumë gjëra të tjera, për të cilat nuk hapi kurrë gojë sa qe trajner i Shqipërisë. Ndonjë deklaratë e tij mund të qëndrojë, por në shumicën prej tyre është e lehtë të verifikohet doza e vrerit për shkak të atij largimi të detyruar.

Sipas njoftimit për shtyp, ju keni arritur një marrëveshje konsensuale për largimin tuaj.

Në të vërtetë, Federata Shqiptare e Futbollit do të kishte preferuar që unë të qëndroja, por vendosa të largohem, pasi ne thjesht nuk përshtateshim me njërit-tjetrin. Kudo mund të humbasësh ndeshje, por unë dëshiroja të punoja në një mënyrë tjetër, gjë e cila ishte e pamundur në Shqipëri.

Federata thekson se rezultatet në eliminatoret e Botërorit nuk ishin të mjaftueshme.

Rezultatet jo dhe aq të mira? Pra, edhe ata duhet të thonë diçka. Është e vërtetë që në ndeshjen kundër Maltës luajtëm shumë dobët, por jam shumë i pakënaqur që ndaj Hungarisë pësuam dy humbje të pamerituara si në transfertë edhe në fushën tonë, ku tentuam të merrnim një rezultat të mirë".

Deri ku mund të kishte shkuar kjo skuadër?

Unë nuk shkova në Shqipëri, duke u thënë atyre se ne mund të kualifikohemi për në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut, por ne donim që të mundnim Hungarinë. Pastaj, nuk është prekur çështja e organizimit. Unë e kisha diskutuar këtë që në bisedën e parë që pata me FSHF-në. Asgjë nuk ishte e rregulluar siç duhet edhe pse ia kisha kërkuar presidentit Armando Duka. Na e mbyllën në fytyrë derën e stadiumit dhe u desh ndërhyrja e ministrit që të stërviteshim në të. Për më tepër, ne nuk kishim një hotel të përhershëm ku të qëndronim, nuk kishte ushqime, nuk kishte pije. E ndieja veten shpesh më shumë si menaxher i skuadrës sesa si trajner i saj. Ishte nisma ime që të takohesha me Dukën për të biseduar (për prishjen e kontratës). Ishte diçka e thjeshtë për të ditur se, "çfarë mendoj unë dhe çfarë mendon ti". Arritëm shpejt në përfundimin se nuk kishte arsye që të vazhdonim më tej".

Po ju vetë çfarë nuk bëtë si duhet?

"Ne nuk arritëm të fitonim. Dhe ndoshta kam kërkuar shumë gjëra në të njëjtën kohë. Ndërsa besimi i tyre ishte më i madh sesa duhej. Ndoshta unë duhej ta kisha ditur që në një vend si Shqipëria nuk është e mundur gjithçka. Por gjithsesi, isha i zënë duke përgatitur ndeshje. Ata nuk kishin një objektiv të qartë, thjesht nuk e kishin përcaktuar një gjë të tillë. Kishte ardhur koha për të thënë "mjaft" me Shqipërinë. Atje nuk ka qenë e mundur të kisha një influencë normale mbi skuadrën. As nuk mund ta krahasoj aventurën time te kjo kombëtare me atë të Kinës. Kjo ishte e gjitha"

Ndoshta ju mund të riktheheni përsëri në kombëtaren e Kinës?

"Muajin e ardhshëm do të shkoj atje për të biseduar. Menjëherë Federata Kineze më ka kontaktuar për të më thënë se mund ta rifillojmë aty ku e kishim lënë. Besoj se do të duhen nja dy javë për të pushuar paksa".

Reagimi

Batuta e 33-vjeçarit: "Bariç drejt rikthimit? Të falsifikojë moshën"

Kapiteni Altin Lala: Largimi i

Ari Han ishte vendimi i duhur

Altin Lala nuk përdor lojëra fjalësh për të thënë atë që mendon. Kapiteni i Kombëtares deklaroi se marrëveshja ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe trajnerit Ari Han, për prishjen e kontratës, ishte vendimi më i mirë. Për 33-vjeçarin, dështimi i teknikut holandez në krye të stolit kuqezi ishin humbjet me Hungarinë, skuadrën që cilësohej si rivalja direkte në eliminatoret e Botërorit 2010. "FSHF-ja dhe Ari Han morën vendimin e duhur, duke zgjedhur që të mos vazhdonin më punën së bashku, deklaroi Lala për ‘Express‘. Hanin e fajësoj vetëm që nuk mundi ta rendiste Kombëtaren përpara Hungarisë. Ai e kishte të qartë që prej momentit kur u emërua, se ata ishin rivalët tanë në grup dhe objektivi ishte të pozicionoheshim një vend më lart se hungarezët. Trajneri nuk arriti ta realizonte këtë. Ndërsa, për të tjerat mund të them se grupi ynë është mjaft i vështirë dhe ekipet e tjera (duke përjashtuar Maltën), normalisht që janë më cilësore sesa Shqipëria". Mesfushori shtatshkurtër i Hanoverit në Bundesligën gjermane ishte i pari që doli "kundër" trajnerit Han, menjëherë pas humbjes 3-0 me Danimarkën. Ai e ndoqi ndeshjen nga tribuna e stadiumit "Parken", nga ku mund të analizonte më lehtë paraqitjen e skuadrës në Kopenhagen dhe lëvizjet taktike të "tulipanit". Vetëm pak orë pas sfidës në Kopengahen, Lala tha: "Nuk fajësoj futbollistët, pasi ata dhanë maksimumin. Trajneri është personi që bën formacionin. Nuk duhej të luanim 90 minuta në mbrojtje. E mbështes faktin se duhej të mbroheshim mirë, pasi nuk mund të ushtronim presion ndaj Danimarkës, por edhe duhej të sulmonim. Nuk krijuam asnjë rast në portën kundërshtare".

Kapiteni u distancua nga diskutimet nëse në krye të përfaqësueses duhet të emërohet një trajner i huaj apo shqiptar. "Nuk dua të flas rreth faktit se te Shqipëria duhet të emërohet një trajner shqiptar apo i huaj. Ky vendim i takon presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili i njeh mirë trajnerët. Gjithsesi, nëse vendoset të afrohet një trajner i huaj, kushti është që ta njohë mentalitetin shqiptar", shtoi Lala. "Pavarësisht se cili do të emërohet, ai duhet të punojë kryesisht në aspektin e analizimit të cilësive të futbollistëve shqiptarë që luajnë si brenda vendit, ashtu edhe nëpër Evropë. Trajneri i ri duhet të përkushtohet te talentet". Rreth spekulimeve se në stolin e Shqipërisë mund të kthehet Oto Bariç, kavajasi nuk humbi rastin të bënte një batutë: "Përpara se të kthehet në Kombëtare, Bariç duhet të falsifikojë pasaportën, tha duke qeshur. Ai ishte vërtet mjaft i përgatitur, por është mbi 75 vjeç. Nuk e di sa do të ishte në gjendje të punonte me skuadrën duke pasur parasysh moshën e tij".

Trajneri

FSHF, pasuesi i Ari Han

do të jetë sërish i huaj

Edhe pse Ari Han është larguar zyrtarisht vetëm të mërkurën nga drejtimi i Kombëtares, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka filluar që pak ditë pas humbjes me Danimarkën të gërmojë në kërkim të një trajneri të ri. Gjasat në federatë janë për vazhdimësinë e traditës së "erës" Duka, prandaj tekniku që do të zërë vendin e lënë bosh nga largimi i holandezit pritet të jetë sërish një i huaj. Duket se për herë të parë do të procedohet në bazë të një projekti afatgjatë, gjë që pritet të jetë kusht edhe për trajnerin e ri. Njeriut që do të zëvendësojë Hanin, me shumë mundësi do t‘i ofrohet një kontratë 3-vjeçare, e cila përfshin tri ndeshjet e mbetura të eliminatoreve të Botërorit 2010 dhe gjithë edicionin e ardhshëm të eliminatoreve të Euro 2012. Për momentin qarkullojnë disa emra, por nuk është gjetur asnjë kandidaturë stabël. "Ankandi" është i hapur dhe FSHF është në pritje të dorëzimit të kërkesës së të interesuarve shoqëruar edhe me CV-në përkatëse. Mosngutja është e favorizuar edhe nga fakti se ndeshja e radhës për përfaqësuesen daton në muajin qershor. Një ide është ajo e gjetjes së një trajneri ballkanik, ndërsa në qarqet sportive qarkullon edhe emri i një trajneri shqiptar vetëm për ndeshjet e mbetura në Grupin 1 eliminator të Botërorit 2010. Në historinë e saj, kombëtarja shqiptare është udhëhequr nga 6 trajnerë të huaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›