E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora dhe ngricat izolohen disa komuna probleme në akse

TIRANE-Reshjet e dendura të borës vazhdojnë të rëndojnë situatën në disa zona të vendit. Problematike paraqitet situata në Veri dhe Juglindje të vendit, ku banorët e shumë komunave e kanë të pamundur të dalin nga zona për shkak të izolimit nga bora.
Ndërkohë i vështirë paraqitet qarkullimi në disa akse ku ngricat kanë zënë shtresa ndaj policia ka urdhëruar pajisjen me zinxhira të cdo automjeti që kalon në këto zona.

Dibër
Shumica e komunave në Dibër sot numërojnë ditën e tretë të izolimit nga bora. Trashësia e borës në zonat rurale ka arritur deri në 1 metër. Mësimi në këto zona është ndërprerë deri në një përmirësim të gjendjes.
Probleme qarkullimi në zonën e Dibrës ka patur në akset Qafë Buall, Fushë Bulqizë, Maqellarë.
Has
Reshjet e dëndura të borës, që vazhdojnë ende në rrethin e Hasit, kanë shkaktuar bllokimin e shumë prej fshatrave të rrethit si dhe vështirësi të mëdha në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore rrugore.
Trashësia e dëborës në qytetin e Krumës ka arritur në mbi 50 centimetra, ndërsa në zonat rurale të këtij rrethi deri në një metër. Pavarësisht reshjeve të borës, deri tani nuk është shkaktuar ndonjë shqetësim, ndërsa është normalizuar furnizimi me energji elektrike i të gjitha zonave të rrethit.
Ndërkohë, është i kalueshëm, por me mjaft vështirësi, aksi rrugor Krumë – Kukës, ndërsa aksi rrugor Krumë - Bajram Curri vazhdon të mbetet i pakalueshëm. Aktualisht në këtë rreth janë të izoluara 14 fshatra të zonave të thella, ndërsa akset rrugore që lidhin qendrat e komunave me qytetin e Krumës vazhdojnë të jenë të kalueshme.
Ndërkohë, reshjet e borës dhe i ftohti i këtyre ditëve thuajse ka bllokuar edhe lëvizjen e udhëtarëve në drejtim të Gjakovës. "Gjatë 24 orëve të fundit drejt Gjakovës kanë udhëtuar vetëm 2 mjete të vogla dhe 5 persona", bëjnë të ditur burime zyrtare të doganës së Qafë Prushit.
Librazhd
Edhe zonat përreth Librazhdit deri në Bulqizë janë izoluar nga reshjet e dendura të borës. Kështu të izoluara sot rezultojnë komunat Rrajcë, Stravaj, Labinot Mal, ndërsa e bllokuar vijon aksi Librazhd-Steblevë-Bulqizë. Dëbora në Librazhd e Prrenjas ka shënuar 25 cm.
Elbasan-Korcë
Dëbora vazhdon të krijojë një situatë problematike në Qafë Kërrab ku policia rrugore ka urdhëruar pajisjen me zinxhira të automjeteve që kalojnë në këtë aks.
Ndërkohë me vështirësi dhe me zinxhira I kalueshëm është Qafa e Thanës, Qafa e Pllocës, Qafa e Qarrit.
Probleme janë hasur në aksin Korcë-Kapshticë për shkak të ngricave që kanë zënë shtresa në rrugë.
Në Korcë të bllokuara janë Dardha, Vithkuqi. Mokra e Lekasi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›