Dënimet alternative, 14 qendra pritëse për të miturit
Laureta Rryçi
Gjykata e Tiranës prej muajit shtator të vitit të kaluar po aplikon dënimet alternative, kryesisht për të miturit. Në këtë iniciativë ligjore Gjykata e Tiranës ka pasur një bashkëpunim të mirë me UNICEF-in dhe me organizatat jo fitimprurëse. UNICEF-i ka marrë përsipër të ndihmojë autoritetet shqiptare në përshtatjen e ligjeve vendase me konventat ndërkombëtare dhe nga ana tjetër po kujdeset për disa të mitur që janë dënuar me punë në dobi të komunitetit. Leon Shestani, drejtor i projektit në UNICEF për drejtësinë e të miturve, u shpreh se kanë identifikuar deri tani 14 qendra pritëse, firma private dhe ndërmarrje shtetërore, që janë të gatshme të mirëpresin të dënuar të tillë të mitur. Kapaciteti pritës i tyre është 2 persona dhe i gjithë theksi është te kualiteti dhe jo te sasia.
Bashkëpunimi
Së bashku me përfaqësuesit e shoqatave në mbrojtje të fëmijëve, UNICEF-i po bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Komisionin Europian për të ndërmarrë një reformë në Drejtësi për të miturit. Shestani shpjegoi se kjo reformë fokusin e ka në zhvillimin e masave alternative të dënimit për të miturit, duke iu përgjigjur kërkesave të Konventës për të drejtat e të miturve dhe administrimin e drejtësisë për këtë kategori. Natyrisht që tradita e zbatimit të masave alternative të dënimit në Shqipëri është mjaft e vogël. Legjislacioni shqiptar është mjaft i orientuar nga ndëshkimi me burg. Dënimi alternativ aplikohet ndaj atyre të miturve që kanë kryer vepra penale të lehta dhe kur ekzistojnë disa rrethana lehtësuese. Si rezultat i kësaj iniciative që është gjykuar të fillohet me adresimin e dy prej masave administrative për të miturit, të cilat janë me një efikasitet shumë të lartë, kryesisht të mundura nga legjislacioni aktual.
Alternativat
Njëra është puna në shërbim të komunitetit dhe e dyta është ajo që quhet ndërmjetësimi midis viktimës dhe ofenduesit për zgjidhjen e konfliktit, pa shkuar në situata penale. "Puna në shërbim të komunitetit, e cila është e parashikuar në ligj është e mundur të jepet nga gjykatat. Deri në muajin shtator ajo nuk ka qenë e mundur që të jepet dhe të zbatohet sepse kanë munguar qendrat pritëse për zbatimin e këtyre masave", - ka shpjeguar Shestani. Për zbatimin e ligjit qendrat pritëse mund të jenë qendra shtetërore dhe organizata joqeveritare, të cilat ofrojnë mundësinë e punësimit në të mirë të komunitetit. Puna e detyruar në interes publik jepet për një kohë në minimum prej 40 orësh dhe në maksimum deri në 240 orë, me kushtin që ajo të kryhet brenda një afati prej 6 muajsh. Deri tani përzgjedhja e institucioneve apo shoqatave që ofrojnë këtë lloj shërbimi është kryer nga UNICEF-i, pasi ka pasur mangësi në kuadrin ligjor.
Qendrat ku do të punësohen të miturit
Janë disa qendra të listuara deri tani nga UNICEF-i, me të cilat Gjykata e Tiranës ka filluar bashkëpunimin si YAPPS, qendra “Don Bosko” etj., të cilat kanë paraqitur programet e punëve apo të kurseve profesionale që ato ofrojnë për këto lloj dënimesh, si dhe kapacitetet e pritjes së këtyre të dënuarve. Punët e ofruara dhe që kryhen nga të dënuarit janë në përputhje me zhvillimin e tyre psiko-social dhe janë sipas standardeve të vendosura si nga legjislacioni ynë i brendshëm, ashtu dhe nga ai ndërkombëtar për punën që mund të kryejnë të miturit. Numri i të miturve që kanë përfituar një dënim të tillë ka arritur deri tani në tetë dhe dënimi i parë me punë në shërbim të komunitetit është dhënë në shtator të 2007-s. Me aplikimin e këtij dënimi, shprehet Shestani, së pari fiton shoqëria, e cila ka një mundësi më të madhe të integrimit, fiton individi, pasi dënimi me burg ka pasoja destruktive për karakterin e tij. Gjithashtu fiton sistemi i drejtësisë, sepse përveç se kushton më pak, është një drejtësi që është më e mirë për individët, me standarde shumë më të larta lidhur edhe me respektimin e të drejtave të njeriut. Duket se filozofia e këtij trajtimi nuk është puna, por edukimi. Nuk është e rëndësishme dhënia e masës alternative, por zbatimi i kësaj mase, duke pasur në fokus të saj edukimin, vendosjen e urave të komunikimit me familjen, me komunitetin, me shkollën, për formim profesional të tyre.
Marrëveshja
Trajtimi në këto raste është multidisiplinor duke filluar nga vlerësimi psiko-social e deri te formimi profesional. Puna është një nga elementët, por ajo është në funksion të edukimit dhe bazohet në Kodin e Punës, e cila për këtë kategori parashikon punë të lehta. Puna në ndihmë të komunitetit është strikte dhe kryhet 3-4 orë në ditë. Ata kryejnë punë të tilla si, lyerje, gjelbërim, lyerje pemësh, mirëmbajtje, pastrim, ndihmëskuzhinier etj. Por gjëja themelore e planit të punës është që të mos preket procesi i arsimimit të kësaj kategorie. Në qoftë se i mituri që kryen këtë dënim është në shkollë, atij nuk i preket orari i mësimit. Ka një marrëveshje që vendoset në fillim në bazë të urdhrit për punë në shërbim të komunitetit, ku është i sanksionuar qartë roli i palëve. Është një program i qartë, i cili firmoset prej të gjithëve. Për çdo dy ditë që punohet në të mirë të komunitetit individi ndiqet në ecurinë e tij. Gjithashtu, të miturit i tregohet në mënyrë të qartë se çfarë roli ka punonjësi social, psikologu, kujdestari etj. Nga ana tjetër, çdo i mitur ka dosjen e vet, ku merret parasysh gjendja familjare, zhvillimi fizik e psikik si dhe të dhëna për natyrën e veprës, një punë kjo paraprake që bëhet nga punonjësi social. Me sa konstatohet deri tani, vepra më e përhapur te kjo kategori është "vjedhja e pasurisë". Rast pas rasti gjykata analizon rrethanat e kryerjes së veprës nëse është përsëritës në të njëjtin krim si dhe faktorë të tjerë socialë dhe arrin në konkluzionin e saj nëse duhet përdorur dënimi alternativ apo jo. Në këtë rast dënimi alternativ është njëlloj si dënimet e tjera penale p.sh. dënimi me gjobë dhe në rastin kur i dënuari nuk paguan gjobën e dhënë me vendimin gjyqësor ajo i konvertohet në dënim me burgim.
26 Mars 2008