E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një optimist për Akademinë

Për gjuhëtarin Bahri Beci, reforma në Akademi duhej të ishte mbyllur tashmë, megjithatë nuk është vonë. Veçimin e Instituteve e sheh pozitivisht sepse beson se tani do të jenë më të fuqishme

Akademiku Bahri Beci është një prej 40 anëtarëve të asamblesë së Akademisë së Shkencave që 10 ditë më parë zgjodhi kreun e saj. I ndodhur në Shqipëri vetëm për këtë votim Beci shprehet se reformën e sheh si një proces të vonuar.
Në fillim të viteve '90 ishte një prej atyre që kërkuan këtë reformë. Zgjedhja e Kryetarit për të është një hap, pret më shumë nga gjithë struktura e Akademisë. Reforma duhet t'i japë shtysë zhvillimit shkencor në Shqipëri dhe gjuhëtari beson se një bashkëpunim i Akademisë me universitetet do të jetë frytdhënës.
Prej vitesh ai jeton dhe punon në Francë. Në Shqipëri do të kthehej vetëm nëse "shoqëria shqiptare i kërkon një angazhim të drejtpërdrejtë". Në intervistën e mëposhtme Beci tregon se si e sheh shkencën shqiptare pas zgjedhjeve në Akademi.

Mendoni se ndryshimet në Akademinë e Shkencave janë në kohë apo prapa kohe?
Mendoj që kjo reformë duhej të ishte bërë që në vitet '90. Në atë kohë kemi qenë një grup që kemi kërkuar reformimin e Akademisë. Kuadrot që e drejtonin Akademinë nuk e pranuan si një nevojë transformimin dhe kjo ka vazhduar deri më sot. Qeveria e mëparshme bëri një lloj rregullimi por jo një reformë, ndërsa kjo e sotmja i ka vënë vetes detyrë të bëjë reformimin e plotë të ASH-së, në përputhje me standardet evropiane.

Çfarë shpresoni nga kryetari i ri?


Zgjedhja e kryetarit dhe e gjithë aparatit drejtues të Akademisë është një moment. Unë besoj që ajo që pritet, pritet nga e gjithë asambleja e Akademisë së Shkencave dmth. sistemi i mirorganizimit, shkëputja e instituteve nga Akademia. Besoj se tani që ka më shumë struktura do të ndryshojnë edhe funksionet. Duke parë platformat që kanë paraqitur kandidatët, për të gjitha postet duket që perspektiva tani është disi tjetër, është e ndryshme nga ato të mëparshmet. Mendoj që ky nuk është një proces që do të zgjidhet me kryetarin e ri.
Suksesi i një reforme varet nga mënyra e realizimit të saj. Unë kam një përvojë të gjatë në Akademinë e Shkencave, 50 vjet punë këtu dhe në Institutin e Gjuhësisë. E kam përshëndetur si reformë sepse të paktën kështu e ndjej dhe e kuptoj që synimi është që të nxitet dhe të intensifikohet kërkimi shkencor në Shqipëri.


Çfarë ndikimi pritet nga kjo reformë në sistemin universitar?

Besoj se universiteteve i hapet një mundësi e re. Në kuptimin që gjithë ky kuadër, me këtë potencial akademik ka mundësi të japë një kontribut të rëndësishëm në formimin e kuadrove të rinj shkencorë të universiteteve.
Universitetet kanë më pak përvojë në fushën e shkencës, Akademia dhe Institutet kanë pasur një përvojë më të madhe dhe janë një potencial i jashtëzakonshëm. Në qoftë se universitetet do të dinë të tërheqin këto forca shkencore të Akademisë në auditore e tyre, t'i afrojnë studentët në Akademi unë besoj se ka hapësira shumë të mëdha për t'i çuar përpara këto probleme.

Më konkretisht, çfarë po ndodh me Albanologjinë, fushë ku duhet të jeni më në korrent të zhvillimeve.
Unë e kam përshëndetur gjithmonë idenë e formimit të një Qendre të Studimeve Albanologjike. Nuk kam qenë për idenë që institutet duhet të shkrihen me universitetet, sidomos për shkak të përvojës jashtëzakonisht të mirë që kanë pasur institutet e albanologjisë. Fakti që u grumbulluan në një qendër unë besoj që do t'i fuqizojë ato. Edhe zgjedhja e strukturave drejtuese krijon mundësinë që këto institute të shkojnë përpara. Disa elemente kanë filluar të duken që tani. Çmimi për albanologjinë është një formë e re pune. Këtu duhet pasur parasysh që në një qendër kërkimore shkencore nuk mjafton vetëm vullneti dhe dëshira, kanë nevojë edhe për një farë mbështetjeje. Në hapat e para duhet të kenë një mbështetje ekonomike, jo vetëm të qeverise por edhe të subjekteve private, shumë forma ekonomike mund të shërbejnë për të ndihmuar në zhvillimin e shkencës.


A mendoni se Akademia ka kontribuar për çështje të ndryshme që diskutohen në opinionin publik si fjala vjen rishkrimi i historisë?


Këtu futemi në një problem jashtëzakonisht të madh, në përmbajtjen e punës së Akademisë. Ne tani jemi në fazën e parë, rikonstruktimin. Faza tjetër më e rëndësishme dhe më kryesore është përcaktimi i detyrave dhe i projekteve. Në kuadrin e projekteve janë disa fusha të rëndësishme, si fusha të shkencave kombëtare, ku hyjnë historia, arkeologjia, letërsia etj, fusha e shkencave natyrore dhe teknike, fusha e albanologjisë, fusha e shkencave shoqërore etj. Historia është një nga objektet e albanologjisë dhe jam i bindur që edhe këtu akademia ka një rol për të luajtur.
Kemi pasur një akademi e cila ka pasur njerëz të shquar njerëz me vlera por nuk ka qenë krejt efektive, puna e saj lë shumë për të dëshiruar. Pikërisht kjo është edhe një nga arsyet e reformës.


Pasi të kenë përfunduar të gjitha fazat e reformimit ju do të riktheheni të punoni në Shqipëri?

Unë jam i hapur. Atje ku jam unë punoj për këtu, për Shqipërinë. Këtu do të kthehesha vetëm po të kisha ndonjë angazhim të drejtpërdrejtë. Në qoftë se shoqëria shqiptare më kërkon drejtpërdrejt një angazhim, atëherë po. Por tani për tani nuk kam ftesë për një projekt konkret.


Kombet e Bashkuara prezantojnë programin "Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin social dhe ekonomik". Projekti përfshin restaurimin e parqeve arkeologjike dhe rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar


UNESCO: Ndryshoni muzeun

Programi "Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin social dhe ekonomik" u prezantua dje në Muzeun Historik. Si pjesë e nismës "Një OKB" do të ketë në fokus rolin që luan kultura në zhvillimet ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Detyra e këtij programi do të jetë shfrytëzimi i potencialit të trashëgimisë kulturore në vend, krijimin e mundësive ekonomike për komunitetet në nevojë etj.
Janë një sërë pikash ku ky program synon të japë kontributin tij. Një ndër to është rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, ristrukturimi i parqeve arkeologjike të Apollonisë dhe Antigonesë, investimi në qytetet turistike të Beratit dhe Gjirokastrës si dhe krijimi e tregjeve të mirëfillta të produkteve artizanale.
Projekti "Një OKB" , financohet plotësisht nga "Fondi Spanjoll për arritjen e objektivave për zhvillimin e mijëvjeçarit" me një shumë prej 3.2 milionë dollarë.
Pjesëmarrës në prezantimin e programit ishin zv/ kryeministri Genc Pollo, Ministri i Kulturës Ylli Pango, Ambasadori i Spanjës Manuel Montobbio, përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri Gulden Turkoz Cosslett dhe shefi i zyrës së UNESCOS në Bresha, Engleberd Ruoss.
Sipas Ruoss, i cili u ndal kryesisht tek rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, synohet që ky institucion i kujtesës historike të jetë mbi të gjitha një vend modern pelegrinazhi, i vizitueshëm nga vendas dhe të huaj. "Për momentin po rekrutojmë njerëz", tha Ruoss. "Kemi përcaktuar një bord ekspertësh nga Barcelona, Berlini, Parisi, Milano, që sëbashku me ekspertë të Muzeut Kombëtar të Tiranës do të zhvillojë një koncept dhe do të gjejë një mënyrë se si koleksioni aktual të integrohet në një koncept të ri".
Kjo punë pritet të nisë në maj por për përfaqësuesin e UNESCO-s ende nuk është koha për të folur për ndërhyrjet specifike që do të kryhen. "Pikë së pari duhet të kuptojmë se çfarë duam dhe çfarë qëllimesh kemi. Njerëzit edhe duan të dinë se si ka qenë historia e Shqipërisë, por edhe shohin edhe çështje moderne, tradicionalja dhe teknologjia përballë njëra tjetrës. Duhet të jemi të vetëdijshëm që muzeu duhet t'i japë diçka banorëve vendas, por nga ana tjetër duhet t'i ofrojë diçka edhe turistëve që nuk dinë asgjë për Shqipërinë",- shton ai.
Puna e parë që duhet bërë në këtë shndërrim të Muzeut Historik Kombëtar sipas Ruoss është ngritja e strukturave institucionale, ndërtimi i një sistemi të mirë menaxhimi. Një tjetër pikë që sipas Ruoss duhet të përmirësojë muzeu janë edhe teknikat e ekspozimit dhe të menaxhimit të koleksioneve si dhe ngritja e një infrastrukture për sistemin e sigurisë. "Më e rëndësishmja është orientimi i vizitorëve. Mendoj se muzeu duhet të promovohet më shumë dhe të ndërveprojë me muze dhe institucione të tjera",- përfundon ai.
Jo shumë optimist për të ardhmen Ruoss shprehet se burimet janë të kufizuara dhe nuk mund të arrihet gjithçka në këto dy vjet. "Do të na duhet pak më shumë kohë".


Hermetizmi i ekspozitës së krimeve të komunizmit,
Dy ditë para hapjes së ekspozitës mbi krimet e komunizmit, holli i Muzeut Historik është thuajse "i blinduar". Media nuk lejohet të shohë se çfarë po ndodh brenda katër mureve, ku prej disa javësh punohet për ngritjen e kësaj ekspozite. Sot në orën 9:30 ministri i Kulturës do të dalë në një konferencë për shtyp, për këtë projekt.
Dera kryesore është pothuajse e bllokuar, nga brenda nga një skelë e madhe, mbi të cilën ende punohet. Nëpërmjet derës paksa të hapur duket salla gjysmë e zhytur në errësirë. Në dritën e dobët dallohen disa portrete njerëzish, pothuajse të gjithë të rinj. Faqen e një muri e kanë zënë portrete të klerit shqiptar, të përndjekur dhe të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Janë të gjitha fotografi që paraqesin njerëz që nuk i kanë kaluar të 40-at. Në faqen përbri një tjetër tabelë më portrete. Kurioziteti do të shuhet nesër me hapjen e ekspozitës, që do të pasqyrojë një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë,që nga vitet 1944, me hyrjen e ushtrisë partizane në Tiranë e deri në shkurt 1991.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›