Dështon grabitja plagoset pronarja e këmbimit valutor
Dy persona me kapele në kokë, nuk arritën t'i merrnin çantën Rudina Shametit, në të cilën mendonin se ishin paratë, duke plagosur atë
Policia nis hetimin për zbardhjen e autorëve të krimit, të larguar nga vendngjarja me një motor. Rrëfimi i pronarëve
TIRANE- "Gabitës me armë dhe banda si në lagjet e Nju- Jorkut. ja kështu ndodhi edhe këtu". Ai që rrëfen është kunati i Rudina Shametit, gruas 34- vjeçare, që dje mrekullisht i shpëtoi vdekjes, kur dy persona me kapele me armë, hynë në dyqanin e saj të këmbimit valutor, për t'i marrë paratë ndërsa ajo po hapte dyqanin e saj. Ora ishte rreth 8:00 të mëngjesit të djeshëm, fare në qendër të Tiranës, kur dy persona të armatosur hynë në një dyqan të këmbimit të parave me qëllim grabitjen e parave në pronësi të Rudina Shametit dhe bashkëshortit të saj. Por grabitja e tyre, nuk rezultoi aq e thjeshtë pasi iu desh të largoheshin me një person të plagosur ndërsa motori i tyre u pa të rrugëtonte drejt kryqëzimit të 21 Dhjetorit, në kryeqytet. Për më tepër ata nuk mundën t'i merrnin gruas, çantën e parave të cilën duket se e kishte ndarë mendjen ta mbronte edhe me gjak. Rudina, mori një plagë në këmbë ndërsa policia mbërriti në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet e saj. Si provë deri më tani, policia ka marë deklarimet e bashkëshortit të të dëmtuarës, asaj vetë dhe disa dëshmitarëve të tjerë.
Grabitja
Rreth orës 8:00 të mëngjesit të djeshëm, 34-vjeçarja Shameti, sapo hapi dyqanin e saj, në hyrje të rrugës së "Kavajës" në qendër të Tiranës, ndërsa në dorë mbante një çantë. Ende pa vënë këmbët në ambientet e brendshme të dyqanit ajo dëgjoi një zë të panjohur që i kërkoi të lëshonte çantën. E vetme në dyqan, ndërsa vetëm pak metra larg ndodhej bashkëshorti i saj i cili po parkonte automjetin, ajo nuk pranoi t'i japë çantën personit të panjohur ndërsa tuta e ftohtë e pistoletës dukej nga çasti në çast se do nxirrte zjarr. Jashtë dyqanit, një tjetër djalë i ri ortak i të armatosurit, qëndronte në pritje të çantës që mendohej se kishte paratë dhe zgjidhjen e një fitimi të mirë për ca ditë. Ndoshta i panjohuri, një person rreth 20- 22 vjeç, me shtat të hedhur, i veshur me xhinse dhe me kapele, nuk kishte parashikuar kaq shumë rezistencë.
Pas disa sekondash përpjekje njeriu arma në dorën e të cilit dridhej, shkrehu pistoletën në drejtim të Shametit së paku katër herë.
Dy plumba e plagosën atë në këmbë. Bashkëshorti i të plagosurës, ndërsa parkonte automjetin e tij veshët i zunë të shtënat që vinin nga dyqani i tij. S'është dashur shumë që ai të braktiste mjetin dhe të nxitonte të kuptonte ç'po ndodhte. "Mundi vetëm të shihte motorin që rrëshqiste përmes vargut të makinave të mëngjesit në drejtim të kryqëzimit të 21 Dhjetorit",- pohoi për "Shekullin", kunati i gruas së plagosur, që në fakt nuk kuptohet se përse refuzon të identifikohet. Gruaja u transportua në spitalin Ushtarak në Tiranë ku pas ndërhyrjes mjekësore në këmbë ia ka hedhur mirë dy plagëve të marra në këmbën e djathtë.
Hetimi: autorët dy djem 20- 22 vjeçarë
Oficerët e seksionit të luftës kundër vjedhjes me armë në Policinë e Tiranës morën në pyetje dëshmitarët e ngjarjes për të mbledhur të dhëna mbi detajet fizike të autorëve. "Ishin dy persona të moshës 20-22. Njëri prej tyre hyri në ambientet e brendshme të dyqanit për të marrë paratë ndërsa tjetri qëndronte jashtë. Ata kanë qenë të armatosur me pistoletë tip-TT. Ndërsa kishin veshur xhinse dhe xhupa të zinj si dhe mbanin kapuç të zi në kokë" thanë për "Shekullin" burime nga policia. Gjithashtu të njëjtat burime shtuan se gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar rreth 10 persona si autorë të dyshuar të ngjarjes por pasi janë marrë në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash. Ndërkohë që policia në vendin e ngjarjes sekuestroi 4 gëzhoja pistoletë, si dhe prova të tjera të lëna nga autorët. Këta të fundit janë larguar me një motor tip-Skuter pa targa. Sipas policisë, dy të rinjtë nuk kanë mundur të marrin çantën e Shametit pasi kanë hasur në rezistencën e saj.
Pretenca
Dy nga policët e akuzuar, sipas prokurorisë ishin pjesë e trafikut................................................ duket lehtësuar kalimin njerëzve
Kërkohen 54 vite burg për 5 të pandehur për trafik klandesinësh
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon shpalljen fajtorë dhe dënimin me burg të një grupi personash, mes tyre edhe policë të akuzuar për kondrabandim të njerëzve dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Përfaqësuesi i Prokurorisë, i kërkoi trupit gjykues t'i deklaronte fajtorë pesë të pandehurit e akuzuar për "trafik klandestinësh" nga Shqipëria me destinacion Greqinë.
Ai i kërkoi togave të zeza dënimin e tyre në total me 54 vjet burg dhe me një masë prej 3.4 milionë lek gjobë ndaj tyre. Kështu, prokurori i çështjes, Ardian Nezha, pas disa seancave gjyqësore të shqyrtimit të dosjes së tyre,
lexoi pretencën ndaj pesë të pandehurve nga Saranda, mes tyre dy ish-efektivë të policisë së këtij qyteti. Sipas akuzës, i pandehuri Arjan Shehu, është cilësuar si organizatori i këtij rrjeti të trafikut të klandestinëve që kishte si pikënisje Shqipërinë dhe destinacioni ishte shteti grek. Një veprimtari e tillë sipas akuzës kryhej kundrejt shumave të konsiderueshme me qëllim "lehtësimin" e rrugës nga dy efektivët e policisë Kadri Emini dhe Ilmi Bejko, të cilët kryenin shërbimin në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës në Sarandë. Sipas prokurorisë, në harkun kohor maj-qershor 2007 të pandehurit: Arjan Shehu, Emin Halili, Ilia Thoma dhe punonjësit e policisë Kadri Emini dhe Ilmi Bejko në 5 raste kanë bashkëpunuar në formën e "grupit të strukturuar kriminal" duke bërë të mundur kalimin e një numri të konsiderueshëm personash nga territori shqiptar në atë grek në mënyrë të kundraligjshme dhe kriminale. Për kryerjen e këtyre veprave penale, prokurori i çështjes kërkoi nga togat e zeza t'i deklarojë fajtor të pesë të pandehurit për veprat penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" në kuadër të "grupit të strukturuar kriminal" dhe t'i dënojë me nga 11 vjet e 6 muaj burg secilin dhe me nga 7.5 milionë lekë të vjetra gjobë dy punonjësit e policisë Kadri Eminin dhe Ilmi Bejkon. Ndërkaq, për të pandehurin Arjan Shehu prokurori kërkoi nga gjykata ta dënojë atë me 11 vjet heqje lirie dhe 7 milionë lekë të vjetra gjobë. Ndërsa, për të pandehurit Emin Halili dhe Ilia Thoma prokurori kërkoi dënimin e tyre me nga 10 vjet burg secilin dhe me nga 6 milionë lekë të vjetra gjobë.
Kadri Emini, 11 vite e 6 muaj burg, 750 mijë lekë gjobë
Ilmi Bejko,11 vite e 6 muaj burg, 750 mijë lekë gjobë
Arjan Shehu, 11 vite burg, 700 mijë lekë gjobë
Emin Halili 10 vite burg, 600 mijë lekë gjobë
Ilia Thoma 10 vite burg, 600 mijë lekë gjobë