E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi për grabitje, plagoset në këmbë 46-vjeçarja



Një grua 46-vjeçare është qëlluar me një plumb në këmbë nga një person i maskuar, afër një pike të këmbimit valutor. Rudina Shametaj ishte duke hapur dyqanin, kur i është afruar një person, që pas një përleshjeje të momentit për t’i marrë çantën, e ka qëlluar atë në këmbë me armën tip pistoletë që mbante në dorë. Sipas burimeve nga policia, po hetohet në disa pista, ku e para është ajo e grabitjes. Ndërkohë që nuk përjashtohet që ngjarja të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm. Pasi është qëlluar me armë zjarri, agresorët janë larguar me motor, duke iu shmangur kështu arrestimit nga policia. 46-vjeçarja është çuar menjëherë në spital, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas ndërhyrjes së mjekëve mësohet se ajo nuk ka pasur probleme për jetën. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka nisur nga puna, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ngjarja

Ka qenë ora 8 e 20 e mëngjesit kur Rudina Shametaj ishte duke hapur qepenin e dyqanit, një pikë këmbimi valutor ku ajo punonte, në hyrje të Rrugës së Kavajës. Ndërkaq, asaj i është afruar një person i maskuar, i cili i armatosur është përpjekur që t’i marrë asaj çantën. Por, ai ka hasur në rezistencën e 46-vjeçares, e cila nuk ka lejuar që t’ia merrnin atë. Mes tyre ka pasur një përleshje dhe me gjithë kërcënimin e armëve, personi i maskuar nuk ka arritur të realizojë qëllimin e tij. Ai pastaj ka qëlluar një herë në këmbën e Shametajt dhe më pas është larguar me vrap, për tek shoku i tij që po e priste me motor. Ata janë larguar me shpejtësi, duke arritur që t’i shmangen arrestimit të policisë. Ndaj të plagosurës është dhënë ndihma e parë, duke e çuar atë në spital. Ndërkohë që në vendngjarje ka ardhur menjëherë policia. U ngrit një grup pune për të zbardhur shkaqet e kësaj plagosjeje. Sipas burimeve nga policia, janë shoqëruar për në komisariat dëshmitarë të ngjarjes, si dhe familjarë të së plagosurës. Sipas burimeve zyrtare policore, u krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u gjet edhe një gëzhojë pistolete. Sipas burimeve nga policia, mendohet se personat e maskuar janë përpjekur që të grabisin 46-vjeçaren, e cila ka pasur një shumë të hollash me vete. Ndërkohë që, një pistë tjetër e mundshme është ndonjë konflikt i mundshëm që mund të ketë pasur e plagosura. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e dy personave të akuzuar për këtë ngjarje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›