Bora bllokon rrugët në Shqipëri
Reshjet e fundit të borës kanë shkaktuar probleme në shumë rrethe të Shqipërisë, e në veçanti në atë Gjirokastrës, ku trashësia e borës ka arritur në 25 centimetra. Megjithatë, rrugët kryesore nacionale, si Kakavijë-Tepelenë, Përmet- Leskovik dhe Gjirokastër–Sarandë raportohet të jenë të qarkullueshme.
Si rezultat i reshjeve probleme në qarkullimin rrugor ka në fshatrat e Zagorisë, Pogonit dhe Picarit, në Gjirokastër, në Progonat dhe në Lops, në Tepelenë, si dhe në Frashër e Përmet.
Borë ka rënë edhe në rrethin e Librazhdit, ku qarkullimi i automjeteve në rrugët Qafë-Krrabë dhe Librazhd-Qafë Thanë bëhet vetëm me zinxhirë.
Në rrugën magjistrale Librazhd-Qafë Thanë njoftohet se po operon një kamion për pastrimin e borës, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së automjeteve.