E Diel, 1 Nëntor 2026

Koboli: Të mundim Interin, kjo sfidë është çështje nderi

Goli i parë i pësuar në Xhenoa, mbrëmjen e së shtunës së kaluar, ishte i parregullt (për shkak të vërshëllimës së gjyqtarit Roki para se topi të goditej nga Thiago Mota, më pas u shënua goli), por Juventusi ka vendosur të mos bëjë asnjë reklamim për të. Këtë e konfirmoi vetë presidenti i bardhezinjve, Xhovani Koboli Xhijli, duke shpjeguar edhe pozicionin e klubit. "Jemi të bindur se ndeshjet duhen fituar në fushë, deklaron numri një i bardhezinjve në momentin e mbërritjes në Federatën Italiane të Futbollit në Milano, për asamblenë informale. Edhe pse në këtë rast, gabimi i gjyqtarit ishte i dukshëm, nuk do të bëjmë asnjë reklamim. Ne duhet të fitojmë në fushë, edhe pse ndonjëherë janë gabimet arbitrale që nuk na ndihmojnë".

Por të ishte për tifozët e Zonjës së Vjetër, do të duhej një grup drejtuesish më të fortë e më të ashpër, të cilët të bëjnë të ndihet më shumë zëri i tyre në federatë. "Edhe pse do të ishte rasti që unë të ankohesha për gjykimin, - është replika e Koboli Xhijlit, - besoj se nuk është e nevojshme të bërtasim dhe të themi lloj-lloj fjalësh për të na kuptuar. Mund të flitet edhe me zë normal, edhe pse ndonjëherë, edhe mua më ndodh që të përplas grushtin në tavolinë. Mendoj se e folura në mënyrë normale mund të merret në konsideratë më shumë se sa e folura në mënyrë të dhunshme. Është më mirë të jesh autoritar, gjë që mendoj se nuk jam, por aspiroj të jem, sesa të jesh agresiv".

Është e pashmangshme që, pak ditë para përplasjes kokë më kokë me Interin kryesues të Murinjos, presidenti i Juventusit të mos prononcohet për derbin e Italisë. "Është një ndeshje shumë e vështirë, sigurisht e komplikuar. Do të na mungojë ndonjë lojtar i rëndësishëm për shkak të skualifikimit apo ndonjë tjetër për shkak dëmtimesh. Është një sfidë, të cilën unë, si tifoz, dhe klubi e përjetojmë vërtet shumë dhe përtej pikëve do të jetë edhe çështje nderi", nënvizon Koboli Xhijli. Më pas, ai pohon se, nuk beson më te mundësia për titullin kampion. "Titulli? Është një objektiv ende i arritshëm vetëm matematikisht. Vendi i dytë në renditje është i rëndësishëm dhe do të duhet të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur: Juve e dëshiron më shumë se Milani". Përveç të tjerash, numri një i bardhezinjve nuk dëshiron të flitet për marrëdhënie të prishura mes Del Pieros dhe Ranierit ose gjëra të tilla. Njëri nga të dy është i tepërt? "Jo, besoj se nuk është e mundur. Nëse ndonjëherë kanë pasur diçka për t‘i thënë njëri-tjetrit, e kanë sqaruar duke folur mes tyre, ashtu siç ndodh mes burrave të vërtetë".

Ashtu si Blank, edhe Koboli Xhijli, në fund rithekson besimin te tekniku. "Fjalët e Blank janë mendimi i një këshilli të tërë administrativ. Ai ka folur edhe për projekte afatmesme dhe afatgjata, të cilëve u besoj në mënyrë të veçantë, sepse për të arritur suksesin është e nevojshme të investosh në kohë. Megjithatë, përfundon presidenti bardhezi, uroj që ta mbyllim vitin duke fituar Kupën e Italisë dhe duke mbrojtur vendin e dytë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›