E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, bllokohet autobusi me 27 fëmijë

RESHJET/ Rreth 30 makina u bllokuan përgjatë aksit që shkon në Rrëshen, ndërsa nuk kishin asnjë mundësi kalimi


Një autobus me 27 fëmijë ka mbetur i bllokuar pasditen e djeshme rreth 10 kilometra pa mbërritur në Fushë-Arrëz. Autobusi me fëmijë i përkiste Qendrës Kulturore të Rrëshenit dhe ktheheshin pas festimit të 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Kosovë. Rreth orës 18:00, ortekë të rënë në të dy krahët e rrugës kanë bërë që autobusi dhe një automjet, tip "Benz", që shoqëronte autobusin të bllokohen dhe të mos mund të kalojnë për rreth katër orë. Ishin prindërit e fëmijëve ata që njoftuan policinë dhe autoritetet vendore të Rrëshenit. U njoftua policia e Lezhës dhe Pukës për të dhënë ndihmë për fëmijët e bllokuar, ndërsa drejt tyre u nisën mjete borëpastruese dhe efektiva policore.
***
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, nga ana e personave të pranishëm në vendngjarje u bë e ditur se një fadromë kishte mbërritur nga Fushë-Arrëzi për në vendin ku kishte mbetur autobusi me fëmijët. Në këtë vend ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit Ndue Paluca. Duke vënë fadromën para dhe autobusin pas, filloi edhe zhvendosja drejt Fushë-Arrëzit. 10 kilometrat e mbetur për të arritur deri në këtë qytet u realizuan për rreth tri orë për shkak të motit të keq. Autoritetet vendore njoftuan se bllokimi kishte ardhur si pasojë e ortekëve të rënë. Më pas ka filluar edhe stuhia e dëborës çka ka bërë të pamundur lëvizjen e autobusit me fëmijët. Nga ana e kryetarit të bashkisë së Fushë-Arrëzit u deklarua se për fëmijët është siguruar vendi për strehim dhe fjetje përgjatë natës, ndërsa pritet që vetëm të enjten ata të mund të vazhdojnë për në Rrëshen, nëse rruga do të zhbllokohet. Burimet zyrtare shprehen se përgjatë këtij aksi mbrëmjen e kaluar kanë mbetur të bllokuara rreth 30 automjete, të cilët nuk do të mund të mbërrinin në Rrëshen.
***
Në kontaktet telefonike të marra me drejtuesin e grupit, Kol Picaku, gjatë kohës së bllokimit të autobusit rezultoi se fëmijët nuk kishin asnjë problem me shëndetin. 27 fëmijët kryesisht të moshës 10-11-vjeçarë janë artistë të qendrës kulturore të fëmijëve që drejtohen nga mjeshtri i muzikës, Kol Picaku. Marrja e disa trofeve në shumë aktivitete kombëtare dhe mbarëkombëtare brenda dhe jashtë vendit i ka bërë që ata të mirëpriten dhe të kenë ftesa në shumë aktivitete në trevat shqiptare edhe jashtë kufijve. Një ftesë të tillë artistët e vegjël mirditorë iu përgjigjen për të marrë pjesë në festimet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në përvjetorin e parë, ndërsa dje po ktheheshin në vendlindje. Ndërkohë, pritet dita e enjte për më tepër informacion për situatën për shkak të motit të rënduar.

Bora, rrezikshmëri e lartë në Qafë-Thanë e Qafë-Kërrabë
Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës stuhitë e dëborës të shoqëruara me erë dhe ngrica kanë bërë që akset rrugore në Qafë-Krrabë dhe Qafë-Thanë të jenë mjaft të rrezikshme. Në këto masive trashësia e dëborës arriti deri në 30 centimetra duke shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim. Për të monitoruar situatën dhe për të disiplinuar qarkullimin, në Qafë-Krrabë dhe Qafë-Thanë janë instaluar shërbime 24 orë të policisë rrugore. Në Elbasan, në urën e Bradasheshit është vendosur një postbllok që nuk lejon qarkullimin e automjeteve pa zinxhirë në drejtim të Tiranës. Në lartësi ka shërbime të tjera shtesë. Po kështu edhe në Qafë-Thanë qarkullimi është tejet i vështirë dhe realizohet vetëm me zinxhirë. Për të zhbllokuar situatën janë vënë në dispozicion automjete, fuqi punëtore dhe borëpastruese. Në Qafë-Krrabë punon pa pushim një e tillë e cila mban të hapur me vështirësi aksin rrugor Elbasan, kilometri 29. Punëtorët hedhin vazhdimisht kripë, por reshjet e dendura janë të papërballueshme. Gjatë orëve të natës, qarkullimi i automjeteve në këto akse ka qenë i pamundur. Lëvizja e tyre është devijuar nga Durrësi, në mënyrë që të shmangen aksidentet e mundshme. B.Nergjoni

Bllokohet sërish Llogoraja

Reshjet e borës, të cilat kanë arritur në trashësinë 60cm, bllokuan për disa orë Qafën e Llogorasë. Disa automjete kanë mbetur të bllokuara përgjatë orëve të natës, deri në ndërhyrjen e ndërmarrjes së rrugëve me anë të mjeteve borëpastruese. Ndërmarrja e rrugëve ka nisur në orën 04:00 të mëngjesit në drejtim të Llogorasë një borëpastruese, si dhe dy mjete me zinxhira për të pastruar në vazhdimësi borën. Pastrimi i rrugës është bërë i mundur në orën 10, kur edhe kanë mundur të lëvizin automjetet me zinxhirë. Në orën 12 është bërë e mundur qarkullimi i mjeteve pa zinxhirë pas hedhjes së kripës në të gjithë gjatësinë e rrugës


------------------------------------------------------------

SHKODËR - Debate të ashpra dhe akuza e kundërakuza ka pasur gjatë analizës së punës së vitit 2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në Shkodër, ku nuk kanë munguar as akuzat e lëshuara nga prokuroria. Si asnjëherë tjetër, në vitet e fundit, në analizat e punës së këtyre dy shkallëve të gjyqësorit, deklaratat mes diskutuesve, gjyqtarë e prokurorë, kanë qenë të ashpra. "Prokuroria e rrethit, në bashkëpunim me Gjykatën e Apelit kanë krijuar klane, të cilat ecin në bazë të favorizimeve, - deklaroi në diskutimin e saj gjyqtarja e Shkallës së Parë, Arta Llazari. Këtë pohim ajo e ka arsyetuar me dy çështje të ngjashme të gjykuara nga ana e saj, ku njëra është kthyer për rishqyrtim nga ana e Gjykatës së Apelit, ndërsa tjetra është lënë në fuqi. Për rastin e kthimit për rishqyrtim, sipas Llazarit ka qenë prokuroria që ka ndikuar tek Gjykata e Apelit. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe gjyqtari tjetër i Shkallës së Parë, Aleks Nikolli, i cili theksoi se gjykimet e Apelit nuk duhen marrë si bazë pasi këto vendime nuk janë të pagabueshme. Sipas tij, ka raste kur Gjykata e Apelit prish ose ndryshon vendime të Shkallës së Parë të cilat kanë qenë të drejta dhe të bazuara në ligj.
***
Kryetari i Apelit në Shkodër, Fatmir Hoxha, iu kundërpërgjigj këtyre akuzave duke deklaruar se në të shumtën e rasteve vendimet e Shkallës së Parë kthehen pasi vërehet neglizhencë e ndjeshme. Sipas tij, ka raste ku për dënime të rënda, siç janë ato me burgim të përjetshëm apo 25 vjet burgim, Gjykata e Shkallës së Parë bën një arsyetim prej vetëm një faqeje, ndërkohë që arsyetimi për dhënien e këtyre dënimeve në Apel kalon 10 faqet. Po kështu, Hoxha ka treguar raste kur të dënuarve deri dhe me 4 vjet burgim nuk iu komunikohet akuza, ndërsa ai ndërkohë ka kryer dhe dënimin. Debatet kanë bërë që vazhdimi i analizës të bëhet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medieve. Kryeprokurori Përparim Kolluri, në diskutimin e tij ka evidentuar dobësitë e punës së Gjykatës së Shkallës së Parë, veçanërisht në caktimin e masave të sigurisë dhe shuarjen e masave të sigurisë, shpalljen e pavlefshme të akteve të ekspertizave të kryera nga oficierët e policisë gjyqësore, vonesa në zbardhjen e vendimeve nga e gjyqtarëve.
---------------------------------------------------------------

Gjatë analizës së punës së gjykatave të dy shkallëve ka qenë i pranishëm dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Ai ka evidentuar problematikat që has gjyqësori shqiptar çdo ditë në dhënien e drejtësisë dhe zhvillimit të misionit të saj, për shkak të mungesës së infrastrukturës, por edhe të dhënave të nevojshme të informimit për gjykimin e çështjeve të caktuara. Kryetarja e Gjykatës së Shkallës së Parë, Valbona Durraj, ka theksuar aspektet problemore të zbatimit korrekt të ligjit material dhe procedurial, të rritjes së cilësisë së gjykimit, në evidentimin e shkaqeve të goditjes së vendimeve gjyqësore, si dhe në rritjen e transparencës së gjykatës ndaj publikut dhe medias. "Janë rreth 80% e vendimeve të marra nga kjo gjykatë që nuk janë ankimuar në shkallën e dytë të gjyqësorit",- deklaroi Durraj. Ky fakt ka bërë që nënkryetari i KLD-së të kërkojë argumente për këtë statistikë konkrete, për të kuptuar nëse mosankimimi i vendimeve të themelit për veprat penale ka ardhur për bindjen e të pandehurve apo të prokurorisë, pa lënë mënjane faktin se një pjesë e konsiderueshme të këtyre veprave penale janë të rënda. Ka qenë kjo kërkesë e Spahiut që ka çuar në debatin për kërkimin e më të aftit mes gjyqtarëve të Faktit dhe Apelit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›