E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pritje të gjykimit në Hagë

Dita e sotme, 17 prill, shënon afatin e fundit për dorëzimin e dokumentacionit nga Prishtina zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës. Materiali, i kërkuar dhe i domosdoshëm për përballjen ligjore të shtetit të Kosovës me Serbinë në Hagë, është i përfunduar, i argumentuar, i konsultuar me ekspertë ligjorë dhe i gatshëm të ndeshet me argumentet dhe pikëpamjet e Beogradit, që kanë të njëjtin afat për t‘u paraqitur.

Shqyrtimi i pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u miratua më 8 tetor 2008 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pas investimit e lidhjeve tradicionale politike e diplomatike të Beogradit, si kryeqendra e ish-Jugosllavisë. Për këto arsye, Asambleja e Përgjithshme miratoi kërkesën e Serbisë që GjND-ja e Hagës të japë një opinion (nënvizim im) për pavarësinë e Kosovës. Beogradi e cilësoi menjëherë këtë miratim si fitore diplomatike dhe politike të Presidentit Tadiç dhe ekzekutivit qendror të Serbisë. Kjo u etiketua si arritje e një prej objektivave të premtuar prej tyre, gjatë fushatës zgjedhore për marrjen e votës së ekstremistëve nacionalistë dhe, këta të fundit, me këtë "arritje" u ndjenë "të fuqishëm" e të motivuar shtetërisht.

Nuk mund të mos thuhet që nisja e procesit në Hagë është një spektakël i radhës së politikës nacionaliste serbe. Por, gjithashtu nuk mund të mos vihet në dukje dhe të theksohet që përballja e Kosovës me Serbinë në GjND-në në Hagë është një përballje e madhe ligjore e politike, që nuk mund të anashkalohet nga opinioni botëror. Këtë e dine shtetarët e Beogradit, që nuk i kanë rreshtur përpjekjet diplomatike dhe politike për ta ndikuar opinionin shoqëror e shtetëror botëror në favor të Serbisë.

Shtetarët e Serbisë e dinë mirë (nuk mund të them se sa është i qartë për këtë populli serb) që vendimi i pritshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk është i detyrueshëm për zbatim, por është vetëm një mendim, një opinion rreth kësaj çështjeje. Ata e dinë që pavarësia e shtetit tonë nuk mund të zhbëhet, që Kosova nuk mund t‘i rikthehet më kurrë si koloni ose si pjesë krahinore Serbisë. Me çuarjen për gjykim në Hagë të "ligjshmërisë" së pavarësisë sonë, udhëheqësit serbë synojnë frenimin ose, më së paku, ngadalësimin (të cilin deri diku e kanë arritur) të njohjes ndërkombëtarisht të Kosovës si shtet dhe qetësimin e mbështetjen "shpirtërore" të politikës së iniciuar e të mbajtur gjallë nga ekstremistët nacionalistë serbë.

Këto kanë qenë objektivat e drejtuesve serbë, që çuan për votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kërkesën për shqyrtim nga GjND-ja të ligjshmërisë së pavarësisë sonë. Por, me afrimin e shqyrtimit të kësaj çështjeje në Hagë, të shqetësuar se Gjykata mund të mos shprehet në favor të kërkesës së tyre, fillimisht disa media të shkruara dhe, menjëherë, politika shtetërore serbe parashtruan dhe amplifikuan "akuzën" që "ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shkelur të drejtat e civilëve në Kosovë, ka keqtrajtuar, në disa raste, edhe ka vrarë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme" ("akuzë" kjo e montuar "me mençuri", për të ndikuar mbi opinionin botëror demokratik dhe në opinionin mbarëserb e atë të kombësive të ndryshme, të pranishme në shtetin e Kosovës. E po ashtu akuzë, që bëhet nga shteti serb, që u njoh në mbarë botën për gjenocidin, për përdhunimin dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet dhe shtëpitë e tyre. E akuzojnë UÇK-në bashkëkombësit, bashkëqytetarët e Milosheviçit dhe bashkëpunëtorët e tij, që ndodhen prej kohësh në Hagë për t‘u gjykuar për krime lufte. Akuzojnë ata, që detyruan NATO-n për t‘i vënë fre dhe për t‘i dhënë fund një krimi të paparë humanitar në Evropë, qysh pas Luftës së Dytë Botërore.

Akuzat shpifëse kurdoherë kanë pasur dhe do të kenë efekt e jetëgjatësi tepër të shkurtër. Këtë fat do të ketë edhe akuza serbe, e shtuar me vonesë dhe sforco si "argument" për fillimin e procesit gjyqësor në Hagë. Ky proces, që fillon me dorëzimin e dokumenteve të të dy shteteve të përballur në Gjykatën e Drejtësisë, pritet të zgjasë. Sido që të jetë përfundimi i këtij gjykimi, ai do të përbëjë vetëm një opinion dhe jo një vendim detyrues. Kosova është shtet i pavarur dhe i tillë do të jetë!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›