E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, helikopterë të Bazës Ajrore të Farkës shpërndajnë ndihma

SHKODËR- Dy helikopterë të Bazës Ajrore të Farkës kanë transportuar sot ndihma ushqimore në disa komuna dhe fshatra të thella në veri të vendit, të cilët ende kanë vështirësi nga bllokimi nga dëbora, ndërsa një i tretë është kthyer pa kryer misionin për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi për mediat bën të ditur se një helikopter AB-205 i ngarkuar me 40 pako ndihma ushqimore u nis drejt fshatrave Ndreaj dhe Nicaj të komunës Shosh të qarkut të Shkodrës, ndonëse ka tentuar disa herë të kryejë uljet, nuk ka mundur të realizojë misionin dhe është kthyer në Bazën Ajrore në Farkë. Ndërkaq, dy helikopterët e tipit BO-105 kanë arritur të transportojnë 40 pako ushqimore në fshatrat Gralisht, Burgjon, Apripë dhe Kokëdodë të komunës Fierzë të Pukës.

Ministria e Mbrojtjes njofton gjithashtu se gjatë pasdites së djeshme tre mjete transporti të Brigadës Logjistike të ngarkuara me 500 pako ndihma ushqimore të siguruar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane janë dërguar në zonat e izoluara. Një mjet tip “Saurel” ka transportuar 200 pako ndihma ushqimore drejt komunës Grykë - Çaj të Kukësit. Një mjet tjetër tip “Saurel” me 100 pako ndihma ushqimore është nisur drejt fshatit Progër të komunës Gorë, të qarkut të Korçës. Një mjet i tipit “Benz” i ngarkuar me 200 pako ndihma ushqimore është nisur drejt rrethit të Tropojës.
(el.me/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›