E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq italiani, uli avionin pa leje në Rinas

Antonio Lubrano, në verën e vitit të kaluar udhëtonte me një avion të kategorisë së lehtë ndërsa uli mjetin e tij në pistë pa lajmëruar

Sipas pretendimit të biznesmenit italian, ai pësoi avari gjatë rrugës dhe nuk kishte rrugë tjetër veç zbritjes në "Nënë Tereza"

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, si asnjëherë më parë ka pranuar për shqyrtim ditët e fundit një çështje penale nga organi i akuzës, jo si dosjet e gjykuara deri më tani në historinë e saj në Shqipëri. Vetëm pak muaj më parë, me kërkesë të drejtuesve të prokurorisë së kryeqytetit, togat e zeza kanë pranuar për shqyrtim çështjen penale me të pandehur biznesmenin italian Antonio Lubrano, për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi fluturimet", të parashikuar në nenin 299 të Kodit Penal. Kjo vepër penale, sipas akuzës, është konsumuar nga biznesmeni Lubrano, pasi mesditën e katër gushtit 2008, me avionin e tij sportiv personal, është ulur në pistën e aeroportit të Rinasit, pa marrë më parë lejen e kullës së vrojtimit. Italiani, udhëtonte me një mjet fluturues që sipas hetuesve hyn në kategorinë "ultra leggere aero" (aeroplan super i lehtë).
Këtë ulje pa leje, biznesmeni italian Lubrano, e ka argumentuar si të detyrueshme pasi avioni i tij kishte pësuar avari në motor dhe duhej patjetër të ulej, në të kundërt, rrezikonte të shpërthente në ajër. Sipas deklarimeve të të pandehurit që gjykohet në gjendje të lirë, ai bashkë me një mikun e tij ishte nisur po atë ditë nga shtëpia e tij në Itali me destinancion Greqinë, për çështje biznesi. Por, në momentin që ai po kryente fluturimin mbi bregdetin shqiptar, avioni pësoi defekt, dhe ka kërkuar ulje të detyrueshme. Në mungesë të pistave të vogla të zbritjes, biznesmeni ka kërkuar të ulë avionin e tij në pistën e aeroportit të Rinasit, por pa lejen e kullës së vrojtimit. Mos marrja e lejes, sipas prokurorisë, është sqaruar pasi biznesmeni Lubrano kishte ngatërruar frekuencat e kullës shqiptare të vrojtimit, të cilat janë 870 ndërsa ai kërkonte komunikimin në frekuencat 870.05, në të cilën nuk i përgjigjej njeri. Në këto kushte duke parë rrezikun e shpërthimit, biznesmeni Lubrano, ka ulur aeroplanin e tij, menjëherë kishte përfunduar zbritjen aeroplani i kompanisë gjermane "Lufthansa".
Ky manovrim i pa paparalajmëruar, kishte alarmuar forcat e policisë, të cilët në pak minuta me ndihmën e forcave speciale, kanë bllokuar aeroplanin e lehtë me dy pasagjerët brenda duke bërë edhe arrestimin e tyre. Pas marrjes në pyetje, nga specialistët e anti-terrorit dhe përfaqësuesve të akuzës, është arritur të zbardhet edhe arsyeja e kësaj uljeje të detyrueshme. Pas mbarimit të deklarimeve të dy pasagjerëve, prokuroria i ka liruar të dy italianët duke i lejuar edhe kthimin mbrapa për në vendin e tyre për tu hetuar dhe gjykuar më pas në gjendje të lirë. Në kohën e marrjes së tyre në pyetje, dy ekspertë të aviacionit ushtarak janë angazhuar për të zbardhur avarinë e motorëve, të cilët edhe pse bënë këqyrjen mekanike të këtij aeroplani të lehtë, nuk arritën të saktësojnë shkakun e kësaj avarie. Në këtë mënyrë pas hetimeve disamujore dhe mbledhjes së një sërë provash materiale, organi i akuzës ka përfunduar fazën hetimore dhe ka dorëzuar dosjen penale për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila pas hedhjes së shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari për gjykimin e çështjes. Sipas kësaj të fundit, kanë kaluar 6 seanca gjyqësore dhe nuk është arritur të hapet procesi gjyqësor ndaj tij, pasi është dërguar letër-porosia për lajmërimin e tij për fillimin e gjyqit dhe nuk është kthyer asnjë përgjigje. Për shkak të kësaj letër-porosie edhe seanca e djeshme gjyqësore dështoi, duke u shtyrë për vazhdimin e saj pas dy jave.

AVOKATI
TIRANË- Mbrojtësi ligjor i interesave të biznesmenit Antonio Lubrano në Gjykatë, Ferdinand Ndoja që nga dita e parë e arrestimit të klientit të tij e deri dje ka kundërshtuar akuzën e ngritur ndaj italianit. Sipas tij, "aeroplani i shtetasit Antonio Lubrano, nuk hyn në grupin e aviacionit të madh por tek ato të lehtët, për të cilët legjislacioni shqiptar nuk e parashikon një gjë të tillë. Ky aeroplan, është mjet fluturimi i lehtë për dy persona dhe legjislacioni ynë nuk e parashikon dhe nuk e sanksionon me ligj fluturimin e tyre, siç është e parashikuar në legjislacionet e vendeve të Këshillit të Evropës. Kështu, që automatikisht prokuroria shqiptare nuk duhej dhe nuk mund ta njësojë me avionët e tjerë fluturues. Këto aeroplanë, sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian, mund të ulen kudo nëpër pistat e vogla civile dhe jo në aeroporte ndërkombëtare, por në mungesë të pistës së vogël shtetasi italia ka qenë i detyruar të ulet në këtë aeroport për shkak të avarisë. Ky shtetas, në shtetin fqinjë Itali është një biznesmen i njohur dhe që ka pistën e tij private në pronat e tij, që e shfrytëzon edhe për kurse mësimore për pilotët e rinj"-tha për "Shekulli-n", avokati Ndoja.

AKUZA
Neni 299
Shkelja e rregullave mbi fluturimet
"Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi, mosrespektimi i vijave të fluturimit, i vendeve të zbritjes, i korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet".

RREGULLORJA

Kërkohet lajmërim për uljen
Rregullorja e trafikut ajror shqiptar, parashikon, që në rastin e avionit italian, kulla e aeroportit nga i cili ai është ngritur në fluturim me destinacion Greqinë, në raste emergjente duhet të lajmërojë kullën e aeroportit të Rinasit, në Shqipëri. Ata duhet të japin të dhënat identifikuese të mjetit fluturues, të lajmërojnë qëllimet e fluturimit të tij në hapësirën ajrore shqiptare, të marrin konfirmim për korsinë e lirë të fluturimit dhe pasi të marrin miratim për të gjitha këto, të kërkojnë autorizim për uljen. Edhe ulja në aeroport bëhet duke lajmëruar kohën e saktë të mbërritjes së avionit, numrin e personave në bord, llojin e mjetit fluturues dhe seksionin e veçantë të pistës që mund të vihet në dispozicion të tij. Pas kryerjes së këtyre procedurave ulja mund të konsiderohet e rregullt në kuadër të rregullores së trafikut ajror dhe legjislacionit përkatës të kësaj fushe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›